E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendimtarët e ’30-ës, në një amplitudë me Evropën

 

ALMA MILE

“Shtet. Ja një fjalë e shkurtër që simbolizon gjithë kuptimin e independencës së vërtetë kombëtare. Po edhe një vepër arti e një punë njerëzore shumë e gjatë! Do të  punojmë për shumë vjet. Do të mundohemi për shumë breza. Do dërmojmë shumë armiq. Do të zhdukim influencën e shumë të metave antishoqërore dhe trashëgimore. E vetëm pas një periode të tërë heroizmi spiritual, do të vijë dita e bukur në të cilën do të ndrijë edhe në horizontin e atdheut tonë dielli i qytetërimit: Shtet...”. kështu shkruante në gazetën “Demokratia” në fillimshekullin XX, mendimtari Branko Merxhani. Dhe ai ishte vetëm një prej atyre mendimtarëve të kohës së vet, që jo vetëm ëndërronte, por edhe punuan për të ndërtuar një “Shqipëri të mendimit”. Në aradhen e mendimtarëve shqiptarë të fillimshekullit të kaluar numërohen shumë syresh si patër Anton Harapi, Zef Valentini, Eqerem bej Vlora, Sami Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Gjon Shllaku, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri, etj. Janë personalitete të shquara të letrave shqipe, të cilët u bënë ithtarët e iluminizmit shqiptar. Për nder të mendimtarëve të viteve ’30 dhe domosdoshmërinë e njohjes së tyre, Qendra Albanologjike Studimore dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, organizuan konferencën mbarëkombëtar “Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë vunë në dukje rëndësinë e kësaj plejade në krijimin e mendimit shqiptar dhe vendin që duhet të zërë ajo në histori dhe tekstet shkollore, aq më tepër që ato mbeten aktuale edhe sot. Drejtori i Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marashi renditi në fjalën e tij thënie nga mendimtarë të ndryshëm shqiptarë, që nga Harapi, Merxhani, Frashëri, Fishta..., të cilët qysh një shekull më parë e kishin shumë të qartë rrugën në të cilën duhet të ecte kombi shqiptar, për të kapërcyer 500 vitet e prapambetjes së krijuar nga Perandoria Osmane dhe për t’iu bashkuar mendimit perëndimor. Përmes dijes, përthithjes së eksperiencës më të mirë perëndimore, thellimit intelektual, zhvillimit të shkollave dhe punës. “Kemi nevojë për punë sistematike dhe jo për mballoma”, - thoshte Branko Merxhani. Sipas Marashit, pas Luftës së Dytë Botërore, pas traditës së krijuar nga kjo plejadë mendimtarësh, ishin të gjitha gjasat që kjo të arrihej, por diktatura komuniste, krijoi të tjera “institucione mendimi”, si Instituti i Marksizëm-Leninizmit, ndërsa Enver Hoxha u shpall si “klasiku i pestë” i ideologjisë marksiste-leniniste, duke lënë në harresë mendimtarët e vërtetë, që shihnin kah perëndimi. Por sipas tij, edhe pas rënies së diktaturës, me zbulimin e shkollave perëndimore, nuk ndodhi që të “merrej stafeta” nga këta mendimtarë shqiptarë, por të fillohej nga starti. Kështu që është koha që këto figura të zënë vendin e merituar në historinë e mendimit shqiptar. Për botuesin Ndriçim Kulla, rëndësia e këtyre mendimtarëve ishte se ata i servirën shoqërisë shqiptare një mori konceptesh dhe problematikash, për të cilat nuk ishte folur deri më atëherë, si filozofia, sociologjia, mitologjia, njeriu, doktrinat ekonomike të kohës, nacionalizmin, materializmin, etj. Tema këto, që sipas Kullës, sot nuk i gjen në faqet e shtypit. “Ata ishin në të njëjtën amplitudë me mendimin evropian të kohës”, - tha Kulla. Ndërsa për filozofin Gjergj Sinani, këta njerëz i përgjigjeshin më së miri thënies së Niçes: “Të vërtetat që fshihen kthehen në katastrofa”. “Mendimtarët e viteve ’30 i thoshin gjërat bruto”, - thotë Sinani, duke vënë theksin në përpjekjen e këtij brezi tek krijimi i “jetës mendore” dhe perspektiva drejt qytetërimit perëndimor.

Shqipëria sipas Branko Merxhanit

“Lipsen reforma! Mirëpo reformë, do të thotë studim sociologjik i jetës së një turme dhe zbatim, jo vetëm i ligjeve, jo vetëm i urdhrave, por para çdo gjëje zbatim i një sistemi sociologjik, zbatim i një sistemi të nevojave kombëtare. E Shqipëria e sotme, është një botë e vogël kaotike. Atdheu ynë sot i shëmbëllen një gërmadhe mendimi dhe ideali. Në rrembat tona rrjedhin shumë helme e hidhërime, shihen shumë gjurma të shprishjes dhe tronditjes. Trazimi dhe anarkia mbretërojnë në të gjitha shfaqjet e dinamizmës sonë krijonjëse, në tendencat dhe idetë tona shoqërore, e ca më tepër mbi formën dhe esencën e institucioneve. Kryelartësia dhe përtacia, këto gjëra që kutërbojnë kalbësinë dhe që shpërndajnë mikrobin e prishjes dhe përçarjes, duken si dëmtonjësit e vetëm të qenies sonë. Madje, jeta shqiptare, shpirti shqiptar, janë nga pikëpamja e thjeshtë psikologjike dhe sociologjike, një tokë e panjohur, e madhe akoma dhe për ne vetë, bijtë e këtij kombi. Ndiej se maja e gishtit po më djeg. Dhe ç’të djegur! Dridhem i tëri. Kam vënë gishtin tim mbi ato plagë që shekuj me rradhë kanë lodhur dhe egërsuar pareshtur shpirtin shqiptar. Megjithatë, i shkruaj këto radhë me dhimbje e guxim, pasi ndjej të më ndjekë gjithnjë fantazma e tmerrshme e Niçes, me atë fjalën e vet të njohur: të vërtetat që fshihen kthehen në katastrofa!” (“Mendimi
shqiptar- Doracak tematik dhe bibliografik)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›