Vdekja e fëmijës, pranga dhe një infermieri
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Arrestohet i katërti, i cilësuar nga Proku-roria e Korçës si përgjegjës për vdekjen e fëmijës së pickuar nga gjarpri. Kostika Karamitro, 41 vjeç, infermier në spitalin e Korçës u arrestua dje me të njëjtën akuzë si të kolegëve të tij, mjekim i pakujdesshëm. Sipas prokurorisë, edhe ai është përgjegjës për vdekjen e 6-vjeçarit i cili do të kishte shpëtuar nëse do t’i ishte kryer mjekimi i duhur. Arrestimi i infermierit Karamitro e çon në katër numrin e të prangosurve në stafin e bluzave të bardha të Korçës. Disa orë para tij, prokuroria firmosi urdhër-arrestet për Ilir Qirjakon, 39 vjeç, mjek anestezist-reanimator; Juljan Mato, 36 vjeç, infermier ndihmës/anestezist dhe infermieri Olgert Hoxhallari, 24 vjeç. Të katër të arrestuarit janë përcaktuar përgjegjës për vdekjen e vogëlushit. Prokuroria i ka akuzuar ata për mjekim të pakujdesshëm ndaj Viktor Balliut, fëmija 6-vjeçar, i cili u kafshua nga gjarpri më 18 korrik. Gjatë hetimeve rezultoi se viktimës nuk i ishte injektuar serumi antivipera që ndodhej në spital. Mjekët i kishin sugjeruar prindërve të tij ta blinin serumin në farmaci private. Por ata kishin dalë të papërgatitur dhe nuk arritën ta blinin serumin që do të shpëtonte djalin e tyre. Në kartelën e mbajtur për fëmijën u shënua se në spital nuk kishte antivipera. Duke parë gjendjen e rëndë, mjekët e nisën vogëlushin pas tetë orësh drejt Spitalit Ushtarak. Por ai nuk mundi t’i mbijetojë helmit vdekjeprurës dhe ndërroi jetë në mes të rrugës. Dje situata në spitalin e Korçës ishte disi e rëndë. Disa mjekë të tjerë dhe infermierë që kanë qenë të dielën në punë i tremben arrestimit, e disa të tjerë pushimit nga puna. Por gjithsesi, në korridoret e spitalit, katër arrestimet e mësipërme po shoqërohen me heshtje.
“Nëse do t’i ishte injektuar 6-vjeçarit serumi antivipera ai mund të kishte shpëtuar nga vdekja”. Kështu janë shprehur disa nga mjekët e spitalit, mes tyre edhe specialistë, që kanë trajtuar ndër vite helmimet nga gjarpri. Fakti që serumi gjendej në farmacinë e spitalit dhe nuk u kërkua nga ekipi i mjekëve dhe infermierëve për të shpëtuar jetën e fëmijës përbën një pakujdesi fatale, mbasi i mituri vdiq. Ishte kjo arsyeja që rreth kësaj ngjarjeje filluan hetimet e Prokurorisë së Rrethit të Korçës. Akuzat e para u bënë nga prindërit e fëmijës.
Infermierët në protestë: Faji i mjekëve, ata na japin urdhra
KORÇE - Pas arrestimit të infermierit të tretë, Kostika Karamitro, dje në orët e para të mëngjesit infermierët organizuan një protestë në mjediset e spitalit të Korçës në mbrojtje të kolegëve të tyre. Infermierët pjesëmarrës në këtë protestë u shprehën se në rastin konkret nuk mund të flitet për papërgjegjshmëri të infermiereve, pasi ata marrin urdhra vetëm nga mjekët. Ata kanë qëndruar në mjediset jashtë pavijoneve rreth një orë, duke mos pranuar që t’i rikthehen vendeve të tyre të punës. Nënteksti i kësaj proteste ishte kërkesa e heshtur e tyre për të kërkuar përgjegjësinë e vdekjes së vogëlushit tek mjekët, që nuk urdhëruan infermierët për ta kërkuar serumin antivipera në farmacinë e Spitalit. Sipas protestuesve, mjekët ua kërkuan prindërve ta blinin në farmacinë private jashtë mureve të spitalit. Një grup infermierësh gjatë protestës kanë evidentuar faktin se një nga drejtuesit e qendrës spitalore ka farmacinë e tij private vetëm 30 metra larg spitalit dhe shumë mjekë e përdorin dërgimin e pacientëve dhe familjarëve të tyre tek kjo farmaci, për t’i shtuar klientët për mjekimet e munguara në spital. Kjo përplasje interesash, sipas infermierëve, mund të ketë ndikuar edhe në politikën e furnizimit të spitalit me barna, fakt ky që e ka renditur këtë institucion ndër më problematikët në shkallë vendi për sa i përket mungesës së medikamenteve mjekësore. Pas një ore kjo protestë ka përfunduar dhe infermierët vijuan punën. Megjithatë, ata theksuan se do të vijojnë më protesta derisa të përcaktohet përgjegjësia dhe të lirohen infermierët, të cilët sipas tyre janë të pafajshëm. Deri më tani janë tre infermierë të arrestuar, të cilët janë akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të fëmijës 6–vjeçar, si dhe një mjek. j.gj