E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte e shkelma arbitrave, Xhani dhe Tomorri në polici

 

Leonard Karaj

Pritej të ishte një ndeshje e zjarrtë dhe ashtu ka qenë. Momenti që ndezi gjakrat në fushën e “Niko Dovana”-s në Durrës ishte pikërisht goli i anuluar për Partizanin nga ana e virojtësit Arjan Mali. Minuta e 70-të e takimit, të kuqtë organizojnë një aksion model. Ngjela vjen me shpejtësi nga e majta; pason në qendër për Began, i cili i ndodhur mes tre mbrojtësve krutan, arrin të bëjë spondë sërish për Ngjelën, ndërkohë që kishte hyrë në brendësi të zonës (gjithmonë në pozicion të rregullt). Sulmuesi i kuq nuk godet vetë portën, por pason topin për Mahon, që ndodhej pak centimetra përpara portës kundërshtare dhe shënon. Të kuqtë festojnë, por ndërkohë, gjyqtari anësor anulon golin e Partizanit. Pamjet televizive konfirmojnë pozicionin e rregullt të sulmuesi të kuq (Ngjela). Mbetet për t’u sqaruar fakti nëse virojtësi Arjan Mali ka anuluar golin, duke u bazuar në pozicionin e Ngjelës apo të Mahos, dy protagonistët kryesorë të aksionit të golit.
Kaq u desh që në përfundim të lojës një “Partizan” i tërë i drejtuar nga Njëshi Albert Xhani t’i kundërvihej fuqishëm ternës arbitrale. Fundi i takimit të parë play-out të këtij “ekstra-kampionati” ishte i gjithi një sherr i pafund midis stafit teknik, lojtarëve të Partizanit, ku spikati goditja e fuqishme e presidentit të “demave”, Albert Xhani, ndaj anësorit Mali, njeriut që anuloi edhe golin e barazimit të 15-herë kampionëve të Shqipërisë. Shkelma, grushte, karrige të thyera dhe sherre që çuan në ndërhyrjen e policisë, e cila u detyrua të mbante nën shoqërim drejtuesit e Partizanit deri në largimin e skuadrës krutane nga Durrësi. Gjithsesi, ajo çka vlen në fund është se Partizani dështoi duke rënë në Kategorinë e Parë, ndërsa ekipi krutan i Kastriotit vitin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë Superiore. Një gol i Arben Prelës për Kastriotin në fundin e pjesës së parë (44’) i dhuroi formacionit të Ramazan Ndreut rikthimin pas një sezoni mungesë midis ekipeve më të mira të Shqipërisë. Për t’u theksuar është fakti se gjyqtarët e këtij takimi u kontestuan nga të kuqtë, që në hedhjen e shortit. Partizani zbriti për herë të dytë një kategori më poshtë, në të Parën, saktësisht dhjetë vjet më pas pasi e përjetoi atë për herë të parë në fund të sezonit 1998-1999.
 

Partizani-Kastrioti 0-1

Gola: Prela 43’
Partizani: Shehi, Tafaj, Mallota (Çeka 62’), Pinari, Baklli, Gjondeda (Maho 62’), Babamusta, Karabeci, Ngjela, Karapici (Mërtiri 77’), Bega;
Tr: Shpëtim Duro;
Kastrioti: Mustafa, Caca, Shala, Teqja, Hoxha, Prela, Roshi, Miçicc (Osuji 61’), Gocaj, Braho(89’ Lila), Ziambo (Kalari 89’);
Tr: Ramazan Ndreu;
Gjyqtar: L. Jemini, A. Mali, E. Doda, E. Peza
Kartonë të verdhë: Miçiç, Roshi, Mustafa, Kalari/ Bakalli, Tafaj

Humbet skuadra e zemrës, shkatërrojnë “Niko Dovanën”

E kanë nxjerrë inatin me stolat e stadiumit tifozët e shumtë të skuadërs së Partizanit që patën udhëtuar dje drejt Durrësit për të ndjekur takimin Partizani-Kastrioti. Stola të shumtë janë shkatëruar plotësisht, duke përfunduar në fushën e stadiumit, i cili si për ironi është investimi më i fundit i realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe i inauguruar vetëm disa muaj më parë. 

Sherret, ia nis Bakalli i përfundon Bert Xhani

Pas skadimit edhe të pesë minutave shtesë, situata doli në fund jashtë kontrollit në “Niko Dovana”, pas protestave të para të mesfushorit të Partizanit, Engert Bakalli, e më pas edhe më hyrjen në fushë të drejtorit të Akademisë së Partizanit, Genc Tomori e presidentit Xhani, madje ky i fundit e goditi me grushte anësorin Arjan Mali, që u vu menjëherë nën mbrojtjen e policisë. Por për të mbrojtur nderin e ekipit të kuq në fushë u fut edhe Njëshi i klubit, Albert Xhani, i cili përdori grushtet dhe shkelmat ndaj ternës arbitrale.

Kastrioti në Superligë, e gjithë Kruja në festë
Pas fitores së Kastriotit ndaj ekipit të Partizanit ekipi krutan është pritur në një atmosferë festive nga banorët e Krujës. Lulzim Guni ka bërë pritjen e futbollistëve në ambientet e godinës së Bashkisë, duke i uruar për këtë fitore. Ndërsa janë shkrehur fishekzjarre dhe janë uruar nga tifozeria krutane tërë futbollistët e Kastriotit me drejtuesin e tyre. Në këtë ceremoni feste, në qendër të Krujës kanë asistuar dhe deputetët Ndriçim Babasi, Shkëlqim Ziri dhe Ferdinand Xhaferri, të cilët i janë bashkuar kësaj atmosfere pas ndeshjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›