Hodhën në det 35 klandestinë, në gjyq 11 anëtarë të bandës
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet ndaj grupit kriminal që akuzohet se hodhi në det 44 klandestinë, që po tentonin nisjen me gomone për në Itali një vit më parë. Dosja penale me akuzat ndaj 11 të pandehurve është dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pritet të fillojë shqyrtimi i saj. Sipas akuzës, të dyshuarit kanë kryer trafik klandestinësh nga Shqipëria drejt Italisë në rrugë tokësore, duke bashkëpunuar me persona që vepronin në disa vende ballkanike në veri të Shqipërisë. Episodi më i rëndë i trafikimit për të cilin akuzohet grupi prej 11 personash, është ai i 10 janarit 2008, kur drejtuesit e gomoneve që po niseshin për në Itali, kuptuan se ishin zbuluar nga policia dhe për të shpëtuar hodhën në det të hapur 44 klandestinë, nga të cilët 35 u shpëtuan falë ndërhyrjes së mjeteve të policisë shqiptare. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen me 11 persona të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar klandestinë nga Shqipëria në Itali, në rrugë detare dhe tokësore. Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga të dyshuarit Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj, të cilët fillimisht trafikonin klandestinë drejt Italisë në rrugë tokësore nga Mali i Zi dhe Sllovenia për në qytetin italian të Udines. Por pas zbulimit dhe goditjes së kësaj linje nga policia italiane, grupi kriminal akuzohet nga prokuroria se ka ndryshuar linjën e trafikut, duke u përqendruar në rrugët detare. Krerët e grupit kanë bashkëpunuar me 9 persona të cilët gjetën 44 klandestinë, i grumbulluan ata te "Zogu i Zi" në Tiranë e më pas me makinat e tyre i transportuan drejt plazhit të Patokut, ku ishte organizuar të bëhej nisja e skafeve, mbrëmjen e vonë të 10 janarit 2008. Hetimet zbuluan se çdo person që donte të shkonte në Itali me gomonet e siguruara nga grupi kriminal ka paguar 3900 euro.
Trafiku i klandestinëve
Në muajin gusht 2007, gjykata ka vendosur në përgjim numrat telefonikë që mbanin dy të akuzuarit si kapo të grupit kriminal, Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj. Sipas përgjimeve telefonike që u janë bërë atyre, prokuroria thotë se dy të dyshuarit organizonin kalimin e klandestinëve shqiptarë për në Itali kundrejt përfitimit financiar. Për një periudhë 4-mujore, policia zbardhi episode të organizimit dhe lëvizje së klandestinëve nga të dyshuarit. Klandestinët kalonin në linjën Shqipëri-Mali i Zi-Kroaci-Slloveni-Itali në qytetin e Udines. Krerët e grupit janë përgjuar disa herë të komunikonin me persona që qëndronin në Slloveni dhe ndihmonin përcjelljen e klandestinëve të nisur nga Shqipëria. Një prej këtyre personave ka qenë Azem Munishi, person në hetim nga policia sllovene. Sipas përgjimeve të bëra, u zbulua se Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj kishin fluks të madh kërkesash për kalim klandestinësh drejt Italisë. Teksa ndodheshin në vëzhgim nga autoritetet e policisë, ata kanë nisur tri grupe me klandestinë drejt Italisë. Për kalimin e tyre në kufi përdoreshin forma nga më të ndryshmet. Misioni italian Interforce ka rënë në gjurmët e kësaj linje trafiku, madje pala italiane ka arrestuar klandestinët e mbërritur atje. Më 8 tetor 2007, policia italiane ka lajmëruar palën shqiptare se Gëzim Tafaj rezultonte në përgjimet që ishin bërë për llogari të aksionit "Ponte" që ndaloi disa klandestinë në qytetin Gorica, Itali.
Trafiku nga deti
Pas zbulimit të linjës së trafikut nga toka, sipas prokurorisë, grupi kriminal është organizuar të vazhdonte trafikimin e shqiptarëve nga deti. Pasi kanë siguruar gomonet, në bashkëpunim me 9 persona të tjerë, Gëzim Tafaj dhe Ardian Corri kanë arritur të grumbullojnë 44 klandestinë. Ata mblidheshin te "Zogu i Zi" në Tiranë e më pas me makina transportoheshin në plazhin e Patokut, ku ishte vendosur të niseshin gomonet rreth orës 20:00 të 10 janarit 2008. Ky udhëtim nuk u realizua pasi gomonet u zbuluan në det dhe u detyruan të kthehen duke hedhur në det, në afërsi të grykëderdhjes së lumit Mat, 35 klandestinë. Këta të fundit u nxorën nga operacioni i shpëtimit i policisë shqiptare dhe më pas u morën në pyetje lidhur me mënyrën dhe autorët e tentativës së trafikimit. Policia ekzekutoi më pas arrestet për personat që ishin implikuar në këtë veprimtari. Ata ranë në pranga në kuadër të operacionit "Klandestini".
Të akuzuarit
1. Ardian Corri
2. Gëzim Tafaj
Të akuzuar për dhënie ndihme në kalim
të paligjshëm të kufirit në formën e grupit
të strukturuar kriminal
3. Rexhep Cuku
4. Aleksandër Malaj
5. Dilaver Hajdini
6. Lek Frroku
7. Ardian Marku
8. Altin Gjeloshaj
9. Ndrek Preçi
10. Paulin Markaj
11. Pjetër Tusha
Të akuzuar për dhënie ndihme në kalim
të paligjshëm të kufirit