Meta: Vota për LSI do nxjerrë vendin nga kriza ekonomike e sociale
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim të gjerë me qindra qytetarë në njësinë nr. 1 në Tiranë. Gjatë këtij takimi, Meta prezantoi kandidatin për deputet në këtë njësi, kryetarin e LSI-së për Tiranën, Ilir Dashi dhe u shpreh i sigurt për fitoren e tij. Duke marrë fjalën në këtë takim, Meta u shpreh se “LSI jo vetëm është sot alternativa që ju ofron shqiptarëve të thjeshtë programin më realist dhe më konkret që i nxjerr nga kriza dhe nga varfëria, por është alternativa që e fut Shqipërinë në një rrugë të padiskutueshme të zhvillimit dhe integrimit”. “LSI ndryshe nga partitë e vjetra, vjen këtu dhe përveç programit të saj, ju paraqet edhe deputetin e ardhshëm të kësaj zone, që do të mbulojë njësinë nr. 1 dhe do të ngrejë me energji dhe vendosmëri problemet tuaja në Kuvendin e ri dhe në qeverisjen e re dhe që do të jetë 4 vjet me ju së bashku në këtë zonë si deputet për t’i zgjidhur këto probleme, kryetarin e LSI-së së Tiranës, Ilir Dashi”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, në 28 qershor shqiptarët do duhet të votojnë për LSI-në, sepse e kuptojnë që vetëm kjo forcë politike mund t’i nxjerrë nga kriza ekonomike dhe sociale e mbi të gjitha nga kriza e besimit që ofrojnë alternativat e vjetra, me në krye alternativën më të vjetër që përfaqëson vetëm kryeministri në largim Sali Berisha. “Shqiptarët do të votojnë për LSI-në se kërkesa më e madhe e shqiptarëve sot është për të punuar dhe programin më të mirë për punësimin e ka LSI. Vendi ka nevojë për një lidership të provuar, sepse po kalon një situatë krize ekonomike, e cila mund të thellohet edhe më tej dhe unë jam i bindur se Tirana do të votojë për LSI-në dhe Ilir Metën, sepse nuk mund t’i zgjidhin hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve të thjeshtë politikanë që janë mësuar vetëm të fitojnë nga politika, duke e mbajtur një dorë në bakllava dhe një dorë në revani”, tha Meta.