E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës e Dibër, bora mban fshatrat e izoluar

 Prej ditësh, rajoni verior, verilindor dhe juglindje në vend është përfshirë nga reshjet e dëborës. Problemet janë shfaqur në këto zona gjatë javës së shkuar, duke bërë që jo vetëm të bllokohen rrugë kryesisht rurale e komuna, por dhe të pezullohet mësimi deri në përmirësimin e kushteve. Në qarkun e Dibrës ditën e djeshme situata ka qenë e rënduar në rrethet Bulqizë e Dibër si dhe në komunat Macukull, Derjan e Xibër në rrethin e Matit. Reshjet e fundit bënë që trashësia e borës të rritet me 20 deri në 30 centimetra në disa zona të Bulqizës e Dibrës. Dje paradite është bllokuar për disa orë rruga Qafa e Buallit-Krastë dhe është bërë e kalueshme vetëm me zinxhirë rruga Bulqizë-Peshkopi. Situata më kritike paraqitej në akset Peshkopi-Kukës dhe Ura e çerenecit-Klenjë-Librazhd, ku edhe kalimi me zinxhirë i automjeteve ka qenë pothuajse i pamundur. Ndërsa në qarkun e Kukësit vazhdojnë të jenë të izoluara fshatrat e thellë në komunat Shishtavec, Kalis, Grykë Cajë, Arrën dhe Zapod. Policia rrugore ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve të jenë të kujdesshëm në akset rrugore që lidhin qendrën e vendit me juglindjen, për shkak të borës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›