“Rama trilloi me raportin e Bankës Botërore”
Kryeministri Berisha akuzoi dje kryesocialistin Rama si fajtor për dështimin e konsensusit me PS-në për Ligjin e Lustracionit, për rrëzimin e buxhetit të kryeqytetit. Berisha fajësoi Ramën për një raport të Bankës Botërore për abuzimet me ndërtimet në jug të vendit. Sipas Berishës, e vërteta është se ky është një raport i mbushur me trillime, të cilat vijnë si rezultat i një rivaliteti midis grupeve të ndryshme të Bankës Botërore. “E vërteta është që ato çfarë thotë raporti apo njollat që raporti ia atribuon kësaj qeverie, janë pikërisht njollat që zbardhi kjo qeveri dhe që i kishte nxirë qeveria e mëparshme”, - u shpreh z. Berisha.
Pyetje: Z. Berisha, pas takimeve që zhvilluat në Davos të Zvicrës, a jeni më optimist për liberalizimin e vizave?
Kyeministri Berisha: Në të gjitha bisedimet e mia unë konstatova vetëm mirëkuptim te bashkëbiseduesit e mi, për paraqitjen nga Shqipëria të kërkesës së statusit të kandidatit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, në përputhje me plotësimin e kushteve. Ne po i plotësojmë këto kushte. Nuk mund të bëhet fjalë që ne të fitojmë të drejtën të lëvizim pa viza, pa përfunduar pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet e reja, por jemi në rrugën e plotësimit të tyre. Në muajin mars vjen një grup ekspertësh për të konstatuar në vend zhvillimet, në maj bëhet vlerësimi dhe jam i bindur se Shqipëria do të vlerësohet pozitivisht.
Pyetje: Pyetja lidhet me një prej organizmave ndërkombëtarë financiarë që ju e keni kontaktuar gjatë vizitës suaj në Davos. Zoti Kryeministër, ka pasur një raport të BB-së për një projekt i cili është drejtuar, deri pak muaj më parë, nga dhëndri juaj. A ka dhënë dorëheqjen dhëndri juaj, pas raportit të kësaj Banke?
Kryeministri Berisha: E vërteta është se ky është një raport i mbushur me trillime, të cilat vijnë si rezultat i një rivaliteti midis grupeve të ndryshme të Bankës Botërore. E vërteta është që ato çfarë thotë raporti apo njollat që raporti ia atribuon kësaj qeverie, janë pikërisht njollat që zbardhi kjo qeveri dhe që i kishte nxirë qeveria e mëparshme. Nëse ne trashëguam një plan me njolla ndërtimi, në zona të caktuara ndërtimi, ku mafia shqiptare kishte vendosur të ndërtonte parajsën e saj, kjo qeveri dhe ky projekt i fshiu të gjitha ato dhe u dha të drejtën autoriteteve lokale për t’i përcaktuar vetë zonat e zhvillimit, ndërkohë që studimi përcakton vetëm kushtet ku nuk mund të ndërtohej. Kjo është e vërteta. Për të mos hyrë në detaje, mund t’ju them se si Edi Rama, bashkë me një prej atyre, të cilëve u kontrollon televizionin nga mëngjesi deri në darkë dhe nga darka në mëngjes, kishte përcaktuar një njollë për ndërtimin e një fshati, por që nuk është më. Këtë bëmë ne dhe ata, të cilët botuan një raport të pa miratuar nga Bordi¸ sepse duhet ta dini se ai është një raport i pa miratuar nga Bordi dhe nuk është paraqitur në të, janë në panik të madh, sepse kanë mashtruar, trilluar dhe janë kapur “me presh në dorë” me mashtrimet dhe trillimet e tyre. Të tjerë, natyrisht kanë humbur fshatrat, “llokmat” që i kishin grabitur dhe për këtë gjë, ka fakte që ne do i paraqesim. Një ndër këta është zoti Rama i cili e ka humbur fshatin e tij.
Pyetje: Gjatë javës që ju keni munguar në Shqipëri, ka pasur akuza edhe direkte nga opozita për përfshirjen tuaj në çështjen “Sheshori”, pra, sipas tyre, keni marrë pjesë në dënimin e këtij personi. Personalisht, e njihni apo jo Sheshorin?
Kryeministri Berisha: Kush është ky? Nuk duhet t’i lejoni vetes që t’ju keqpërdorin, pavarësisht nga tmerri dhe ferret që ju përjetoni nga pronarët, në një amoralitet të plotë, të cilët, për një leje ndërtimi apo një kontratë të paligjshme, kanë për borxh t’ju japin juve çdo lloj udhëzimi. Por ju duhet t’i refuzoni ata. Unë do të bëj ligjin përkatës që ata të mos jua bëjnë këtë juve dhe do ta bëj shumë shpejt. Ky është një emër që unë e dëgjoj për herë të parë në jetën time. Kur qenka dënuar ky? Mirë ata që ia kanë falur vetes mashtrimin, por ju duhet të bëni kujdes në atë që thoni. Jam ndodhur një herë rastësisht në një darkë me Kryeministrin Berluskoni, në atë kohë ai ishte në opozitë, lider i Forca Italia-s, si dhe me një mik tjetër timin dhe Berluskoni më tha: ‘A dini çfarë më ka ndodhur? Para tre javësh më akuzuan dhe thanë se Silvio ka vrarë një njeri. Ndërkohë që ai doli dhe tha: Unë jam i gjallë dhe nuk kam vdekur’. Edhe për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare.
