Lesi: Xhuveli asnjë lidhje me Lezhën
Kryetar i Lidhjes Dem-okristiane Shqiptare Nikollë Lesi, që është numri tre në fletën e votimit për qarkun e Lezhës, sulmoi nga ky qytet kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli. Sipas Lesit, ministri aktual i Mjedisit, i cili është duke kërkuar vota ne qarkun e Lezhës, nuk ka asnjë lidhje me Mirditën, Lezhën dhe Kurbinin. Lesi theksoi se “Xhuveli ka vendosur emrin e tij të parin si kandidat për deputet në qarkun e Lezhës, si në disa qarqe të tjera, e për rrjedhojë votat nuk shkojnë për numrin dy të listës Petrit Gjoni, por direkt në xhepin e Lufter Xhuvelit, që është nga Vlora e do vota në Lezhë!” Gjithashtu, Lesi bëri të ditur para elektoratit të tij se duhet votuar ai personalisht, pasi do të jetë përfaqësues kurajoz në parlament i gjithë qarkut, duke treguar se të tjerët të cilët vijnë nga përtej Tiranës nuk mund të kërkojnë vota në Qarkun e Lezhës, teksa shtoi se ata nuk kanë asnjë lidhje me interesat e zonës elektorale ku Lesi kandidon. Në takim ai sqaroi se “deri tani dy emrat e parë të listës së PS-së dhe tre emrat e parë të listës së PD-së janë të garantuar si deputetë, por “përleshja” elektorale do të jetë për dy mandatet e fundit në këtë qark”. Gjatë takimeve të zhvilluara në qarkun e Lezhës, kreu i lidhjes Demokristiane ka sqaruar se nuk ka asnjë lidhje me kryetarin e partisë Demokristiane, Nard Ndoka, të cilin e ka akuzuar se e preu në besë në momentin kur ai i la partinë.