E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët më të mirë, mundësi punësimi në kompanitë private

Marrëveshja
Universiteti i Tiranës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

Studentët më të mirë të Universitetit të Tiranës do të kenë mundësi që pas përfundimit të shkollës të ofrohen për të punuar në kompanitë private të anëtarësuara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në kryeqytet.
Universiteti i Tiranës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi në mjediset e rektoratit të UT-së. Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UT-së, prof. dr. Dhori Kule dhe kryetari i DHTI-së, Nikolin Jaka. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim mes dy institucioneve në ndihmesën e biznesit shqiptar, që gjendet i grupuar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si edhe të studentëve e pedagogëve të UT-së. "Universiteti i Tiranës, me të gjitha kapacitetet e tij, qoftë në studentë, pedagogë, apo kërkim shkencorë, do të bashkëpunojë me Dhomën e Tregtisë në ofrimin e studentëve më të mirë, tashmë jo vetëm për stazh. Ky memorandum u shërben në radhë të parë studentëve dhe pedagogëve të universitetit, sikurse edhe bizneseve që janë të grupuara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë", theksoi rektori Kule.Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, u zotua se bizneset që janë pjesë e DHTI-së, jo vetëm do të ndihmojnë, por do të orientojnë e do të ofrojnë bursa për studentët e talentuar deri në përfundim të studimeve të tyre, duke iu siguruar edhe një vend pune pas diplomimit.
Memorandumi i bashkëpunimit është i pari që nënshkruhet mes dy institucioneve dhe ka si bazë shkëmbimin e informacionit, ndihmesën e biznesit, rritjen e kërkimit shkencor dhe evidentimin e studentëve më të talentuar, me qëllim shërbimin e dyanshëm për të dyja institucionet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›