E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama, dialog, pse jo?!

Martin Leka Situata politike që pas zgjedhjeve të Qershorit të kaluar ka kaluar përmes një kalvari të gjatë bojkoti nga opozita, një qeverisjeje të pacënuar nga numrat, një parlamenti formal (në mungesë të opozitës) dhe një ngërçi për shkak të qëndrimeve të palëkundura të palëve.Pas rreth gjashtë muaj që nga zgjedhjet, ky ngërç politik dhe demokratik duket të ketë dalë më në pah, për vetë reformat që duhen ndërmarrë. Kur flasim për reforma, kemi parasysh ato reforma që kërkojnë domosdoshmërisht praninë e opozitës në Parlament dhe jo vetëm: reformat kanë nevojë edhe për oponencë, edhe për votim, pra numra, të përkthyer në vota. Më e domosdoshme bëhet kjo gjithnjë e më tepër, po të kemi parasysh se gjithnjë e më shumë i afrohemi kohës së përfolur për liberalizimin e lëvizjes së lirë, një lajm që do të gëzonte çdo shqiptar dhe që do të na rendiste një hap më afër Evropës. Përveç kësaj që sapo thamë, një varg “detyrash” shtëpie janë ende në “çantën” e Shqipërisë, ku padyshim, detyrat më të shumta i ka mazhoranca dhe qeveria, por jo pak prej këtyre detyrave i ka dhe opozita. është i njohur dhe tashmë është një postulat demokracie fakti se sa më e fortë të jetë një opozitë, sa më e përgjegjshme dhe e angazhuar, aq më e plotë dhe efektive do të jetë qeverisja për qytetarët dhe aq më e shëndoshë do të jetë vetë demokracia.Përkundër këtij morali dhe perceptimi për demokracinë, gjer më tani,  kemi patur një “status quo” politike. Me kalimin e kohës, gjithnjë e më e domosdoshme bëhet edhe mundësia e gjetjes së zgjidhjeve, në interes të qytetarëve dhe demokracisë në radhë të parë, mandej edhe në interes të subjekteve politike. Sepse, sa më shumë të zgjasë kriza politike, aq më shumë krijohen efekte zinxhir në fusha të tjera, sidomos ekonomike. Ditët e fundit është përfolur dhe është shtruar si alternativë emergjente për gjetjen e zgjidhjes një takim partiak i nivelit të lartë, gjë që nënkupton takimin Berisha-Rama. Tonet e shtuara të ndërkombëtarëve për një zgjidhje konsensuale, përmendja e moderatorëve që do të mund të ulnin në një tryezë Ramën dhe Berishën, po tingëllon edhe si një sinjal “alarmi” apo kujtese, se ky takim pritet të zhvillohet shpejt. Në parim, edhe Berisha, edhe Rama, nuk e kanë mohuar një takim, pavarësisht se të dy kanë lënë të nënkuptohet se nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre (njëri për mos hapjen e kutive në zbatim të pavarësisë së gjyqësorit, dhe tjetri për hapjen e kutive në zbatim të së drejtës për transparencë dhe një neni të Kodit Zgjedhor). Për një takim të tilla, Rama duket se preferon Presidentin e Republikës, por edhe Berisha nuk e ka kontestuar si një mundësi, pavarësisht deduksioneve që mund të merren me subjektivitet nga cilido.Pra, duket se ky takim i rëndësishëm pret vetëm “modalitetet” për t’i dhënë rëndësinë e duhur. Por, përtej këtyre modaliteteve, duhet parë shumë më tepër se disa “formalitete” protokollare. Kjo ka të bëjë me përgatitjen dhe seriozitetin e një takimi, jo thjeshtë për ta patur si ‘fasadë” para shqiptarëve apo ndërkombëtarëve, por si një shpresë për zgjidhjen e problemeve dhe krizës. Fjalën e kemi për problemet që mund të diskutojnë Berisha dhe Rama dhe që kanë lidhje pikërisht me ngërçin që ka mbërthyer situatën politike në vend dhe që ka lidhje me “cungimin’ e Parlamentit për shkak të bojkotit të opozitës. Të gjithë duhet të jenë të qartë dhe të ndërgjegjshëm se nuk është zgjidhje futja e disa deputetëve të opozitës në Parlament, pasi demokracia nuk është çështje numrash. Demokracia është edhe çështje kauze. Për këto e shumë arsye të tjera, Berisha dhe Rama duhet të takohen sa më shpejt. Jo për t’i parë së bashku, jo për t’u fotografuar së bashku, por për të gjetur një zgjidhje, së bashku. Për ta konsideruar jo si “hipotekë” personale, por si shërbim për qytetarët e këtij vendi. Ndoshta me më pak bujë dhe më shumë përgjegjësi e përkushtim, palët në tryezë duhet të mendojnë jo për interesa të karrierës, por për interesa qytetare. Thjesht, palët, ose Berisha dhe Rama, duhet të gjejnë një kompromis të mundshëm, duke mos qëndruar skeptikë në “llogoret” e tyre.Fundja, a nuk është politika arti i kompromisit?!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›