E Shtunë, 31 Tetor 2026

T‘fala Sandrit

Eno Bozdo Ky qe refreni i përgjigjeve të njëpasnjëshme për pyetjet e gazetares së TV Klanit, bërë nga vetë z.Rama, ndërsa komunikonte një qëndrim politik shumë të rëndësishëm për të dhe partinë e tij. Nuk do të përbente ndonjë lajm të veçante kjo mënyrë e sjelljes (më saktë, kjo përgjigje fare pa vend), sikur në thelb të saj të qëndronte vetëm dëshira e z.Rama për të dhënë një batutë të veçantë. Në ketë rast do t‘i njihnim z.Rama faktin e të qenurit njeri i batutës, dhe ky diskutim do të mbyllej me kaq. Ndërkaq, jam gjithashtu i sigurt se një pjesë e ndjekësve të tij janë mrekulluar me ketë batutë që ai e përsërit shumë shpesh, pavarësisht se TV Klan vazhdon të mbajë kundrejt tij një qëndrim të balancuar.Deri në këtë pikë asgjë e jashtëzakonshme. Por po të analizosh më thellë këtë qëndrim, diçka shqetësuese të bie në sy: ndërsa dëgjoja z. Rama të përsëriste me gojën plot të njëjtën shprehje “t`fala Sandrit”, nuk mund të mos mendoja që z.Frangaj do të kishte plotësisht të drejtë ta censuronte të gjithë konferencën e shtypit të z.Rama, për shkak të këtij qëndrimi aspak etik dhe madje provokator. Po, provokator, sepse përsëritet tash e sa kohe. Megjithatë kronika nuk ishte aspak e censuruar, përkundrazi TV Klan pasqyroi në mënyrë profesionale të gjithë thelbin e konferencës së shtypit të z.Rama. Pronari i TV Klan e ka bere plotësisht të ditur, në mënyrë publike që ai ka dëshirë dhe do të mbështesë këtë maxhorance. Ky është pozicioni të cilin unë e kam dëgjuar të shprehet në mënyrë eksplicite nga vete z. Frangaj. Dhe kjo është e drejta e tij personale, siç është e drejta e çdo individi për të votuar forcën politike që dëshiron. Por, (dhe këtu qëndron merita e z. Frangaj), në asnjë rast nuk kam vëne re deri më sot në TV Klan, ndonjë sjellje censuruese ndaj opozitës dhe personalisht ndaj z.Rama. Jo vetëm në edicionin e lajmeve, ku edhe opozitari më i regjur nuk mund të thotë se ka shtrembërim të lajmit opozitar, por edhe në emisionet e përjavshme shumë të ndjekura, e në veçanti në «Opinion», ku hapësira kohore e mediatike për opozitën ka qenë dhe është e barabarte me atë për maxhorancen. Pra, nëse në këtë proces z.Rama e shikon z.Frangaj si oponent, nuk besoj se ai në jetën e tij do të ketë patur ndonjëherë një oponent kaq luajal.Nuk mund të mos hiqja një paralele midis kësaj mënyre të të sjellurit, dhe mënyrës se si z.Berisha trajton mediat, pavarësisht qëndrimeve të drejta, të padrejta apo të sajuara që ato prezantojnë.  Sjellja e z.Berisha nuk ka qenë asnjëherë ironike, përbuzëse apo tallëse. Përkundrazi, me shumë durim, ai i është përgjigjur me korrektësi çdo pyetjeje, pavarësisht se drejtoheshin nga ata të cilët të gjithë programacionin e tyre ia kishin kushtuar shpifjeve për familjaret e tij. Z. Berisha ka zgjedhur të sillet në ketë mënyrë. Por edhe sikur të sillej ndryshe, me arrogance apo përçmim, shumë do t‘i jepnin një të drejte njerëzore. Por ai përsëri nuk e ka bërë ketë gjë. Shembuj: së fundmi, i ftuar në një emision gjithashtu të ndjekur të TV News 24, në përfundim të emisionit takoi dhe bisedoi normalisht me të gjithë stafin e gazetareve, në mënyrë korrekte e njerëzore. E pra, nuk më ngjan që News 24 është veçanërisht mbështetëse ndaj kësaj maxhorance.Arsyeja? Mendoj se arsyeja kryesore është që z. Berisha ka zgjedhur të bëjë kryeministrin, dhe jo njeriun tekanjoz apo batutaxhi. Mendoj se i ka marrë të gjitha parasysh kur ka vendosur të drejtoje vendin, sepse të drejtosh Shqipërinë kërkon një përmasë apo shumë përmasa më tepër sesa njerëzit normalë. Sikur z. Rama të mos ishte ky që është sot, mënyra se si ai do të sillej me gjithkënd, do të ishte pjesë e zgjedhjes së jetës së tij private, por z. Rama nuk është njeri i çfarëdoshëm.  Ai kërkon të bëjë kryeministrin e vendit (kjo është e vetmja arsye pse përballë tij mora në analizë sjelljen e z. Berisha), dhe një kryeministri nuk mund t‘i falet kjo sjellje bordurash. Sepse kryeministri duhet të rrezatojë respekt ndaj oponentit, e në veçanti kur ai përfaqëson median. Kryeministri duhet gjithashtu të rrezatojë përgjegjshmëri, durim dhe vetëbesim. Kjo sjellje mungonte tërësisht në mënyrën se si z. Rama u soll dje. Per fat të keq, shoh një dualizëm midis dëshirës të ethshme te z. Rama për të qenë kryeministër, dhe stabilitetit të tij emocional të kërkuar. Z. Rama nuk del dot nga qerthulli i këtij dualizmi. Tallja sipas tij e TV Klan (dhe oponentëve të tjerë) me anë të këtyre batutave, nuk është veçse shprehje e një tensioni të brendshëm që ai reflekton. Në ketë rast, mënyra sesi ai e trajton median është pasqyrim i mënyrës se si ai i trajton oponentët e tij, apo individët që nuk mundet dot t‘i rreshtoje përkrah kauzës të tij. Zërat thonë se ai përçon të njëjtën frymë përçmuese dhe asnjanësimi nga kundërshtarët e tij në parti, e deri tek  punonjësit e Bashkisë apo te strukturave partiake që ai drejton. Kjo sjellje e tij gjithashtu mund të jetë çelësi i kuptimit të sjelljes së shumë deputetëve socialistë në lidhje me bojkotin : nën zë e kundërshtojnë me forcë, por publikisht detyrohen të dalin në konferenca shtypi të pakuptimta dhe gati qesharake. Kjo sjellje më bën të druhem mbi opsionin e z. Rama si kryeministër i vendit. Nuk është thjesht se nuk më pëlqejnë batutat e tij, por më alarmon mendësia e asnjanësimit apo zërimit të atij që është përballë, vetëm e vetëm se mendon ndryshe. Dhe të mendosh se z. Rama foli kaq gjatë për politiken e re, apo politiken përtej të majtës apo të djathtës. Ironi e liderit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›