E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS: Reforma zgjedhore, në shtator

Megjithë optimizmin e madh për të mbyllur brenda 31 korrikut reformën zgjedhore, duket se një gjë e tillë do të lihet përfundimisht në shtator. 

ADI SHKEMBI

Këtë e konfirmuan dje bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami dhe Ilir Rusmali. Fillimisht bashkëkryetari socialist, tha në një konferencë për shtyp se “ekziston vullneti, të paktën nga ana e PS, që në javët e para të sesionit të ri kjo çështje të përfundojë”. Në të njëjtën kohë, në një prononcim për gazetën “Panorama” edhe bashkëkryetari demokrat në komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali ka lënë të hapur një mundësi të tillë duke thënë se në mbledhjen e tij të ardhshme komisioni mund t’i kërkojë Parlamentit shtyrjen me një afat njëmujor. “Ky është ritmi i punës së komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ne duhet ta shqyrtojmë idenë për shtyrjen e punës së këtij komisioni. Gjithsesi ky është mendimi im personal, dhe vetëm në një nga mbledhjet e ardhshme të komisionit mund t’i kërkojmë Parlamentit shtyrjen e punës së komisionit edhe për një muaj”, deklaroi dje Rusmali. I pyetur nëse ka një variant përfundimtar, edhe me nenin që ka të bëjë me daljen së bashku me aleatët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, bashkëkryetari demokrat në këtë komision, u shpreh se, kjo çështje nuk ka qenë ende në rendin e ditës. Por koalicionet parazgjedhore dhe ndarja e mandateve proporcionale pritet të shkaktojnë edhe debatin më të madh mes PD-së, PS-së dhe partive të vogla. E ndërsa për ndarjen e mandateve dy partitë kryesore janë në një mendje, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për marrëveshjet paraelektorale. Demokratët pritet të paraqesin variantin, i cili do të lejojë marrëveshjet paraelektorale me partitë e vogla. Ky propozim buron pikërisht nga një marrëveshje që kryeministri Berisha arriti me partitë aleate në muajin prill të këtij viti, kur u mori atyre votën për të realizuar ndryshimet kushtetuese. Sipas asaj marrëveshjeje, koalicioni i djathtë do të dilte së bashku në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe premtimi i kryeministrit ishte se, secilës parti do t’i numërohej në mënyrën më të saktë të mundshme çdo votë që do të merrte. Kjo bëri që partitë e vogla të koalicionit të votonin ndryshimet kushtetuese, ndër të cilat edhe ndryshimet e sistemit zgjedhor nga maxhoritar dhe proporcional në proporcional rajonal. Por ky propozim i demokratëve mund të mos mbështetet nga socialistët, të cilët, të paktën deri tani nuk e kanë mirëpritur një variant të tillë. 

Ndryshimet në kod

Kushtëzohen nga ndryshimet kushtetuese që parashikojnë sistemin proporcional rajonal; janë analizuar e krahasuar legjislacione nga vende që kanë sisteme zgjedhore të ngjashme, si Spanja, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Gjermania e Italia.

Sistemi elektoral për zgjedhjet e Kuvendit dhe subjektet përfshin kryesisht: Sistemin, subjektet, zonat zgjedhore, koalicionet, kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, vendet për deputetë dhe formulat e ndarjes së vendeve etj.

KQZ-ja ruan përgjithësisht kompetencat që ka edhe aktualisht. Amendamentet e përgatitura japin kompozimin dhe kriteret përkatëse, kompetencat dhe drejtimin e institucionit. Do të ketë disa mënyra për emërimin e anëtarëve të KSHZ-së, duke respektuar balancën politike midis spektrit të majtë e të djathtë. Do të ketë disa opsione për të zgjedhur drejtuesit e tij.

Komisionet zonale zgjedhore mendohet të ngrihen në të gjitha territoret e zonave zgjedhore të vendit, dhe mund të përfshijnë një grup komunash dhe/ose bashkish apo edhe njësi të veçanta të tyre, brenda kufijve të zonës zgjedhore. Numri i tyre dhe vendndodhja janë opsionale dhe do të negociohen. Kompetencat e KZZ-së janë ato aktuale, përveç nxjerrjes së rezultatit dhe numërimit të votave nëse pranohet varianti i përfshirjes së gjyqësorit në procesin e numërimit. Në formatimin e tyre do të ruhet kompozimi dhe balancimi partiak.

Komisioni i Qendrës së Votimit mendohet të jetë me kompozim partiak, me numër shumë më të reduktuar nga praktika e deritanishme. Në çdo rast do të ruhet kompozimi dhe balancimi partiak.

Numërimi i votave, i cili mendohet të jetë i përqendruar, në bazë të KZZ-ve pra, disa pika brenda një qarku dhe rezultati final nxirret nga KQZ-ja duke mbledhur rezultatet për çdo zonë zgjedhore. Opsionet bazohen në: i) Kombinimin e gjyqësorit me punonjës të administratës ose ii) Përfaqësues të partive politike.

Procedurat dhe institucionet e ankimimit mendohet të ketë pak ndryshime, duke propozuar që mekanizmi i ankimit të mbetet në përgjithësi ky që është në fuqi pra, KQZ-ja si shkallë e parë administrative dhe Kolegji Zgjedhor si shkallë e dytë.

Listat e zgjedhësve dhe identifikimi i zgjedhësve do të jenë serish produkt i regjistrave themeltare të gjendjes civile, i përditësuar nga zyrat e gjendjes civile. Burimi i vetëm do të jetë regjistri themeltar elektronik. Identifikimi i zgjedhësit në procesin e votimit do të kërkohet të bazohet vetëm te karta e identitetit.

Financimi i zgjedhjeve, kalimi i dhurimeve vetëm nëpërmjet sistemit bankar dhe me llogari të deklaruara që në momentin e regjistrimit; ulja e kontributit individual deri në 100 mijë lekë; ndalimi i kontributit nga ana e personave juridikë apo fizikë, që kanë përfituar kontrata publike apo koncesione në 4 vitet e fundit; auditimi i specializuar me anë të metodës së sondazhit nga ana e KQZ-së dhe KLSH; sanksione për dhuruesit që nuk zbatojnë ligjin.

Media, parimet e përgjithshme që përmban Kodi aktual Zgjedhor të ruhen edhe në vijimësi. Do të ruhet parimi i paritetit ndërmjet partive parlamentare për kohën televizive që vihet në dispozicion. Sanksione për ata që transmetojnë antireklamë politike; spote televizive me natyrë fyese; thyejnë balancën e kohës në favor të një subjekti. Sanksionet shkojnë nga gjoba deri në ndalim të transmetimit përgjatë periudhës së fushatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›