E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga Përmbarimi, korçarët shlyejnë kreditë e vjetra

Agjencia e Trajtimit të Kredive në Korçë deklaron se ka një rritje të vjeljes së detyrimeve nga huamarrësit e ish-bankave shtetërore të nivelit të dytë, megjithatë janë të paktën 100 dosje të cilat i kanë kaluar për ekzekutim Zyrës së Përmbarimit. Kjo do të thotë se shumë shpejt, një pjesë e madhe debitorësh që kanë marrë kredi nga bankat dhe nuk i kanë shlyer në vite do të përballen tashmë me sekuestrimin e pasurive të tyre, të trojeve, shtëpive, por edhe mjeteve të cilat janë lënë si garanci. Detyrimet në vlerë leku kapin shifra të larta dhe kryesisht janë emigrantët që janë bërë pjesë e kredive të këqija. Që nga viti 1998, sipas të dhënave statistikore që disponon ATK-ja në Korçë, vetëm në këtë zonë ishin të trashëguara 1200 raste ose huamarrës me kredi të pashlyera që varionin nga 3 milionë lekë të reja deri në 100 mijë euro. Sipas drejtorit të kësaj agjencie, Hysen Kobellari, deri më sot kanë shlyer kreditë rreth 600 huamarrës në rang qarku dhe po kaq kreditorë janë ende në procesin e shlyerjes së detyrimeve. Sipas Kobellarit, interesi për shlyerjen e kredive të prapambetura është rritur me faljen e kamatëvonesave. Gjatë këtij viti, tendenca ka qenë më shumë në rritje në zonat e Pogradecit dhe të Kolonjës, ndërkohë që mbeten problematikë debitorët korçarë dhe ata të zonës së Devollit, të cilët, duke filluar nga muaji mars, do të përballen me sekuestrimin e pasurive nga Zyra e Përmbarimit.

Sipas VKM-së të vitit 2008, u falën të gjitha interesat, kamatëvonesat dhe gjobat për të gjithë debitorët që kanë marrë kredi deri në 3 milionë lekë. Më shumë i janë drejtuar ATK-së ata debitorë, të cilët, pasi morën kredi, kanë lënë garanci pasuritë që duan t‘i çlirojnë nga barra hipotekore dhe duan të lënë trashëgiminë, ose të kryejnë veprime të tjera me pasuritë e paluajtshme, por të cilat janë të bllokuara për shkak të mosshlyerjes së kredive. Këta huamarrës janë të interesuar t‘i shlyejnë kreditë pasi në rast të kundërt ndiqet një procedurë që iu heq me një vendim gjykate dhe më pas me ekzekutimin nga Përmbarimi të drejtën mbi pronësinë. Për këtë dymujor, ecuria e vjeljes së kredive ka qenë e mirë dhe ka lëvizur vjelja e tyre në Pogradec dhe Kolonjë. Me fillimin e muajit do të ketë ndëshkime dhe masa me sekuestrim të trojeve, shtëpive dhe mjeteve të ndryshme bujqësore, që janë vënë si garanci për shlyerjen e kredive, thotë drejtori i ATK-së në Korçë. Sipas tij, 600 kreditorët kanë një shumë të madhe parash si detyrim të papaguar ndaj bankave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›