Pyetje: A ka vend për kompromis me Bashkinë e Tiranës për buxhetin e kësaj bashkie?
Kryeministri Berisha: Duhet t’i përmbahemi përgjegjësinë publike, pasi ajo është universale. Si mendoni ju, që Parlamenti të votojë buxhetin pa qenë unë aty? Unë kurrë nuk mund ta imagjinoj, si Kryeministër, që Parlamenti i vendit tim të kërkojë votim buxheti dhe unë të mos ndodhem aty, qoftë edhe sikur Parlamenti të vazhdojë diskutimet 24 orë rresht. Nuk do të kishte mëkat më të rëndë, sesa t’i votohej buxheti atij që u kthye me një copë kristal, si gjysmëdaja i tij. Qytetarët nuk duan kristale, qytetarët duan rrugë, infrastrukturë, shkolla. Ai nuk qëndroi në votimin e buxhetit sepse kishte frikë nga katrahura që kishte bërë dhe mendoi se do të mashtronte qytetarët e Tiranës me një copë kristal, si gjysmëdaja i tij që dilte në bllok dhe, në kohën kur gjysma e popullit vuante nga uria, ai çonte lajmin nga Meksika se Shqipëria ishte vendi që ushqehej më mirë. Ne nuk mund ta pranojmë një buxhet të tillë. Ai e ka rrëzuar vetë buxhetin, nuk ia kemi rrëzuar ne. Këshilltarët e Tiranës janë Parlamenti i Tiranës dhe, nëse Tirana ka një Parlament të dytë, ai është Këshilli Bashkiak. Ai të mos ketë frikë nga ajo që ka bërë vet, por të shkojë e ta mbrojë me transparencë atë, jo të dalë me ata të Policisë Bashkiake. Kam respekt për të gjithë punonjësit e bashkisë, por buxhetin ai duhet t’ua paraqesë këshilltarëve, projekt për projekt. Kjo është logjike. Ai ka mbajtur 6 milionë euro për fushatë elektorale. Direktiva është e qartë: ne jemi për miratimin e buxheteve kudo, por si do të miratohet buxheti kur vet kryetari i bashkisë ka frikë nga buxheti i tij. Të mos kujtojë ai se gënjehet sot kush me çmimet dhe kristalet. Ato t’i tregojë në Pezë, qytetarët duan buxhetin.
Pyetje: Gjatë qëndrimit tuaj në Davos, ka pasur një reagim në Tiranë nga presidenca çeke, lidhur me ligjin e lustracionit dhe kanë mbetur të hapura bisedimet mes Trojkës dhe qeverisë shqiptare. Mendoni se do të kërkohet rishikimi i ligjit apo ata do të kërkojnë monitorimin e zbatimit të ligjit?
Kryeministri Berisha: Problemi është se kontrolli që kryetari i opozitës dhe i Bashkisë së Tiranës shprehu mbi mediat, i shtyu dhe i detyroi ato të deformojnë në mënyrë të tmerrshme të vërtetat që lidhen me shqiptarët. Ky kryekorruptor i mediave u thotë atyre se do të të bëj ministër, po t’i fitojë zgjedhjet, pronarit i thotë do t’ia vë emrin në listë për deputet. Kjo është e vërteta. Kam të drejtë, për një njeri që, në mënyrën më të pandershme ndërhyn në media, një krydeformator i fjalës së lirë dhe i lirisë së tyre.
E theksova këtë për të dalë tek pjesa tjetër e pyetjes se ka një komunikatë qeveritare lidhur me çështjen. Komunikata ka qenë në mirëkuptim të plotë me Kryeministrin. Pavarësisht se Davosi është larg, me qeverinë funksionoi, por jo me mediat, pasi, siç bën ai pesë mesazhe në minutë, ka thyer çdo lloj standardi. Ndërsa natën mendohet kë do të bëjë ministër, kini kujdes se mund t’ju bëjë ofertë dhe juve. Komunikata qeveritare është bërë në mirëkuptim të plotë me Kryeministrin.
Pyetje: PS-ja ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një ankimim për ligjin e lustracionit. Ju jeni shprehur se kjo Gjykatë, nëse lidhet me konflikt interesi, do të ribëhet. Atëherë, do të ngrihet autoriteti dhe do të shqyrtojë në radhë të parë anëtarët e Gjykatës apo Gjykata do të shprehet për ligjin dhe ju më pas do të vendosni se si do të veprohet?
Kryeministri Berisha: Mos më bëni anëtar të autoritetit. Autoriteti është ligjor. Ajo që mund të them është se problemi që e pengoi fund e krye konsensusin me PS-në, të cilin e kërkova 2 vjet rresht, është arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës. Këtë dua t'jua them me përgjegjësinë më të plotë, se kështu është. Është një arkiv i tmerrshëm, është njeri i mbajtur peng. Unë kujtoja se ai mund të ishte trim, por ai doli zemërpulë, e mbajtën peng ata. Ky është problem i madh, sepse unë kurrë nuk e bëj fëmijën përgjegjës për të atin. Kurrë! Është një parim i pandryshueshëm. Por kur fëmija do ta mbajë veten përgjegjës, është i pashërueshëm, çfarë mund t’i bëj unë atij?
Pyetje: Duke u kthyer edhe një herë tek Davosi. Mund të na thoni, nga diskutimet që ju patët, çfarë idesh të reja ka për zhvillimin e ekonomisë shqiptare?
Kryeministri Berisha: Turzimi, energjia janë dy më kryesoret.