Protokolli i NATO-s, Topalli merr garancinë e Francës
Franca do të ratifikojë së shpejti Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë garanci ka dhënë Kryetari i Senatit Francez, Christian Poncelet, në një letër dërguar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Përmes kësaj letre, kryeparlamentari francez shkruan se menjëherë, sapo të nisë sesioni i ri parlamentar, Senati Francez do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai ka premtuar se Senati Francez do ta shohë me prioritet këtë çështje si dhe ka premtuar, në letrën dërguar Topallit, se do të angazhohet personalisht në përshpejtimin e këtij ratifikimi, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në NATO në samitin e ardhshëm. “Kam mirëpritur letrën tuaj mbi ratifikimin nga Franca të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me një interes të madh u njoha me përmbajtjen e kësaj letre. Mund t’ju siguroj që në këtë moment se Senati i Francës me mbledhjen e tij në sesion, do të jetë veçanërisht i vëmendshëm ndaj kësaj dosjeje, duke bërë të mundur, në mënyrë të veçantë, që Shqipëria dhe Kroacia të pranohen në samitin e ardhshëm të Atlantikut të Veriut, në prill të 2009-ës, në Strasburg dhe Kehl”, - thuhet në letrën që Kryetari i Senatit të Francës, Christian Poncelet, i ka dërguar Jozefina Topallit. Kryeparlamentari francez ka shtuar më tej në deklaratën e tij se do të bëjë një apel personal ndaj institucioneve të tjera franceze, për t’i dhënë rëndësi dhe vëmendje të veçantë këtij ratifikimi. “Nuk do të mungojë, gjithashtu, apeli im personal ndaj Komisionit të Çështjeve të Jashtme dhe atij të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, për të qenë të vëmendshëm për rëndësinë e këtij ratifikimi”, - shprehet në letër Christian Poncelet. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, mori këtë letër nga homologu i saj francez pas letrës së saj dërguar të gjithë kryetarëve të parlamenteve të vende anëtare të NATO-s. Së bashku me homologun e saj kroat, Topalli ka nisur një lobim parlamentar për të bindur vendet e NATO-s dhe parlamentet e tyre për të bërë një ratifikim sa më të shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit në NATO, i cili u nënshkrua në Bruksel nga ministri i Jashtëm Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer. Ky protokoll është hapi i fundit zyrtar që duhet ndjekur për t’i dhënë Shqipërisë dhe Kroacisë të drejtën për të qenë pjesë e tryezës së rrumbullakët të Aleancës me të drejta të plota. Aleanca e Atlantikut të Veriut ka vlerësuar maksimalisht përpjekjen e Shqipërisë për të përmbyllur marrëveshjen me vendet e NATO-s për finalizimin e anëtarësimit të plotë në këtë aleancë. Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën e anëtarësimit në NATO gjatë samitit të Aleancës në Bukuresht në fillim të muajit prill. Vendet anëtare të aleancës vlerësuan se këto dy vende kanë bërë progres në zbatimin e të gjitha reformave të kërkuara, duke përmbushur në këtë mënyrë standardet që një vend kandidat duhet të plotësojë për t’u bërë pjesë e NATO-s.
Shqipëria fiton 16 milionë dollarë shtesë nga “Sfida e Mijëvjeçarit”
Bordi i Drejtorëve të Korporatës “Sfida e Mijëvjeçarit” ka miratuar në datën 15 gusht propozimin e qeverisë së Shqipërisë për fazën e dytë të programit të pragut për zvogëlimin e korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, i njohur ndryshe si “Sfida e Mijëvjeçarit”. Ditën e djeshme Kryeministri Berisha u takua me drejtorin e USAID-it, Eduard Landau, i cili e njoftoi zyrtarisht mbi vendimin e KSM-së për të mbështetur me një program prej 16.4 milionë dollarësh Shqipërinë. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit midis të dy qeverive do të zhvillohet në muajin shtator. USAID-i do të menaxhojë këtë program në partneritet me institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare shqiptare. “Ne jemi të kënaqur të mbështesim këtë program të rëndësishëm për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe në trajtimin e reformave kryesore gjyqësore dhe në hapjen e rrugëve të reja për zhvillimin ekonomik”, - tha Landau. Sipas tij, një program i fazës së dytë do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet më konkurruese për programet e ndihmës dypalëshe të KSM-së. Aktualisht, Shqipëria po zbaton një program pragu të KSM-së që përqendrohet në përgjigjen ndaj korrupsionit në tatime, në regjistrimin e biznesit dhe në prokurime. Programi planifikohet të përfundojë në muajin nëntor 2008.