Berisha dhe Basha në Mëngjesin e Lutjeve
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, do të udhëtojnë sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata do të marrin pjesë në ceremoninë e përvitshme të Mëngjesit të Lutjeve. Në këtë ceremoni janë të ftuar disa nga liderët botërorë. Mëngjesi i Lutjeve shfrytëzohet si zakonisht për takime të rëndësishme mes personaliteteve të ftuara në këtë ceremoni madhështore siç është përgatitja e Mëngjesit të Lutjeve. Kryeministri i vendit, Berisha, ka qenë herë pas here i ftuar në ceremoninë e Mëngjesit, ndërkohë që këtë vit shoqërohet nga kryediplomati shqiptar Lulzim Basha. Gjatë qëndrimit në SHBA, ata do të zhvillojnë takime të rëndësishme me personalitete të shumta të botës, kryetarë e kryeministra të vendeve pjesëmarrëse.
Basha: Njohje të tjera për Kosovën
Tirana zyrtare lajmëron së afërmi njohje të reja për pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, pas kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit të Zvicrës, deklaroi dje se së shpejti priten njohje të reja të shtetit të Kosovës. Ministri shqiptar i Jashtëm, Lulzim Basha, bëri të ditur se disa vende kanë premtuar se do ta njohin Kosovën si shtet gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, ndërsa disa të tjera, edhe pse nuk kanë premtuar se do ta bëjnë këtë, janë shprehur se e shikojnë të volitshme gjendjen në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.