E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këta duhet të ikin

Taulant Balla 

Këto ditë kam qenë shumë më i kujdesur për të lexuar opinionet e shkruesve të ndryshëm në shtypin e ditës. Të them të drejtën jam ndjerë mirë dhe i mbështetur nga ata të shumtë, që përmes vlerësimit të paanshëm dhe korrekt, denoncuan si të paprinciptë, të pamoralshëm, të padenjë dhe të papranueshëm sulmin, dhunën dhe kërcënimet për vrasje të Sali Berishës dhe duplikatës së tij femërore, të cilës nuk dua t’i përmend as emrin. Jam ndjerë i inkurajuar nga ata miq dhe shokë, që i qëndruan pranë njerëzve të familjes sime për t’i kaluar me heshtje, maturi dhe urtësi këto ditë të vështira për ta, të fyer dhe të provokuar në moral dhe në nder. Po ndalem këtu, duke qenë i bindur se të gjitha nënat dhe motrat shqiptare, të fyera dhe prekura njëlloj sikurse nëna dhe motra ime, do t’i mbajnë mend gjatë ato fjalë prej rrugaçi, për ta ndëshkuar dhe larguar me votë njëherë e mirë fatkeqësinë më të madhe të shqiptarëve në këto 18 vjet, i ngjashëm për nga forma, përmbajtja dhe veprimi me idhullin e tij, Enver Hoxhën. 
Por në kalim e sipër të komenteve dhe opinioneve, më zunë sytë një emër të vjetër, të një politike të vjetër, të një ish-ministri të partisë sime. Kisha kohë që nuk kisha dëgjuar për të, që para dy vitesh, kur vajti dhe u mbyll tek zyrat e FRESH-it, në katin e pestë tek PS-ja dhe nuk i lëshonte, a thua i kishte pronën e vet personale. Është e vërtetë që në Shqipëri ka ca parti që janë dhe konsiderohen nga mbajtësit si prona personale, përfshirë këtu partinë në pushtet, por të them të drejtën më duket e paperceptueshme sesi mund të jesh 10 vjet kryetar i një forumi rinor, në kushtet e mungesës së rinisë së përjetshme. Ju kujtoj se kjo orvatje “forever young” i pati dhënë këtij individi një portofol ministri, zëvendësministri dhe një mandat deputeti. Mjaftueshëm për t’i thënë partisë tënde faleminderit përjetë dhe për të mos u bërë bukëshkalë.
Po e lexoja me kujdes këtë “forever young”-un, duke shpresuar se dy vjet do t’i kishin mjaftuar për t’u ftilluar dhe për të hequr dorë nga baltosja e punës së shokëve dhe shoqeve të partisë së vet, parti që e kishte bërë ministër dhe deputet. Shpresova se mos i kishin ardhur sytë dhe larë veshët, për të parë e dëgjuar veprimin më të madh politik të ndërmarrë nga një parti politike në Shqipëri në këto 17 vjet, Dialogut me Shqipërinë. Por në vend që të ftillohet, ky përfaqësues tipik i asaj politike të vjetër që na mban ende peng në batakun e Sali Berishës, vazhdon t’i japë frymëmarrje askujt tjetër, veçse Saliut.
 Si guxon ky ish-ministër, të tallet me punën tonë të përbashkët, nga kolltuku i butë i shtëpisë së vet, kur Edi Rama dhe të gjithë ne, anëtarë kryesie, anëtarë të Asamblesë Kombëtare, po shkojmë në çdo qytet dhe fshat, në çdo familje shqiptare, për të kuptuar më mirë hallet dhe problemet e tyre. Po e bëjmë këtë me bindjen se pushteti nuk është një kolltuk i ngrohtë përfitimi personal, por një përgjegjësi shumë e vështirë që kemi dhe duhet të ndjejmë, për aq kohë që kemi vendosur të jemi në politikë.
Në baltosjen e tij ky ish-ministër kishte përdorur edhe emrin tim dhe të kolegut tim Pandeli Majko, i cili ka qenë kryetar i FRESH-it para këtij ish-ministrit të vjetër. Fakti që ka ardhur pas Majkos duhet ta kishte ftilluar të kuptonte këtë ish-ministrin se pse ka ikur para Majkos nga politika.
Në përfundim, më vjen keq që e humba këtë mundësi komunikimi që me ofroi gazeta “Panorama” me qytetarët shqiptarë, me individë si Sali Berisha dhe me këtë ish-ministrin e paaftë të partisë sime. Megjithatë, duhet të merremi edhe me këta, se përndryshe vazhdojnë t’i bëjnë dëm vendit dhe shoqërisë sonë. Këta duhet të ikin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›