E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çajkovsk dhe Prokofiev me dy vepra të reja

 

“Mbiemri im është më shumë se rus – Lenin, Stalin, Kadin…”. Kështu thotë me shaka dirigjenti rus 43-vjeçar, Mark Kadin i cili erdhi në Tiranë për të drejtuar Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar në një koncert me pianisten shqiptare, Klejda Tare dje në sallën e Akademisë së Arteve në orën 19.00. Ai duket shumë modest në sytë e gjithsecilit tek mendon se realizon rreth 40 koncerte për sezon, ndërkohë që numëron rreth 20 të tjera në repertorin e tij me orkestra të vendeve të ndryshme. Kadin është Dirigjenti kryesor i Simfonisë Krasnoyarsk të Moskës. Për të çdo koncert ka rëndësinë e tij, por Kadin thotë se ai i Tiranës këtë fundjavë është më i rëndësishmi. Adhurues i sopranos shqiptare, Inva Mula, Kadin shpjegon se qëllimi i tij është të marrë më të mirën nga orkestra për këtë koncert. Ky koncert, i prenotuar që një vit më parë, u përqendrua në dy vepra të kompozitorëve rusë më të mëdhenj, Pyotr Ilyich Çajkovski dhe Sergei Prokofiev dhe konkretisht suita nga baleti “Bukuroshja e Fjetur” dhe Koncerti Nr.3 për piano dhe orkestër e Sergei Prokofiev. Dy vepra tepër të vështira, të cilat erdhën për herë të parë në skenën shqiptare. “Çajkovski është kompozitori më i madh, jo vetëm në Rusi, por në botë. Përsa i përket Prokofievit, mund të them se është kompozitori tipik rus me të gjitha gabimet, tragjeditë dhe jetën e shkuar të Bashkimit Sovjetik. Kur kujtoj Prokofiev, më vjen ndërmend një episod nga jeta e tij. Ka të bëjë më gruan e tij të parë e cila ishte spanjolle. Në vitin 1937, ajo u arrestua në Moskë si spiune gjermane. Ajo që më ka bërë përshtypje është se ai kurrë s’kërkoi nga qeveria që ta lironin atë. Ajo mbeti në burg deri kur Stalini vdiq në 1953, kur Prokofiev ishte martuar me gruan e dytë, që ishte e lidhur me qarqet e larta qeveritare komuniste. Kur luaj Prokofiev, s’mund të rri pa kujtuar këtë histori të trishtuar të jetës së tij”,- përfundon Kadin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›