E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha, enveristi i djeshëm”

 

Shkodër/Ridvan Dibra

“Distancohemi nga Enver Hoxha, fryma e të cilit vazhdon në politikën e vjetër të ndarjes me Sali Berishën”. Kryetari socialist në një miting në qytetin e Shkodrës gjatë prezantimit të kandidatëve dhe programit qeverisës, është distancuar nga periudha e Enver Hoxhës, ku sipas tij e ndau vendin në veri dhe jug. Rama, duke revokuar emra të shquar të klerit, artit dhe letërsisë shkodrane, u shpreh se ndasitë e sotme të politikës së vjetër ushqehen nga mentaliteti i periudhës së diktaturës. “Kaluan këtej romakët, sllavët, bizantinët, venedikasit, turqit, austro-hungarezët, italianët e gjermanët. Të gjithë e deshën Shkodrën, përveç Enver Hoxhës, simbolit të botëkuptimit të errësirës, që pa tek Shkodra poetët, artistët, klerikët e qytetarët e saj. Të gjithë qytetarëve e qytetareve të Shkodrës u them sot se errësira e diktaturës së Enver Hoxhës, që kalli në shpirtin e shqiptarëve është sot e gjithë ditën ushqimi i dasisë i sherrit, që politika e vjetër përçan mes nesh, e ta mbash në konflikt Shkodrën dhe Shqipërinë, në emër të shkuarës komuniste, siç bën enveristi i djeshëm e demokratikasi i sotëm, Sali Berisha do të thotë të mbash gjallë botëkuptimin e errësirës të Enver Hoxhës e ta mbash kohën shqiptare në vend nga pikëpamja shoqërore”, tha Rama para shkodranëve. Kreu socialist i tha shkodranëve se filozofia e tij është përtej ndarjes që ka shoqëruar deri tani politikën në kampe blu dhe rozë. “Ata që duan të na ndalojnë pse duam të shkojmë përtej të djathtës dhe të majtës, ata duan të na mbajnë peng në ndasinë mes të majtës dhe të djathtës që vjen nga e shkuara. Unë ju bëj thirrje që pas 19 ditësh ne do të shkojmë drejt një shteti përtej të majtës dhe të djathtës, për një shtet të gjithë qytetarëve, për një shtet që u jep ujë drita shtet siguri të gjithëve”, u shpreh Rama. Duke shpjeguar para shkodranëve dallim me Kryeministrin Berisha, Rama tha se e kërkon pushtetin për të bërë ndryshimin e madhe në vend. “Për mua politika nuk është luftë për pushtet siç është për Sali Berishën dhe as mjet për të përfituar, duke premtuar gjëra që nuk i bëj, duke bërë gjëra që nuk thuhen siç bën Sali Berisha, unë nuk do të jem kryeministri, që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit për klientët e pushtetit të kësaj familje, por do të jem thjesht kryeministri juaj”, tha Rama. Kreu socialist u shpjegoi shkodranëve se me votën e tyre do të arrijë liberalizimin e vizave, ndërsa parlamenti do të jetë i një niveli shumë më të lartë se ai aktuali. “Unë ia kërkoj votën Shkodrës për programin e ri, për Shqipërinë dhe për gjithë qarkun e Shkodrës, ku të gjithë së bashku do të krijojmë një grup parlamentar ku për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të ketë 20 % gra, 25 % juristë, 16 % ekonomistë, 27% pedagogë e arsimtar”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›