Berisha: Rama humbi, mori ç’ka meritonte
Kryeministri Sali Berisha tha dje se kryetari i PS-së, Edi Rama, është humbësi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Nga qyteti i Kukësit, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Kukës-Krumë, kreu i qeverisë duke iu referuar deklaratave të kundërshtarit të tij politik për rrugën Durrës-Kukës, theksoi se shqiptarët e meritonin këtë rrugë. “Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit, siç bëri humbësi i shqiptarëve, i cili meritonte të humbiste dhe shqiptarët i dhanë atij atë që meritonte, do të thotë të jesh verbuar nga urrejtja dhe armiqësia ndaj kombit tënd. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit, do të thotë se ti je hiç i hiçëve, sepse sot në këtë rrugë qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë, qarkullojnë mbi 12 mijë”, u shpreh Berisha. Kryeministri iu rikthye sërish hetimit të rrugës Durrës- Kukës, ku shtoi se “pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit. Dua ti them sot se Kosova është gjysma e kombit, kurse ti je faqja e zezë dhe turpi i tij”. Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Kukës-Krumë me gjatësi 27 kilometra dhe vlerë 277 milion lekë. Kryeministri tha se rruga Kukës-Krumë plotëson një nga segmentet më jetikë të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, që nis nga Tropoja dhe përfundon në Delvinë, duke i dhënë një frymëmarrje më të gjerë të gjitha komunave të përfshira në këtë zonë.