E Diel, 1 Nëntor 2026

"Burg pa afat" tre pronarëve të gomones me 150 kg drogë

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masat e sigurisë për Arianit Bidën, Blerim Beqirajn dhe Avni Dhramin, të arrestuar mbrëmjen e të premtes gjatë operacionit policor "Gomonia e vjetër". Sipas vendimit të togave të zeza, tre të pandehurit e kësaj çështjeje do të qëndrojnë në "arrest me burg pa afat", deri në përfundim të hetimeve. Në seancën e zhvilluar dje, pala e akuzës kërkoi lënien në burg për tre personat e dyshuar si trafikantët e 150 kilogramëve hashash, të sekuestruara nga policia një javë më parë, në afërsi të gadishullit të Karaburunit. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se akuza e ngritur nga ana e prokurorisë është kundërshtuar nga të pandehurit. Ata kanë pretenduar në sallën e gjyqit se nuk kanë pasur lidhje me transportimin e lëndës narkotike. Sipas prokurorisë, deri tani është dokumentuar vetëm episodi i lëndës së sekuestruar në Karaburun, ndërsa dyshohet se të pandehurit kanë pasur një linjë trafiku drejt shtetit fqinj. Arianit Bida, 32 vjeç, Blerim Beqiraj 34 vjeç dhe Avni Dhrami 42 vjeç u arrestuan dy ditë më parë nga një operacion i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda. Ky operacion u shtri në Fier dhe Vlorë, qytete ku banonin të dyshuarit si organizatorë të trafikut të lëndës narkotike. Sipas policisë, të arrestuarit e këtij operacioni dyshohet se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë organizuar nisjen e një mjeti lundrues tip gomone, me një sasi prej 150 kg kanabis, në drejtim të Italisë, nga bregu i gadishullit të Karaburunit. Mjeti në fjalë u pikas nga policia rreth orës 01:40 të së shtunës së kaluar, në afërsi të Gjipeut teksa ishte hedhur në ujë dhe ishte bërë gati për lundrim. Burime të policisë sqaruan se mjeti ishte një gomone me ngjyrë të kuqe, 5.5 metra e gjatë dhe me një motor me 30 kuaj fuqi dhe më një tjetër rezervë me 10 kuaj fuqi. Pas një kontrolli të ushtruar, forcat policore gjetën brenda saj një sasi prej rreth 115 kg lëndë narkotike të tipit kanabis sativa, të paketuar në tre çanta sportive. Policia ka bërë sekuestrimin e drogës dhe të mjetit lundrues, ndërkohë që nuk u bë i mundur arrestimi i drejtuesve të saj. Sapo kanë parë mbërritjen e policisë, të ndihmuar edhe nga errësira, ata janë larguar drejt pyllit në Karaburun dhe i kanë shpëtuar kapjes.                       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›