E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama ide feudale

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha e konsideroi sot, "tërësisht të papranueshëm" propozimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për vendosjen e një takse, për hyrjen në Tiranë të disa lloje automjetesh. "Kjo është një ide më feudale se feudalizmi, sepse ky është një lloj regjimi i pashpallur vizash. Një gjë e tillë ka ndodhur në kohën e principatave. Ideja e Edi Ramës është e pabesueshme, pasi të gjithë qytetarët e këtij vendi janë aksionarë në kryeqytetin e Shqipërisë. Ndaj është jashtë çdo lloj imagjinate që targat e kamionëve, mikrobusëve dhe autobusëve të tatohen me 10 mijë lekë të vjetra për çdo hyrje në kryeqytet", u shpreh Kryeministri Berisha.

Sipas tij "kjo nuk mund të ndodhë në mënyrë absolute, aq më tepër, në një kohë kur qeveria po heq edhe tarifën 1 euro që ishte për hyrjen në kufirin shqiptar". "Ndoshta edhe qëllimi i ndërtimit të mbikalimit te Zogu i Zi ka qenë shndërrimi i tij në një barrierë për të hyrë në Tiranë. Por absolutisht nuk do të lejohet asnjë lloj barriere në Tiranë, ku janë aksionarë jo vetëm 3.4 milionë shqiptarë, por mbarë kombi shqiptar", tha Kryeministri Berisha.

Në këtë drejtim, ai u shpreh se "nëse Bashkia e Tiranës do të ketë nevojë për fonde mbi bazë projektesh, Qeveria është e gatshme t'i rrisë ato ashtu siç ka bërë për çdo qeveri vendore". "Një nga zhvillimet më të mëdha dhe pozitive të këtyre 4 viteve ka qenë partneriteti që ne vendosëm me qeverinë vendore. Investimet në rrugë nuk do të mund të ecnin aq mirë pa pjesëmarrjen dhe kontributin e qeverive vendore. Ne kaluam nga çaklli te asfalti, nga moskomunikimi tek partneriteti dhe kjo është shumë pozitive", u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›