E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mos votoni Berishën e Metën

 

Korçë/Jorgjeta Gjançi

Kryetari socialist në një miting të gjerë në qytetin e Korçës i kërkoi qytetarëve të mos votojnë Sali Berishën dhe Ilir Metën në 28 qershor. Kreu socialist nuk ka ngurruar të akuzojë dhe ish-kryeministrat socialistë, të cilët sipas tij po mbajnë gjallë politikën e vjetër në Shqipëri. “Unë nuk do të jem kryeministër si Sali Berisha e si të tjerët ish-kryeministra, që sot iu kërkojnë përsëri votën, edhe pse janë provuar e stërprovuar dhe nuk dinë, nuk munden dhe nuk duan të bëjnë asgjë tjetër me votën tuaj, përveçse t’ju humbasin edhe katër vjet të tjera si këto 18 vjet. Vota për këtë kryeministër, simbol të politikës së vjetër, dhe për ish-kryeministra të politikës së vjetër, ju duhet të mbajnë gjallë për oborret e tyre personale, familjare, kanunore, është një votë për një tjetër qeveri të krijuar në të njëjtën mënyrë, për të njëjtat interesa, për të njëjtat oborre dhe për të bërë edhe katër vjet të tjera të njëjtat pazare si në vitet që ikën. Këtë lojë e paguani vetëm ju dhe që e luajnë vetëm ata. Kjo lojë do të mbarojë më 28 qershor”, u shpreh Rama para qytetarëve korçarë. Gjatë këtij mitingu, Rama prezantoi dhe listën e kandidatëve për deputetë të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. “Korçës do t’i japim forcë për t’u bërë Parisi i vogël shqiptar, i rrethuar nga fusha ku prodhimi nuk do të mbetet më pa u shitur, siç ndodhi me grurin këtë vit. Janë sipërmarrje prodhuese që do të garantojnë punësim duke u çliruar nga çmimet dhe pagat e referencës, dhe presioni policor i një shteti që s’ka qenë asnjëherë i qytetarëve”, tha Rama. Duke premtuar se për Korçën do të ndiqet një politikë zhvillimi për turizmin, mbasi ka një natyrë e klimë të përshtatshme, Rama nënvizoi se ëndrrat dhe shpresat e popullit shqiptar janë shumë të mëdha, “janë aq të mëdha sa nuk mund të mbyllen majtas dhe djathtas”. Gjatë fjalës së tij, Rama i është përgjigjur sërish pretendimit të kryeministrit Berisha, që ai të jetë në krye të listës së PS-së për deputet. “Karrigia e deputetit pas 28 qershorit i duhet Sali Berishës që të ulet kur të jetë në opozitë. Mua më duhet një mandat për të qenë në krye të punëve. Në çdo qytet e fshat ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit për të realizuar programin që shkruam së bashku me dialogun për Shqipërinë dhe për të ndërtuar Shqipërinë së bashku si e gjithë Europa”, tha Rama. Si një qytet që ka një numër të madh qytetarësh në emigracion, Rama u premtoi korçarëve se bashkë me emigrantët shqiptarët do të integrohen në BE. “Liria na bashkoi 18 vjet më parë, u shpreh Rama, por politika e vjetër ka 18 vjet që vazhdon t’i mbajë shqiptarët të ndarë nga bota, nga Europa, nga vendi. Ne meritojmë që të jetojmë bashkë jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht, ekonomikisht, fizikisht, shpirtërisht. Sot është dita për t’u bashkuar edhe një herë me mërgimtarët dhe emigrantët e emigrantet që vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e Shqipërisë pa mundur të marrin frymë lirisht në Atdheun e tyre”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›