E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PAA në Kolegj, PS kërkesë KQZ për bllokim të fletës së votimit

 

Partia Socialiste depoziton kërkesën pranë Komisionit Qendror të zgjedhjeve, duke i kërkuar mos prodhimin e fletës së votimit për shkak të ankimit që ky subjekt ka bërë në kolegj ndaj listës shumëemërore të Partisë Agrare. Letra e firmosur nga sekretari Fatmir Xhafaj në emër të PS-së, kërkon pezullimin e përkohshëm të fletës së votimit për zgjedhjet nga firma sllovene Cetis, deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes nga Kolegji Zgjedhor. “Kërkojmë këtë pezullim të përkohshëm të prodhimit të fletës së votimit, pasi një vendim i mundshëm i Kolegjit për anulimin e vendimit të marrë nga KQZ, do të passjellë përjashtimin e PAA-së nga fleta e votimit, ndërsa mos pezullimi i prodhimit të fletëve gjatë kësaj kohe sjell si pasojë përfshirjen e këtij subjekti politik, listat e të cilit janë përjashtuar nga procesi zgjedhor”, thuhet në letrën e Xhafajt. Në këtë letër theksohet se ky pezullim i përkohshëm bën të mundur që të shmangen humbjet e kohës së nevojshme për një prodhim të ri të fletëve të votimit, duke shpëtuar edhe kostot financiare në buxhetin e shtetit, nëse  Kolegji rrëzon fletën e parë. Këtë kërkesë e bëri prezent në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, i cili theksoi se “KQZ të pranojë kërkesën e socialistëve të parandalojë prodhimin e fletës së votimit deri në marrjen e vendimit të Kolegjit”. Kjo gjë u kontestua nga ana e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili theksoi se “PS-ja nuk ka të drejtë që ta kërkojë një gjë të tillë, për sa kohë nuk e ka kërkuar vetë kolegji zgjedhor”. Në mbledhjen e djeshme përfaqësuesit e PS-së dhe të PD-së debatuan në lidhje me listën e vëzhguesve të paraqitur nga një grup shoqatash, ku renditej edhe Lëvizja “Mjaft”. Kosovrasti i PD-së, Njazi Kosovrasti u shpreh kundër “akreditimit të kësaj shoqate, pasi drejtues i saj, i Bordit, rezulton të jetë Erjon Veliaj, i cili është edhe përfaqësues i partive politike dhe kandidat për deputet”. “Nuk mund të regjistrohet ky koalicion, pasi është një grup shoqatash që nuk kanë një aktmarrëveshje të dalin dhe si koalicion vëzhguesish”, theksoi Kosovrasti. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj, theksoi se “Veliaj nuk është drejtues i MJAFT dhe se këto shoqata në koalicione janë prej kohësh që monitorojnë zgjedhjet, ky debat është i njëjti, si të regjistrohet PD dhe PS pa sigël. Vetëm Hugo Çavez thotë se s’ka nevojë për vëzhgues në zgjedhje”. Kryetari i KQZ, Ristani u shpreh se “këto koalicione nuk kanë të rregullt dokumentacion dhe kërkoi të plotësohej dokumentacioni”. Shtatë organizata jo qeveritare, në formën e një koalicioni monitorues, drejtuar nga Greta Meta kishin depozituar në KQZ kërkesën për vëzhgimin e zgjedhjeve me 2500 vëzhgues afatshkurtër dhe 174 afatgjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›