Berisha: Qytetarët, kurse për të mësuar internetin
RIDVAN DIBRA
Kryeministri Sali Berisha ka premtuar dje nga Malësia e Madhe se brenda marsit të vitit tjetër të gjitha shkollat e vendit do të jenë të pajisura me kabinete informatike. Kreu i qeverisë ka vijuar në fundjavë turin “Shqipëria po ndryshon” dhe si rrallë ndonjëherë nuk është ndalur tek akuzat ndaj opozitës, por te projektet e qeverisë. Duke folur gjatë përurimit të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme “Dod Kaçaj” në Bajzë, Berisha kërkoi nga nxënësit që ta përvetësojnë përdorimin e internetit sa më shpejt dhe, pas kësaj faze, të veprohet me hapin tjetër; vënien e këtij shërbimi në dispozicion të komunitetit, prindërve, familjarëve të tjerë, të cilët duhet të trajnohen për të mësuar internetin. Sipas tij Ministria e Arsimit do t’u paguajë orë suplementare mësuesve për këtë proces. “Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi parimit se; aq sa e ndërlikuar duket ky proces, aq i thjeshtë është për t’u përdorur. Është një doktrinë që bazohet në ikona. Po të ndjekësh ikonat, ecën pafundësisht në këtë botë pafund. Në këtë mënyrë ne duhet të rrisim shkallën e njohjes së internetit dhe për qeverinë nuk është problem që të ndërmarrë një politikë dhe t’u japë mundësinë çdo familjeje shqiptare të blejë një kompjuter”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se rëndësi e madhe i është kushtuar edhe infrastrukturës turistike. Sipas tij janë duke u ndërtuar të gjitha rrugët që zbresin detit nga Bërdica deri në Ksamil, por edhe rrugët për në male nga Gjirokastra në Vermosh. “Mali i Çajupit është një nga majat më mahnitëse të vendit, por të paktë janë ata që janë ngjitur në majën e tij. Brenda një kohe të shkurtër, ne nisim ndërtimin e kësaj rruge, në mënyrë që gjirokastritët dhe gjithë shqiptarët të ngjiten në majën e këtij mali. Ne po ndërtojmë rrugën drejt Voskopojës, Dardhës, në Korçë, po ndërtojmë rrugë të përmasave ndërkombëtare drejt Liqenit të Prespës, do ndërtojmë një aks kombëtar që i bie Mokrës mes për mes, në mënyrë që shqiptarët të njohin edhe bukuritë e kësaj krahine”, theksoi Berisha. Duke nënvizuar faktin se zona e Malësisë së Madhe ka një avantazh të madh, falë miratimit të vendimit nga qeveria, vetëm para 3 javësh, për ngritjen e Parkut Industrial në këtë zonë, Kryeministri theksoi se ky park do të punësojë jo vetëm punëtorë dhe specialistë nga Malësia e Madhe, por edhe nga Shkodra. “Ky park do të shndërrohet në një qendër të përgjithshme zhvillimi dhe, investimi i tij mbi baza private, e ben ate një projekt shumë serioz. Në këtë park, do të ketë edhe investime dhe mundësi të tjera shumë të madha”, u shpreh Kryeministri.
1.2 miliardë USD investime
Sipas kreut të qeverisë gjatë këtyre viteve të mandatit të koalicionit të djathtë investimet kanë kapur shifrën e 1.2 miliardë dollarëve. “Në tre vjet ne kemi investuar në rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore në fshatrat e vendit 1.2 miliardë dollarë. Rrugët rurale të Shqipërisë janë me mijëra kilometra, por në tre vjet, ne kemi asfaltuar 1600 kilometra dhe unë ju garantoj se kjo qeveri do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën, në Bajzë, Vermosh e kudo, derisa ajo të jetë e përshtatshme, njësoj si për qytetarët e tjerë”, theksoi Berisha.