E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama do të prishë zgjedhjet

 

JORGJETA GJANCI

Megjithëse premtoi se nuk do ta përmendte më rivalin e tij politik, kryeministri Berisha ka akuzuar nga Korça kreun e PS-së, Edi Rama se po tenton të prishë zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit i ka bërë sërish thirrje kryetarit të Bashksië së Tiranës, njëherësh liderit të opozitës të kandidojë për deputet, duke shtuar se është gati të mbledhë parlamentin për të ndryshuar ligjin e pushtetit vendor. “Para se ta mbyll do t’i bëj një apel Edvin Ramës. Zoti Edvin po tregon se je një shpirtzi i pashembullt në historinë e këtij vendi, Je një shpirtzi që nuk ke shok askund. Nuk kandidove sepse ti do t’ia prishësh shqiptarëve dasmën e demokracisë, por unë të jap fjalën ty se do të përfundosh në arkivat e turpit të historisë dhe ne do ta ndërtojmë Korçën Evropiane dhe Shqipërinë Evropiane”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë vizitës në qytetin juglindor. Gjatë fjalës së tij lideri i maxhorancës premtoi nisjen e punimeve brenda muajit qershor të punimeve në aksin Qafë- Plloçë- Qukës, teksa shtoi se brenda vitit 2013 do të ketë 24 orë ujë. Berisha theksoi gjithashtu se në katër vjet u bë e mundur ratifikimi i MSA-së në parlamentet e vendeve të BE-së si dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Gjatë paradites së djeshme, kreu i ekzekutivit u ndal në fshatrat në rrethit të Korçës, ku inauguroi disa rrugë rurale. Kreu i qeverisë premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të barazojë pensionet e fshatit me të qytetit. “Këtu unë shoh burra dhe gra të moshuara. Ne ju premtuam atyre, se do të dyfishonim pensionet dhe jo të paktë ishin skeptikët që besonin se do të realizonim këtë premtim. Sot ne këtë premtim e kemi realitet. Por ne nuk jemi të kënaqur sepse duam t’ua barazojmë ato me të qytetit”, u shpreh Berisha. Në të njëjtën kohë ai u kërkoi banorëve të këtyre zonave të propozojnë një skemë të re për rimbursimin që përfitojnë fermerët. “Në katër vitet që vijnë, qeveria ime, me kontratën e re me ju, do t’i rrisë pensionet tuaj në nivelin e pensioneve të qytetit, në katër vitet që vijnë qeveria ime do të bëjë që të gjitha importet, nafta, plehrat, të marrin rimbursimin me skemën antikorrupsion. Pra, dua t’ju bëj të ditur se qeveria do të pesëfishojë grantin për ju dhe është e gatshme, me praktika jokorruptive, që ta rrisë atë edhe më tej”, u shpreh më tej Berisha. Sipas tij, në katër vjet u rindërtuan rreth 6 mijë km rrugë si dhe u ndërtuan nga e para ose u rikonstruktuan 1012 shkolla. Kreu i maxhorancës u bëri thirrje banorëve të Kamenicës, Çërravës, Drenovës dhe Belortasë që të aplikojnë për kartat e identitetet dhe të mbështesin koalicionin e djathtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›