E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Rama, Topi i mbledh në vigjilje të Shën Valentinit

Presidenti cakton tryezën më 13 shkurt. Drafti paraprak dhe negociatat që arritën takimin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bindur Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, që të takohen në vigjilje të festës së të dashuruarve në selinë e kreut të shtetit. Pas një serie negociatash maratonë, Topi ka anonçuar dje zyrtarisht nisjen e tryezës politike, për të cilën janë marrë edhe konfirmimet e protagonistëve. Në deklaratën e Presidencës theksohet se “Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në selinë e Presidentit, në vijim të takimeve me kreun e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, John Withers, si edhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”. Por, gjithçka është zhvilluar nën një proces diplomatikisht të monitoruar dhe të përgatitur në detaje vetëm nga katër njerëz. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, nismëtari dhe motori i procesit që pritet t’i japë fund krizës në Shqipëri, ka marrë përsipër negocimin, edhe pse duket një sfidë gati e pamundur.
Kreu i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, diplomati gjerman ka “markuar” ngushtësisht Kryeministrin Sali Berisha, duke e bindur më në fund të ulet në një tryezë me Ramën, të cilën kreu i qeverisë e kishte kundërshtuar deri në fund. Me artin e tij të negocimit, ambasadori Lohan i ka bërë të ditur qartë Berishës se “rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk është një shaka. Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobjo, që ka përfaqësuar Presidencën e Bashkimit Europian, ka qenë padyshim një nga udhëheqësit e këtij procesi negociues, duke përdorur edhe mesazhin politik, por edhe negocimin diplomatik si mënyrë për të arritur sukses. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, ka marrë përsipër në këto negociata që të ketë në patronazh bindjen e liderit të opozitës, Edi Rama, mision shumë i vështirë, duke parë kërkesat e forta që nuk arrinin të gjenin pikë lidhjeje te mazhoranca. Por në fund tryeza u thirr zyrtarisht dhe tani katër negociatorët e krizës shqiptare po merren pikërisht me përmbajtjen e saj. Siç mësohet nga burime diplomatike, gjatë tryezës mes Ramës dhe Berishës do të diskutohet një draft me katër pika, i cili në vija të trasha u kërkon dy protagonistëve që parimisht të bien dakord për “hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, kthimin e deputetëve të PS-së në Parlament, vazhdimin e reformës në drejtësi dhe zbatimin e kushteve të BE-së”. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë ditës së djeshme është takuar me ambasadorët Montobjo, Lohan dhe Withers. Gjysmë ore pas mesditës, në selinë e Presidencës kanë trokitur dy diplomatët e Bashkimit Europian, pikërisht ambasadori spanjoll, Montobjo dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan.
Një orë më pas, në Presidencë ka mbërritur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, John Withers. Në njoftimin për shtyp theksohet se “këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›