Gripi, Tamifluja pasoja në tru te fëmijët
zirina llambro
Tre persona të tjerë pritet të konfirmohen në vendin tonë si të prekur nga gripi i derrave.
Analizat e Institutit të Shëndetit Publik për ta kanë rezultuar pozitive sa i përket virusit A, por priten përgjigjet përfundimtare nga Bukureshti që të vërtetohet plotësisht nëse bëhet fjalë për A-H1N1. Po dje, në ISHP mbërriti dhe sasia e parë e Tamiflusë, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të vijnë doza të tjera. “Shumë shpejt priten të vijnë 15 mijë kura, që është më se e mjaftueshme për të përballuar valën e gripit pandemik, deri në sezonin e dimrit”, u shpreh Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Ai u bëri apel qytetarëve të mos përdorin Tamiflunë pa rekomandimin e mjekut”. Nga të dhënat rezulton se persona të ndryshëm në rrugë individuale, duke përfituar nga udhëtimet jashtë vendit, kanë siguruar sasi të këtij antivirali. Por duhet të kenë shumë kujdes në përdorimin e tij, pasi mund të rrezikohet shëndeti dhe efektet anësore mund të jenë shumë të mëdha”, tha Drejtori i ISHP-së. Nëse Tamiflu përdoret pa rekomandimin e mjekut infeksionit, epidemilog apo pediatër në rastin e fëmijëve, atëherë ajo shkakton probleme të rënda në sistemin nervor, atë kardiovaskular, në sistemin gastrointenstinal, në mëlçi, veshka e të tjera. ”Tek fëmijët pasojat mund të jenë vërtet të rënda, prandaj prindërit duhet të tregohen sa më të kujdesshëm në përdorimin e Tamiflusë, mbi të gjitha me ata”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, në varësi të gjendjes shëndetësore të secilit, është mjeku ai që përcakton dozën që duhet marrë, duke pasur parasysh efektet anësore që mund të japë ky medikament. Sipas tyre, Tamiflu përdoret vetëm për virusin A, pasi në rast të kundërt krijon rezistencë ndaj virusit. Nëse konfirmohen 3 rastet e tjera, numri i të prekurve në vendin tonë nga gripi i derrave arrin në 7. Ndërkaq, sipas Organizatës Botërore, virusi po përhapet me një shpejtësi më të madhe nga çfarë ishte parashikuar. Brenda pak javësh, numri i vdekjeve nga gripi i derrave në të gjithë botën ka arritur në 800. Janë më shumë se 160 shtete të prekura. Ditët e fundit janë shtuar masat në pikat kufitare të vendit tonë. Rreth 2000 kopje të posterave që informojnë për gripin e derrave janë shpërndarë në të gjithë pika. Gjithashtu janë prodhuar 20 000 fletëpalosje për udhëtarët dhe 20 000 të tjera për qytetarët. Sipas ISHP-së, këtë javë do të fillojë shpërndarja e një posteri të ri për higjienën personale dhe një fletëpalosje për fëmijët. Janë përgatitur tre spote televizive dhe planifikohet të shpërndahen brenda një muaji në media. Sipas mjekëve, duhet bërë kujdes pasi gripi i derrave është një sëmundje infektive shumë ngjitëse. Virusi i gripit A/H1N1 transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose edhe thjesht dhënies së dorës një personi të infektuar.
Ç’duhet të dini për gripin e derrave
Çfarë është virusi i gripit A/H1N1 ?
Ekzistojnë disa tipe virusesh që shkaktojnë gripin, si tipi A, B e C. Tipet e viruseve A e B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit.
Gripi A/H1N1 është gripi më i fundit që qarkullon në shumë vende të botës dhe shkakton një sëmundje infektive akute të rrugëve të frymëmarrjes.
Pse quhet edhe gripi i derrave?
Quhet edhe gripi i derrave, mbasi fillimisht gripi u takua në njerëz që kishin kontakte direkte me derrat.
Infeksionet te njerëzit me këtë virus janë vënë re që nga vitet 1950, kryesisht në persona të cilët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me derrat.
1. Një ose më shumë specie janë infektuar nga virusi i gripit
2. Virusi i gripit mund të infektojë edhe derrin, të shkëmbejë material gjenetike dhe të formojë virus të ri.
3. Personat me kontakt të ngushtë me derrat janë infektuar nga virusi i ri.
4. Këta persona kane transmetuar virusin në persona të tjerë.
Si përhapet virusi i gripit A /H1N1?
Gripi A /H1N1 është një sëmundje infektive shumë ngjitëse. Virusi i gripit A/H1N1 transmetohet nga një person tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose edhe thjesht dhënies së dorës një personi të infektuar me virusin e gripit A/H1N1. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit futen në gojë, grykë dhe hundë, ku shtohen dhe japin shenjat e gripit A/H1N1, 1 deri 4 ditë pas futjes së virusit në organizëm.
Për sa kohë një person i infektuar përhap virusin e gripit tek të tjerët?
Një person i infektuar konsiderohet përhapës i virusit të gripit për sa kohë, ai ka shenja të gripit si: temperaturë të lartë, kollë, teshtima, etj, deri në 7 ditë pas shfaqjes së sëmundjes. Fëmijët, veçanërisht ata më të vegjlit, mund të jenë përhapës të virusit të gripit për një kohë edhe më të gjatë.
Cilat janë shenjat e gripit A/H1N1
Temperaturë e lartë
Të dridhura / ethe
Dhimbje koke
Lodhje
Kollë
Dhimbje fyti
Diarre, të vjella ,etj
A jep gripi A/H1N1 komplikacione?
Gripi mund të japë komplikacione si pneumonia, si dhe të acarojë sëmundje kronike si asthma, diabeti, etj.