Klinton lobon për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Sekretarja amerikane, Hilari Klinton, ka ndër mend të lobojë fort pro pavarësisë së Kosovës gjatë gjithë verës, duke nisur nga vendet e Amerikës Latine. Të paktën kështu deklarohen për mediat pjesëtarë të qeverisë serbe. Sipas të përditshmes “Glas”, duke iu referuar burimeve pranë qeverisë serbe, “Serbia e ka kuptuar synimin amerikan dhe planifikon që në këtë pjesë të botës të dërgojë diplomatët e saj, për të parandaluar njohjet e mëtejme të Kosovës”. “Mbi shtetet e Amerikës Latine do të bëjë ‘trysni’ vetë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Presion të veçantë SHBA-të do të bëjnë mbi Brazilin, Kilin, Guatemalën dhe shtetet e vogla të Karaibeve, që i konsiderojnë si ‘oborr të tyre’”, citojnë burime anonime qeveritare për gazetën. Sipas “planit”, në qershor pritet të mbahet një samit në Honduras, ku do të marrë pjesë Sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton, e cila do të kërkojë njohjen e Kosovës nga shtetet e Amerikës Latine. Shtetet e Bashkuara janë ndër përkrahëset më të forta të pavarësisë së Kosovës dhe kjo u konfirmua edhe në vizitën e presidentit amerikan Xho Bajden në Prishtinë dhe rajon. “SHBA është pro pavarësisë dhe kundër ndarjes së Kosovës”, tha ai gjatë vizitës që zgjati nga 19-21 maj. Kundër ndarjes së territorit është shprehur edhe presidenti serb, Boris Tadiç, i cili po viziton për disa ditë Francën. Ai ka premtuar një politikë paqësore kundrejt Kosovës, por ka kërkuar tërthorazi edhe bisedime të reja.