E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Si ndahen fondet e partive

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton shpërndarjen e fondit prej 65 milionë lekësh, për 11 parti parlamentare pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi për shpërndarjen e fondit pritet të merret sot në mbledhjen e paradites së KQZ-së. Nga 65 milionë lekë të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit, afro gjysmën e tyre e marrin tre partitë politike, Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Republikane. Ndër më të favorizuarat është edhe Partia Socialdemokrate, e cila do të përfitojë në total shumën prej 6.821.852 lekësh të reja. Republikanët dhe socialdemokratët përfitojnë më shumë fonde në sajë të skemës së përdorur në zgjedhjet e korrikut 2005, të cilësuar si Dushku i madh. Në këto votime nuk konkurron Partia Demokrate e Re, e cila është shkrirë me PD-në. Kjo ka sjellë që një pjesë e fondit të shkojë për 11 partitë e tjera politike. Ndërsa Partia e Bashkimit Liberal Demokrat në me pak se një mandat përfiton vetëm nga gjysma e fondit prej 65 milionë lekësh.
Skema e shpërndarjes
Në bazë të Kodit Zgjedhor, neni 87 përcakton dy mënyra të ndarjes së fondit për partitë parlamentare që marrin pjesë në këto zgjedhje, ku totali prej 65 milionë lekësh të ndahet në dysh për secilën skemë. Në këto zgjedhje, ndryshe nga herët e tjera, nga buxheti i shtetit nuk do të përfitojnë partitë që janë parlamentare. Pika 2/a e nenit 87 thotë se “50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse”. Mbi bazën e kësaj, PS, PD, PR dhe PSD marrin më shumë lekë, për shkak të numrit të mandateve. Ndërsa në skemën e dytë, germa b e nenit 87, pika 2 përcakton se “50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse”. PR dhe PSD marrin shuma më të majme, pasi kanë dalë të fituara nga aplikimi i skemës së Dushkut. Republikanët kanë 20% të 2005, ndërsa socialdemokratët 11%. Ndërsa demokratët rezultuan me 7.6% dhe socialistët 8.89%. PR është subjekti që merr më shumë fonde nga të gjithë të tjerët nga aplikimi i kësaj skeme, duke përfituar 8.046.992 lekë. Në vend të dytë renditet PSD me 5.136.667 lekë, dy partitë e mëdha, PD dhe PS, përkatësisht me 3.582.093 lekë dhe 3.091.861 lekë. LSI nga përqindjet përfiton 3.386.956 lekë. KQZ-ja ka bërë llogaritë e fondeve mbi bazën e rezultateve zyrtare të partive politike të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

Fondet e partive në total

PD            16.573.342 lekë

PS            13.693.204 lekë

PR            10.659.140 lekë

PSD           6.821.852 lekë

LSI           4.590.660 lekë

PAA           3.607.519 lekë

PAD         2.642.701 lekë

PDS           2.192.632 lekë

PBDNJ     2.145.573 lekë

PDK           1.796.634 lekë

PBLD            240.743 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›