E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, 5 ditë afat të kandidojë

 

ADI SHKEMBI

Pasi i ka bërë thirrje rivalit të tij politik të vërë emrin në listën e kandidatëve për deputetë, Kryeministri Berisha i ka dhënë edhe pesë ditë afat kreut të PS-së, Rama, të futet në garë. Nga qyteti i Beratit, ku hapi fushatën elektorale, kreu i qeverisë i bëri thirrje Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të marrë drejtimin e forcës më të madhe të opozitës, duke u shprehur i gatshëm të mbledhë parlamentin për të ndryshuar ligjin. “Ata që kapitullojnë nuk kanë të ardhme në politikë, ndaj dhe i them zotit Rama se po të jap shansin e fundit, ke edhe 5 ditë afat, mblidh forcën dhe kurajën dhe dil në krye socialistëve, sepse aty të duan ata, në qoftë se ndihesh kryetar i tyre. Do të mbledh Parlamentin, do të ndryshoj ligjin, do të jap të drejtë të regjistrohesh qoftë edhe si kryetar bashkie. Dil, mos turpëro vendin. Dil, mos turpëro partinë tënde”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit iu bëri thirrje qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike, që të shkojnë për t’i tërhequr ato, për t’u mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas Berishës, me pajisjen e shtetasve me këto dokumente ata janë njësoj si qytetarët e vendeve të tjera të BE-së. “Unë sot kam një thirrje vëllazërore për çdo qytetar dhe qytetare të këtij qyteti, pavarësisht nga bindjet politike, të shkoni e të merrni letërnjoftimet e reja, pasi ato janë dëshmitë më moderne të identitetit tuaj. Ju me ato barazoheni me çdo qytetar të kontinentit që ka sot dëshminë e identitetit më të avancuar. I merrni ato të shkoni në votime, sepse ne do t’i bëjmë këto votime festën më të madhe të demokracisë shqiptare, do të kthejmë lavdinë elektorale të vitit ’92”, vijoi më tej kreu i demokratëve. Duke u ndalur në programin e PD-së për katër vitet e ardhshme, Kryeministri Berisha tha se në vitin e parë të mandatit të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza në të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian. Sipas tij, në katër vite do të hapen rreth 160 mijë vende pune, duke bërë të ditura në të njëjtën kohë edhe fushat në të cilat do të punësohen qytetarët. “Më datën 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve të veprës energjetike më të madhe ujore në Evropë, kaskadën e Devollit dhe përgatitemi për kaskadën e Osumit, të Vjosës dhe qindra hidrocentraleve në vend. Por ky është vetëm njëri front i punësimit. Parqet industriale dhe nxitja e biznesit është dhe do të mbetet drejtimi ynë themelor”, theksoi Berisha. Ai premtoi në të njëjtën kohë se në mandatin e dytë, përparësi do të jetë ndërtimi i boshtit të jugut. “Në shekuj e mijëvjeçarë ju keni qenë kryeqendër e kësaj zone dhe në vitet që vijnë ju do të jeni një metropol i fuqishëm që lidhet me rrugë ultramoderne, me Tiranën, Sarandën dhe mbarë botën. Boshti i jugut është kryeprojekti i katër viteve që vijnë. Unë jam këtu për t’u zotuar se në këtë rreth vend do të asfaltojmë çdo rrugë për ju, kudo që ndodheni, nga Tomori në Shpirag dhe në të gjitha zonat e tjera”, deklaroi kreu i PD-së. Berisha premtoi në të njëjtën kohë që brenda mandatit të dytë i gjithë vendi do të furnizohet me 24 orë ujë, si dhe do të ruhet furnizimi me 24 orë energji elektrike si gjatë dy viteve të fundit. “E kemi të pasur këtë vend të bekuar, ndaj dhe unë, në katër vitet që vijnë, do të vazhdoj rritjen e papërmbajtur të pagave dhe pensioneve, derisa ne, së bashku, të dalim para 6 vendeve anëtare të BE-së. Ne kemi vuajtur mjaft dhe nuk kemi përse të vuajmë më tepër”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›