Kriza politike dhe qëndrimi ligjor
Qemal Lame* Në qendër të vëmendjes së politikanëve dhe të studiuesve të së Drejtës Kushtetuese është bërë si problem me rëndësi, heqja e mandatit të deputetit, si një masë e nevojshme kushtetuese që garanton veprimtarinë e Kuvendit dhe plotësimin e detyrës së deputetit në realizimin e funksionit të fituar me anë të votës së zgjedhësve. çështja shtrohet thjesht si një masë ligjore e detyrueshme.A është kjo një masë e thjeshtë ligjore dhe e detyrueshme për t'u zbatuar mekanikisht nga Kuvendi ose nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?Në radhë të parë, ky është problem politik dhe kërkon masa urgjente politike për ta zgjidhur. Bojkoti i opozitës tregon për një krizë politike që ka paralizuar veprimtarinë shtetërore. Kriza politike kërkohet të zgjidhet me masa politike dhe të mos ndërlikohet më tej me argumente të padrejta ligjore. Si e tillë, ajo kërkon angazhim serioz të politikës për ta zgjidhur, duke vlerësuar shkakun kryesor të krijimit të saj, që është në parregullsitë e ndodhura në zgjedhje dhe fshehjen e tyre në kutitë e votimit që nuk pranohet të hapen. Hapja e kutive të votimit për të vlerësuar ligjshmërinë e tyre mendoj se është një veprim i arsyeshëm dhe i ligjshëm, që vota të jetë e lirë dhe rezultati i saj të mund të kontrollohet pa u vënë pengesa artificiale. Pretendimi se hapja e tyre nuk mund të bëhet, pasi ka dhënë një vendim Gjykata Kushtetuese, nuk mund të jetë argumenti që të mënjanojë të drejtën e kontrollit për ligjshmërinë e votës së popullit dhe të ligjshmërisë së ndërtimit të institucioneve demokratike sipas rezultatit të zgjedhjeve.Vetë Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet dhe nuk mund të vendosë për një veprim administrativ në kompetencë të Kuvendit, për të thelluar shqyrtimin e rezultateve të votimit me anë të një komisioni hetimor. Për këtë arsye, edhe Këshilli i Evropës thekson që Komisioni Hetimor të krijohet menjëherë dhe t'u shkojë deri në fund problemeve, pasi nuk mund të ketë asnjë pengesë që ta kufizojë veprimtarinë e tij. As Kushtetuta dhe asnjë ligj i veçantë nuk ndalon hapjen e kutive të votimit. Fakti që maxhoranca refuzon kategorikisht hapjen e kutive dhe opozita kërkon ekskluzivisht hapjen e kutive, tregon për shkakun e krizës, i cili zgjidhet me vullnetin e mirë të kompromisit për hapjen pa frikë të tyre dhe marrjen e përgjegjësisë për ligjshmërinë e veprimeve të kryera. Demokracia nuk lejon të ndodhin konflikte pa vend dhe politika detyrohet të arsyetojë për të gjetur rrugën e efektshme të zgjidhjes, pa lejuar ndërlikimin e konflikteve.Përgjegjësinë për konflikte dhe kriza të shkaktuara e ka kryesisht maxhoranca në pushtet, e cila kërkohet të menaxhojë dhe të zgjidhë situatat që ndërlikohen, për të ruajtur veprimtarinë normale të shtetit dhe qetësinë e sigurinë në popull. Ajo duhet të reflektojë në kërkesat e opozitës dhe me anë të dialogut të gjejë zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. është gabim i madh që të ndërhyhet për të përçarë opozitën, për të gjetur përkrahës në persona të ndryshëm, qoftë edhe deputetë të veçantë, ose në grup, që të vijnë në Kuvend dhe të krijohet ideja e rreme e dhënies fund të bojkotit, pa mënjanuar shkakun e tij. Edhe vetë deputetët e mendimit ndryshe kërkojnë hapjen e kutive, me anë të pjesëmarrjes në Kuvend dhe të debatit në këtë institucion dhe jo të bojkotit që ndiqet nga partia, duke akuzuar për këtë bojkot kryetarin dhe presionin që pretendohet se ai ushtron ndaj deputetëve, që të mos marrin pjesë në Kuvend.Opozita pretendon se ajo ndjek këtë rrugë të bojkotit total në vazhdim, pasi maxhoranca nuk pranon të hapë kutitë, ku sipas saj ka shkelje që e deligjitimojnë maxhorancën dhe Qeverinë në fuqi. Grupi për mendim ndryshe vlerësohet si një diversion brenda socialistëve, i shërben maxhorancës për të përçarë opozitën dhe vazhduar të qëndrojë padrejtësisht në pushtet. Për këtë, Berishës i vihet në ndihmë nga Meta me koalicionin e bërë dhe nga përkrahësit e Nanos me mendimin ndryshe. Qëndrimi i fortë kundër çdo veprimi në kundërshtim me vendimet e partisë dhe ndëshkimi me përjashtim nga Partia Socialiste, ka ndikuar që grupi me mendim ndryshe