E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Dialog brenda Kushtetutës

 ADI SHKEMBIDialogu mes maxhorancës dhe opozitës nuk mund të arrihet nëse kjo e fundit paraqet kërkesa që bien ndesh me Kushtetutën. Kështu u shpreh dje Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta gjatë një konference për shtyp, pasi mori pjesë në konferencën e Londrës, për Afganistanin. Ai theksoi se rekomandimet e rezolutës së Këshillit të Evropës ishin të njëjta me propozimet e maxhorancës, teksa shtoi se PS-ja po e lexon mbrapsht dokumentin e Strasburgut. “Qëndrimi i Kryeministrit ka qenë tepër korrekt dhe parimor, i cili ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion një dialog, por padyshim që është shumë e rëndësishme që dialogu duhet të ndodhë mbi bazën e respektimit të Kushtetutës së vendit dhe kuptohet se në kushte ku Edi Rama kërkon të vendosë një kërkesë antikushtetuese, ky lloj dialogu nuk mund të funksionojë dhe as nuk mund të ketë ndonjë rezultat. Pra, ai nuk ka asnjë paragjykim për institucionin e Presidentit, por ka një mosbesim në lidhje me seriozitetin e z. Rama në përpjekjen për të zgjidhur këtë krizë, e cila është kryesisht krizë e opozitës”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare. I pyetur se çfarë do të ndodhë pas 6 marsit, kur përfundon edhe afati për mandatet e opozitës, kreu i LSI-së tha se do të zbatohet Kushtetuta. “Për sa i takon çështjes së mandateve, absolutisht që do zbatohet Kushtetuta. Shqipëria do të ecë në rrugën e stabilitetit, të ndërtimit të shtetit ligjor, duke patur si princip bazë respektimin e Kushtetutës nga të gjithë dhe për të gjithë. Brenda kësaj hapësire, çdo lloj dialogu, çdo lloj zgjidhje politike që rrit mirëbesimin midis palëve, është tepër pozitive. Por Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke shkelur Kushtetutën”, theksoi më tej Meta. Marrëveshja me GreqinëKreu i Ministrisë së Jashtme garantoi sërish se qeveria do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi marrëveshjen me Greqinë, por në të njëjtën kohë akuzoi elementë ekstremistë, siç i quajti ai, që kërkojnë të ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Unë, si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nuk mund të mbyll sytë dhe nuk mund të hesht kur elementë ekstremistë, e theksoj, në politikën shqiptare, që për fat të mirë janë në pakicë, e të izoluar nga shoqëria jonë, përpiqen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe midis dy popujve vazhdimisht, me qëndrime të ndryshme, të cilat nuk i shërbejnë askujt përveç atyre grupeve që kërkojnë t’i kthejnë marrëdhëniet prapa në të kaluarën”, u shpreh Meta. Por i pyetur nëse do të ketë një pakt të ri detar me vendin fqinj, zv.kryeministri tha se “përcaktimi i kufijve detarë, si me Greqinë, ashtu edhe me Malin e Zi, është një prioritet, për qeverinë tonë, pasi së pari është një hap përpara në drejtim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke qenë se hyn te çështjet ende të pazgjidhura me vendet fqinje, por edhe sepse i jep mundësi vendit që të shfrytëzojë hapësirat ujore dhe nënujore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›