E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria, masa kundër krizës globale



Qeveria shqiptare do të marrë masa kundër krizës globale pavarësisht se deri tani Shqipëria vazhdon të bëjë rezistencë ndaj saj. Siguria vjen nga Kryeministri Sali Berisha dhe një ditë pas mbylljes së punimeve të Forumit Ekonomik Botëror, që u mbajt në Davos të Zvicrës. Sipas tij, një ndër masat që do të merren do të jetë moszgjerimi i deficitit dhe monitorimi i rreptë i situatës financiare. Berisha informoi dje qytetarët shqiptarë se kriza ekonomike që po trondit shumë vende të botës është ende larg Shqipërisë. Ai garantoi se gjatë kësaj kohe qeveria do të përfitojë të marrë masat e duhura që Shqipëria të mbetet e paprekur nga kriza. Ndër masat e qeverisë numërohen edhe objektivat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në kuadër të masave që do të merren për të zbutur krizën që mund të prekë vendin tonë, Berisha konfirmoi se qeveria që ai drejton nuk do të lëvizë nga objektivat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se do t’i përmbahet marrëveshjes me të. Ai premtoi se qeveria nuk do të zgjerojë deficitin dhe do monitorojë zhvillimin e situatës ekonomike në vend. Berisha garantoi se kursimet e shqiptarëve në banka po rriten dhe kjo vjen si pasojë e rritjes ekonomike në vend. Z. Berisha bëri të ditur se tema kryesore e forumit të Davosit ishte kriza ekonomike që po mbizotëron në shumë vende të botës dhe masat urgjente që duhet të merren në këtë rast. Kreu i qeverisë konstatoi se reagimi i liderëve botërore ndaj krizës ishte i shpejtë dhe se një zgjidhje e mirë për ta u vlerësua plani i Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Sa i përket Shqipërisë, Kryeministri u shpreh optimist se ekonomia shqiptare nuk është prekur nga kriza, por duke shtuar se edhe në vendet që nuk janë në krizë, kriza do të pasqyrohet. Një ditë pas përfundimit të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kryeministri Sali Berisha informoi opinionin shqiptar për rezultatet e forumit. "Ekonomia shqiptare nuk është në krizë, dhe jo vetëm ekonomia jonë, por edhe e dhjetëra vendeve të tjera. Ekonomia jonë mund të pësojë nga pasojat e krizës, por jo për shkaqe të natyrës së brendshme", - theksoi Berisha. Më tej, Kryeministri shqiptar tha: "Forumi i Davosit ishte më botëror se kurrë më parë, shpirti i tij është debati i shpirtit të lirë dhe konstruktiv, i kremtimit të të vërtetave, i vizionit për të ardhmen", - u shpreh Berisha. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se nga takimet e shumta që kreu në Davos me liderë të vende të ndryshme, kërkesa parësore ishte ajo në planin e investimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›