të mos marrë kurajën të vejë në Kuvend, pa një vendim të forumeve të partisë. Kryetari socialist deklaron se ka ikur koha që një grup të imponojë shumicën, siç veprohej më parë tek socialistët. Asnjeri nuk do të tolerojë e të tërhiqet.Në radhë të dytë, ky është problem ligjor, por interpretimi i ligjit varet nga qëndrimi politik. Qëndrimi i drejtë dhe i ekuilibruar politik zgjidh situatën dhe nuk ka përse të ndërlikojë më shumë krizën me interpretimin ligjor të Kushtetutës dhe të ligjit për Zgjedhjet. Në rast se do të preferohet interpretimi ligjor, situata mund të dalë nga kontrolli. Maxhoranca nuk duhet të imponojë zgjidhje politike me anë të interpretimit ligjor, në plotësimin e njëanshëm të interesave të saj dhe të imponojë zgjidhje për opozitën në kundërshtim me kërkesat e saj. Prandaj edhe Këshilli i Evropës kërkon marrjen e masave të menjëhershme për krijimin e Komisionit Hetimor dhe kthimin e opozitës në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit dhe normalizimin e veprimtarisë së tij.Kushtetuta parashikon në nenin 7, tre raste të humbjes së mandatit të deputetit: kur heq vetë dorë, kur vdes ose kur nuk merr pjesë pa arsye në Kuvend, gjatë gjashtë muajve. Shkaku i bojkotit është një rast i jashtëzakonshëm i krijuar nga qëndrime politike dhe nuk është e arsyeshme të interpretohet në mënyrë mekanike si një mungesë pa arsye në Kuvend. Plotësimi i kërkesës për kapjen e kutive e sjell menjëherë opozitën në Kuvend dhe nuk ka përse të pritet deri në ditën e plotësimit të gjashtë muajve, që të bëhet një zëvendësim me anë të listës së deputetëve. Pra kompromisi i jep zgjidhje të drejtë krizës dhe mënjanon interpretimin e njëanshëm mekanik të formulimit kushtetues.Në interpretim të Kushtetutës, kur humbet mandatin deputeti dhe do të zëvendësohet, në nenin 129 të Ligjit për Zgjedhjet, vendos Komisioni i Zgjedhjeve me shumicë të thjeshtë për zëvendësimin e deputetit, në bazë të listës së deputetëve të partisë të miratuar para zgjedhjeve. Në kushtet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga shtatë anëtarë, nga të cilët, katër nga maxhoranca dhe tre nga opozita, me shumicë të thjeshtë të katër përfaqësuesve të maxhorancës do të bëhej zëvendësimi i deputetit të opozitës edhe pa pëlqimin e saj. Po të mendohej për një shumicë të cilësuar, atëherë do të duhej të paktën një anëtar i opozitës të ishte pro. Kështu mund të gjendej një argument i justifikimit për zëvendësimin e një deputeti të opozitës. Në kushtet që bojkoti është i plotë, nuk mund të bëhet një interpretim i thjeshtë mekanik, që me anë të shumicës të bëhet zëvendësimi me listë i gjithë deputetëve të opozitës.Pikërisht bojkoti i plotë e përjashton interpretimin normal të Kushtetutës dhe të Ligjit për Zgjedhjet dhe kërkohet detyrimisht zgjidhje me konsensus politik, pa dëmtuar interpretimin dhe autoritetin e Kushtetutës dhe të Ligjit për Zgjedhjet.Kriza politike kërkon mëndje të qetë për analizën e shkakut dhe marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e saj, pa lejuar pasoja të tjera të rrezikshme për demokracinë dhe fatet e popullit, sidomos ato të integrimit të shpejtë në BE, të heqjes së vizave dhe lejimin e qarkullimit të lirë në Evropë.Masat e nevojshme kërkojnë edhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në të ardhmen, siç kërkohet edhe nga Këshilli i Evropës. Në këto masa, mendoj se do të ishte me rëndësi korrigjimi i gabimeve të bëra me ndryshimet e fundit në Kushtetutë dhe vendosjen e rregullave të pranueshme nga palët për zgjedhjet, që t'u vlejnë njëlloj, si kur janë në pushtet, ashtu dhe kur janë në opozitë. Liderët politikë nuk duhet të mendojnë për rritjen e kompetencave të tyre shtetërore kur të vijnë në pushtet, por të jenë të ndërgjegjshëm për misionin që kanë për mbrojtjen e interesave të popullit dhe respektimin rigoroz të Kushtetutës.Presidenti dhe grupi i Këshillit të Evropës do të përballen me këto probleme, të cilat me siguri do të gjejnë zgjidhje dhe do të normalizohet gjendja. Kjo përvojë e hidhur duhet të vlejë që të mos përsëriten më qëndrime ekstreme dhe të mënjanohen krizat politike që dëmtojnë interesat e popullit dhe funksionimin e demokracisë. *Doktor i Shkencave Juridike