E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Rama nuk ndalen, fyerje me korrespondencë

Kur po mbushet një javë nga incidenti në Parlament mes kryeministrit dhe deputetit socialist, Taulant Balla, vazhdojnë replikat në distancë mes Ramës dhe Berishës. 

OERD ULQINI

Këtë herë kreu i qeverisë ka ironizuar Ramën duke e quajtur kryetar me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës, ndërsa nga ana tjetër kreu i opozitës e ka quajtur Berishën një njeri, që jep leksione haluçinante.
Berisha
Kreu i qeverisë ishte dje në Shijak, ku mori pjesë në inaugurimin e disa rrugëve në komunat Xhafzotaj, Salmone, Rreth. Teksa vizitonte kabinetin e informatikës në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Xhafzotaj, Berisha e quajti Ramën kryetarin me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës. "Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës, nuk guxon të futet në një laborator informatike, sepse ka alergji të tmerrshme nga IT. E vetmja gjë që ai bën është të kapë e të vërtisë 2-3 topa, edhe pse ka qenë një ndër basketbollistët më të dobët të këtij vendi, që padiste gjithë ditën shokët e tij dhe trajnerët", u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë nuk i ka kursyer ironitë për kundërshtarin e tij politik edhe gjatë inaugurimit të një rruge, me vlerë 17 milionë lekë në këtë komunë. "Do t'i kërkoj Këshillit Bashkiak të Tiranës që të masë rrugicat e shtruara, por jam i sigurt që janë shumë më pak sesa rrugët e shtruara në fshatin Xhafzotaj, Salmone, Rreth, të kësaj komune. Shkoni dhe shikoni lagjen "Don Bosko", në Tiranë, që përmbytet vazhdimisht dhe që ka baltë deri në gju dhe rrugë të paasfaltuar. Në Xhafzotaj punohet dhe kryetari i komunës nuk është me korrespodencë, por punon për komunitetin. Ky është kontrasti mes qeverisë së mirë dhe qeverisjes së shkuar", u shpreh kryeministri Berisha.
Rama
Ndërkohë nuk ka vonuar edhe reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një konferencë për shtyp Rama tha se, pas asaj që ndodhi në Kuvend, çdo agresor në rrugë është i justifikuar pasi ka dëgjuar kryeministrin. "Sipas këtij leksioni haluçinant, që Sali Berisha dhe shpura e shërbëtorëve të tij dhanë mu në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, çdo lloj agresioni i egër verbal në mjedisin tonë shoqëror është i justifikuar, çdo lloj rrugaçi, që i vërsulet me zhargonin kryeministror të asaj nate një qytetari a një familjeje çfarëdo në rrugë, në plazh, në autobus, në stadium, në park, në kafene, është i justifikuar, sepse barra e fajit, sipas shumicës së ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë ka kaluar nga agresorët tek provokatorët", u shpreh Rama. Sipas liderit të PS-së, pas këtij leksioni haluçinant të kryeministrit, rruga e vetme për të shpëtuar prej tij është bashkimi i qytetarëve përtej së majtës dhe të djathtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›