E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriporja e Vlorës, si "u fitua" dy herë ankandi

Tenderi për dhënien me koncesion të shoqërisë "Kripa" sh.a. Vlorë, i zhvilluar në fillim të shkurtit ka nxjerrë sërish fituese kompaninë "Alb Sale", ku edhe kësaj here vërehen shkelje. Gazeta disponon fakte të shkeljes së procedurës për tenderin, në disa pika, ku më kryesoret: konflikti i interesit në dy momente dhe mungesë eksperience nga ana e kompanisë fituese. Në tenderin e mëparshëm, u konstatuan shkelje në procedura, aq sa detyroi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të anulonte të gjithë procesin e zhvilluar në tetor 2008. Tashmë, më 9 shkurt 2009, Ministria e Ekonomisë zhvillon nga e para tenderin për dhënien me koncesion të "Kripa" sh.a. Vlorë, duke shpallur fituese sërish "Alb Sale", kësaj here me shkelje edhe më të rënda të konfliktit të interesit.

Në këshillin drejtues të kompanisë "Alb Sale" ishte anëtare Majlinda Vreshtazi, i cila largohet nga detyra më 4 shkurt 2009. Tenderi zhvillohet më 9 shkurt 2009, ku në komisionin e vlerësimit të ofertave merrte pjesë Majlinda Vreshtari, e cila ishte larguar nga "Alb Sale" katër ditë para tenderit. Ky komision shpall fitues shoqërinë në fjalë, pa marrë në konsideratë që Vreshta kishte lidhje me kompaninë private. Në tender morën pjesë dhe dy kompani të njohura e me përvojë të gjatë në tregun ushqimor.

Në këtë pikë, një shkelje tjetër lidhet me përvojën e kompanisë, e cila gjatë vitit 2008 nuk ka kryer asnjë aktivitet, ndërsa në 2007-ën vetëm 10 mijë lekë të paguara TVSH. Shoqëria "Alb Sale" është regjistruar në QKR më 18 tetor 2007. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, deri në korrik të vitit 2008, te kjo shoqëri zotëronte aksione deputeti i PD-së, biznesmeni Ndriçim Babasi, në masën 50 për qind.

Konflikti i interesit

Vendimi i qeverisë, që përcakton rregullat e vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve, sqaron qartë mënyrën e përbërjes së komisionit të vlerësimit të ofertave. Kreu VIII, paragrafi i dytë nënvizon se "nuk mund të marrin pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave personat që përbëjnë konflikt interesi me ofertuesit sipas kuptimit të ligjit ‘Për konfliktin e interesit‘". Më tej, paragrafi i tretë thotë se "çdo pjesëmarrës në komisionin e vlerësimit duhet të deklarojë se nuk ka lidhje gjaku, krushqie apo interesi me ofertuesit në procedurën konkurruese". Në këtë pikë, njëri nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Majlinda Vreshtazi (në pozicionin eksperte teknike e komisionit) ka qenë e punësuar (anëtare e Këshillit Mbikëqyrës) në shoqërinë që më pas u shpall fitues nga komisioni.

"Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave personat që përbëjnë konflikt interesi"

Ankesat

Avokati i Prokurimeve

Të kontaktuar nga gazeta, drejtues të lartë të Avokatit të Prokurimeve janë shprehur se ka pasur ankesa nga firmat në tenderin e parë për dhënien me koncesion të kripores së Vlorës dhe për këtë gjë nisën edhe hetimet. Vendimi rreth procedurave që janë ndjekur në prokurimin publik për dhënien me koncesion për 35 vjet të shoqërisë "Kripa" sh.a. Vlorë, e vetmja kompani që prodhon kripë në vend, nuk u publikua nga AvP-ja, në një kohë që Ministria e Ekonomisë shpalli anulimin e tenderit, për shkaqe që METE nuk i tha asnjëherë zyrtarisht.

Kushtetuta

Konflikti i interesit

Për sa i takon konfliktit të interesit, neni 70, pika 3 e Kushtetutës së Shqipërisë ndalon deputetët e Kuvendit të kryejnë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit. Duke iu referuar kësaj pike, Agjencia e Prokurimit Publik është shprehur për skualifikim të shoqërisë "Alb Sale", fituese e bonusit. Megjithatë, këtë çështje mund ta shqyrtojë dhe Gjykata Kushtetuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›