Shorti i GNV-ve, PD propozon skemë jashtë Kodit, LSI kundër
Partia Demokratike përplaset me partitë e majta në KQZ në lidhje me skemën që do të përdoret për caktimin e numëruesit të 3 dhe të 4 të Grupeve të Numërimit të Votave. Pas rrëzimit në Kolegj të udhëzimit ku përcaktohej që PDK-ja të ishte forcë e opozitës, KQZ risolli për votim edhe një herë udhëzimin që do të përcaktojë mënyrën e përzgjedhjes me short të anëtarit të tretë dhe të katërt. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, propozoi një skemë mbi cilën parashikohej që secila nga tetë partitë të përfitonte pjesëmarrje në grupe numërimi 15 nga 66 KZAZ që janë gjithsej në të gjithë vendin. “Mundet që shorti të bëhet sipas zonave, duke përcaktuar një hedhje të shortit me numra 1, 2, 3, 4 dhe duke i përsëritur ata me plus 4. P.sh 1 merr 5, 2 merr 6 etj., që të mos hedhim short 66 herë. Mendoj se të gjitha ZAZ t’i ndajmë në tre grupe. Sigurohet shpërndarje pothuajse e barabartë”, tha Kosovrasti. Por kjo u kontestua ashpër nga ana e përfaqësuesit të LSI-së, Ilirjan Muho. “PD-ja kërkon që edhe pasi e ka bërë Kodin ashtu si e deshi, tashmë kërkojnë që një pjesë të këtyre partive të emërohen në grupet e numërimit të votave. Ligji e parashikon që hidhet short, sa e thotë kjo ka dhe riskun e bingos që thotë ai, edhe pas debatit për PDK-në. Por, përderisa ka short ka risk. Vetë e bënë Kodin, vetë e sollën situatën në këtë gjendje. E kanë kuptuar se bënë diçka jo të mirë dhe tani vijnë në 66 dhe duan t’i ndajnë 15 për çdo parti. Ligji thotë short, ne do pranojmë atë që cakton shorti. Nëse ai do na penalizojë, do e pranojmë”, tha Muho. Kreu KQZ-së, Ristani shtyu mbledhjen për të rishqyrtuar propozimet, por qëndrimi kundër i nënkryetares Dëshira Subashi solli votimin me konsensus të variantit të parë të udhëzimit. “Ne nuk duhet të dalim jashtë ligjit, gjithçka duhet të jetë brenda kësaj kornize”, deklaroi Subashi. Sot KQZ-ja do të hedhë shortin për caktimin e numëruesit të tretë dhe të katërt.