Berisha: Rama edhe 48 orë afat të hyjë në listë
ALDo KOZARJA
Kryeministri Sali Berisha i jep edhe 48 orë kreut të PS-së, Edi Rama për të ndryshuar listën e kandidatëve dhe për t’u futur në garën për deputet. Nga qyteti i Librazhdit kreu i qeverisë iu përgjigj argumenteve të kundërshtarit të tij politik, sipas të cilave, Rama u votua njëherë në vitin 2007. Lideri i PD-së tha se nga zgjedhjet lokale të para dy viteve deri tani, ai i ka dhënë njerëzve të tij të afërt më shumë se gjysmat e lejeve të ndërtimit dhe ka bashkëpunuar me Mihal Delijorgjin për ndërtimin e 52 pallateve në kryeqytet. “Zoti Edi Rama u thotë shqiptarëve se nuk do të votohem, sepse jam votuar në 2007-ën. Po, zoti Rama, por nga viti 2007 e këtej ke mbledhur aq zhul sa as ujët e Shkumbinit nuk ta lan dot. Po, zoti Rama, sepse nga 2007 je ti dhe vetëm ti që rezulton t’u kesh dhënë Eftimëve të tu 70 për qind të lejeve të bashkisë. Këtë, zoti Rama, nuk e bën as djali i Kim Young II, kryetari i bashkisë së Phenianit”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij “vërtetë ke marrë votat me certifikatat e falsifikuara në vitin 2007, por nga 2007 dhe këtej shqiptarët nuk ta falin ty, tiranasit nuk ta falin ty, sepse ti ditën kur Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, i mashtrove ata dhe u the se Shqipëria nuk do të ftohet. Shqiptarët nuk ta falin ty qytezën Rama-Delijorgji, 52 pallate në qendër të Tiranës. Si mendon ti, se shqiptarët t’i pranojnë këto standarde? Jo, zoti Rama, kurrën e kurrës”. Gjatë takimit në Librazhd kreu i qeverisë i ka bërë thirrje qytetarëve, që të pajisjen me kartat e reja të identitetit dhe në 28 qershor të votojnë nr. 10 në listën e votimit. “Dy ditë më parë Evropa u gdhi blu. Më 29 qershor Shqipëria do të gdhihet blu. Ne duam me vete çdo njërin prej jush. Dua të që së bashku të vazhdojmë ndryshimin. Më 28 qershor votoni numrin 10, votoni Partinë Demokratike, 10 është më e mira, 10 është shansi, 10 është e vërteta”, theksoi Berisha. Gjatë mitingut në Peqin kreu i demokratëve premtoi hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e dytë, teksa theksoi se në këta katër vite u bë e mundur hapja e 80 mijë vende pune. Në të njëjtën kohë kryeministri vuri theksin te liberalizimi i vizave, ku premtoi se shqiptarët do të mund të lëvizin pa vizë në të gjithë hapësirën e vendeve të Bashkimit Evropian brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Si në të gjitha takimet e tjera elektorale Berisha premtoi 24 orë ujë gjatë mandatit të dytë si dhe më shumë investime në infrastrukturë, arsim e shëndetësi. Gjithashtu, kreu i qeverisë vuri theksin te barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit, si dhe rritjen e rrogave dhe uljen e taksave.