E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Me Berishën e djathta humb zgjedhjet

 

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kërkoi dje largimin e Kryeministrit Berisha jo pse nxori PDK-në nga qeveria, por për të garantuar fitoren e të djathtës. Duke folur në konferencën e degës së Mallakastrës, kreu i demokristianëve tha se, “kërkesa jonë për dorëheqjen e Berishës nuk ka të bëjë me lënien e PDK-së jashtë qeverisjes dhe as më përndjekjen që segmente të shtetit po u bëjnë anëtarëve të PDK-së, por është bërë për të mirën e së djathtës, për garantimin e fitores së saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Ndoka tha se Partia Demokristiane vendosi të kërkojë publikisht dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha, pasi kjo forcë politike e konsideron Berishën përgjegjësin kryesor për gjendjen e krijuar dhe një pengesë serioze për vazhdimin e qeverisjes demokratike dhe rrjedhimisht edhe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit të djathtë. “Më 3 korrik 2005, qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë na mbështetën për rikthimin e shpresës, për qeverisje me moral të pastër, për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas tre vitesh qeverisjeje, këto motive politike e qytetare janë vënë në dyshim, për shkak dhe përgjegjësi direkte të politikave dhe qëndrimeve të ndjekura nga kryeministri dhe klane brenda PD-së”, vijoi më tej Ndoka. Kryetari i PDK-së, në vijim të fjalës së tij tha se, nëse maxhoranca do të ecë në këto ritme, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të fundoste veten, sepse, sipas tij, pikërisht këtë moment po e shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshmen kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nisur nga situata politike në vend, e ka të sigurt një rotacion politik në zgjedhjet e 2009-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›