Regjistrim pa rubrika “konfliktuale”
Ylber LILI Regjistrimi i popullsisë mbi bazën e etnisë dhe përkatësisë fetare ka ngjallur ...debat të gjerë. Që në krye të herës duhet theksuar se procesi i regjistrimit sipas variantit zyrtar është më kompleks dhe i ndërlikuar sesa paraqitet. Një gjykim me logjikë të ftohtë na dëfton se procesi i regjistrimit na shpie në probleme-telashe, bash aty ku nuk ekziston problemi. Natyrisht, askush nuk e ka tagrin të mohojë nevojën e regjistrimit të popullsisë, por më parë duhen precizuar rubrikat. Bie fjala, propozimi për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të ishte më i pranueshëm. Kosova po ndjek një linjë të tillë. Fundja, deri më tani nuk ekziston asnjë rekomandim që duhet marrë si standard, apo kusht evropian për një regjistrim mbi baza etnike, apo fetare. Bëhet fjalë për një sugjerim të Këshillit të Evropës për vendet e Ballkanit Perëndimor, që është parashikuar në vitin 2011, ku përfshihet Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Malin e Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia. Rëndom, shtetet, apo institucionet e ndryshme e shfrytëzojnë këtë nismë për analiza që shfrytëzohen për studime sociologjike, ekonomike, etj. Kam drojën se ndonjë shtet fqinj përmes regjistrimit mbi baza fetare dhe etnike, synon të manipulojë me të dhënat, të cilat fundja janë fshehtësi shtetërore.Pra, problemi nuk qëndron gjithaq te sugjerimi për regjistrimin e popullsisë, por tek kleçkat që e shoqërojnë (regjistrim mbi bazën e etnisë dhe përkatësisë fetare). Në këtë kuptim, regjistrimi shndërrohet në një fenomen kompleks dhe të rrezikshëm. Shqipëria është në një proces zhvillimor, ku natyrisht paraqiten paqartësi për shkak të kulturës unike të saj. Siç dihet, tek ne, ka pasur, ka dhe do të ketë martesa të përziera. çdo rubrikë që parashikohet për analizë të përkatësisë fetare drejtpërdrejt do të krijojë situatë “konfliktuale” në familjet shqiptare meqë fëmijët e tyre do të kenë vështirë të mbajnë anën e njërit nga prindërit. Po ashtu duhet marrë parasysh edhe fakti se një përqindje e madhe e popullsisë jeton dhe punon jashtë. Ata tashmë trajtohen sipas koncepteve demografike si popullatë jo rezidente, por migruese. Rasti i vitit 2002 në Maqedoni është tregues sesi emigrantët shqiptare nuk u përfshinë në procesin e regjistrimit të popullsisë.Natyrisht nuk mund të mbyllim sytë as përballë veprimtarive tinëzare të propagandës greke, që në kohë dhe hapësirë përhap teza të rrejshme për kauza në zona ku ndonëse, tradicionalisht popullsia vendase është shprehur se e ndien veten shqiptare dhe që historikisht kanë qenë të tillë. Gjithsesi, propaganda greke për kauza të rrejshme plus sponsorizimi i ndihmave sociale, dhënia e pensioneve mund të ndikojë negativisht në procesin e regjistrimit. E thënë ndryshe, ende nuk kemi kapacitete të fuqishme ekonomike dhe sociale për t’i paraprirë fenomenit. Kjo është njëra anë e medaljes që përbën shqetësim. Nga ana tjetër, nuk duhet kurrsesi të anashkalojmë sponsorizimet e ndryshme nga vendet fqinjë si tendenca për të rritur artificialisht praninë e minoriteteve të tyre në Shqipëri. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi autoritetet maqedonase, kohë pas kohë kanë investuar për të fryrë numrin e një grushti maqedonasish, sikundër edhe bullgarëve do t’u hapet oreksi. Për sa kohë që ne nuk kemi përfunduar misionin tonë të liberalizimit të vizave, gjasat për manipulime janë të mëdha. Por, edhe në një kohë të dytë, pas liberalizimit, regjistrimi i popullsisë në baza etnike dhe fetare do të shkaktonte telashe të pariparueshme si në kohezionin e brendshëm, por edhe në marrëdhëniet me fqinjët që shquhen si tinëzarë dhe kafshues.Si përfundim, nisma për regjistrim nuk duhet trajtuar si gogol, por me kushtin e vetëm, pa rubrika në esencë “konfliktuale” (mbi bazën e etnisë dhe përkatësisë fetare).