PDK-ja vendos largimin nga qeveria të Bushatit dhe Gurakuqit
Erald Kapri
Partia Demokristiane ka institucionalizuar largimin nga qeveria të dy zëvendësministrave të qeverisë, përkatësisht të Zef Bushatit dhe Anton Gurakuqit. Këshilli Kombëtar i Partisë demokristiane, i cili u mblodh dje, me votë unanime vendosi që përfaqësuesit në qeveri të PDK-së të largohen nga postet, si dhe autorizoi Kryesinë e Partisë që të negociojë zëvendësimin e tyre me kryeministrin Sali Berisha. Anëtarët e Këshillit Kombëtar vendosën që në datën 8 maj të mblidhet Kongresi i PDK-së. Kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, u shpreh gjatë kësaj mbledhjeje se të larguarit vendosën me vullnetin e tyre largimin nga alternativa demokristiane. Ministri i Shëndetësisë u shpreh më tej se partia që ai drejton nuk është një parti e përkohshme, pasi konsolidimi dhe rritja e elektoratit të saj e kanë treguar tashmë forcën reale në jetën politike të vendit të PDK-së. “Ne u ndodhëm nën një trysni të madhe të disa lobeve politike jashtë partisë sonë. Ata shfrytëzuan ambiciet personale dhe krizat e identitetit të ndonjë zyrtari demokristian për të krijuar një tymnajë propagandistike kundër partisë sonë, strukturave drejtuese, simboleve dhe vlerave që ne përfaqësojmë”, - tha Ndoka. Tashmë pritet që kryesia e PDK-së të konkretizojë me kryeministrin Berisha emrat e rinj të dy zëvendësministrave në respekt të vendimit politik të organit më të lartë politik të demokristianëve.
Deklaratat
Ndoka u shpreh se në PDK ka një tolerancë të lavdërueshme, por që segmente të caktuara kërkojnë prishjen e imazhit të kësaj partie me njerëz pa profil të konsoliduar politik. “Ish-kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëri nga zëvendësministrat tanë përfaqësues në qeveri, regjistruan në gjykatë një parti tjetër politike konkurruese me PDK-në. Ata e bënë zgjedhjen e tyre, ne i respektojmë në vendimin e tyre dhe sot jemi këtu për të marrë një vendim politik edhe për mandatin që ata padrejtësisht dhe jashtë moralit politik mbajnë në qeveri”, - tha Ndoka. Anëtarët e Këshillit Kombëtar diskutuan edhe në lidhje me anëtarin e kryesisë dhe zëvendësministrin e Jashtëm, Anton Gurakuqi. Ndoka i cilësoi veprimet e tij si aventureske, që u përdorën nga segmente që nuk dëshirojnë alterantiva politike të reja në Shqipëri. “Të njëjtin qëndrim dhe pikëpamje kam edhe për një koleg tonin, të cilit ne i besuam përfaqësimin në nivelin më të lartë të diplomacisë shqiptare. Gabimi i tij politik nuk është moskontrolli i vetvetes dhe emocioneve politike, pra deklaratat denigruese në media ndaj PDK-së dhe kryetarit të saj, por tentativat e papranueshme për të përdorur siglën dhe simbolet e PDK-së për pazare kafenesh në bashkëpunim me dy parti të tjera politike, rivale politike me PDK-në”,- tha Ndoka për Gurakuqin.
Vendimet
Këshilli Kombëtar vendosi që Partia Demokristiane të mbajë një distancim të plotë nga qëndrimet destruktive të disa individëve pseudodemokristianë, thirrjen e Kongresit të Partisë në datën 5 maj si dhe largimin e Anton Gurakuqit dhe Zef Bushatit nga postet e zëvendësministrave, të cilët i mbajnë si përfaqësues të PDK-së. Këshilli Kombëtar kërkoi nisjen e menjëhershme të bisedimeve për zëvendësimin e tyre. Nga ana tjetër, Gurakuqi dhe Bushati kanë kërkuar thirrjen e Kongresit në datën 14 maj si dhe largimin e kryetarit Ndoka nga drejtimi i PDK-së.
3 Maj 2008