Si sabotuan grekët zbarkimin e Zogut për të drejtuar rezistencën
Në dokumentet e dy numrave të kaluar botuam për herë të parë, një seri faktesh të dala nga arkivat britanike mbi përgatitjet e Shërbimit Anglez për të krijuar një bazë, nga ku të filloheshin operacionet anti italiane në Shqipëri.
Auron Tare
Sipas burimeve të arkivave të SOE, viti 1940 dhe fillimi i pranverës së 1941, u shfrytëzua nga ekspertët britanikë të zyrës së Beogradit (të cilët ishin në prag të kalimit përfundimtar në bazën e re në Stamboll për të paraprirë një pushtim eventual të Jugosllavisë nga Gjermanët) për të filtruar diasporën shqiptare, e cila qëndronte në territorin Jugosllav. Ndërkohë, zyra e Beogradit kishte kërkuar disa ekspertë të tjerë, të cilët sapo kishin ardhur për të mbështetur operacionin shqiptar, i cili mendohej se do të fillonte në pranverë.
Ndërkohë, me ndihmën e Shërbimit Jugosllav u hartuan listat paraprake, te cilat do të merrnin pjesë në kryengritjen anti-italiane në Shqipëri. Sipas Raportit të hartuar në atë kohë midis një mori emrash potencialë të ofruar në Shërbimi Jugosllav ishin vëllezërit Kryeziu, i riu me pikëpamje komuniste Mustafa Gjinishi, A/H 76 një njeri me mjaft influencë në zonën e Pezës, i cili sapo ishte infiltruar në Pezë për të filluar një aksion anti italian. A. Lleshi, si dhe Zyra e Stambollit ofroi majorin Abaz Kupi. Ndërkohë, një sërë shqiptarësh të tjerë të rekrutuar nga shërbimi jugosllav apo ai anglez iu ngarkuan detyra më të thjeshta për të krijuar një rrjet korrierësh, të cilët sillnin informacion nga disa burime.
Si rrjedhim i kësaj përgatitje, disa grupe guerile ishin të gatshme për t’u futur në territorin shqiptar me mbështetjen financiare dhe ushtarake angleze dhe miratimin e shërbimit Jugosllav. Në dokumentet britanike del qartë se, burimet angleze të spiunazhit i kishin premtuar Gani Kryeziut, i cili konsiderohej edhe lideri i ardhshëm i Shqipërisë pro britanike dhe pro jugosllave, një shumë financiare prej “3.000 sterlinash për t’ua shpërndarë bajraktarëve të veriut në fillim të kryengritjes dhe rreth 40.000 sterlina flori, pasi revolucioni të fillonte”. Ndërkohë, në dokument citohet një burim shumë i lartë i ushtrisë së Jugosllavë se ushtria do të furnizonte “rebelët me 5 mijë pushkë me bajoneta, 10 milionë fishekë si dhe 25 mitraloza të lehtë”. Furnizuesi do të paguhej nga anglezët, pasi materialet ushtarake të kishin kaluar kufirin. (arkivi britanik H/PRO 300)
Plani operacional
Ndërkohë, gjatë periudhës disa mujore të transformimit të SOE., në grupin më të rëndësishëm të zbulimit dhe inteligjencës britanike në Ballkan, çështja e operacionin shqiptar kishte mbetur pezull, pasi Komanda e Mesdheut nuk e kishte aprovuar fillimin e kryengritjes anti italiane në Shqipëri. Megjithëse SIS kishte krijuar bazën e grupeve të guerileve të armatosur, do të ishte tashmë grupi i ri SOE, të cilët do të fillonin zbatimin e Operacionit. SOE solli në krye të këtij plani një prej oficerëve të saj më të njohur legjendarin W.F.Sterling një person i famshëm për luftërat e tij në kryengritjen arabe gjatë Luftës së Parë Botërore. Koloneli Sterling gjatë kësaj kryengritje kishte qenë krahu i djathte i Lorencit të Arabisë dhe ishte futur në Damask përkrah tij. Për tre vjet kishte luajtur rolin e Guvernatorit të Palestinës dhe në rrethana akoma të panjohura deri më sot, kishte punuar për 8 vjet si këshilltar i qeverisë shqiptare dhe i Mbretit Zog në veçanti. Ishte Koloneli Sterling, i cili i kishte sugjeruar Presidentit dhe më vonë Mbretit Zog, që të sillte në krye të xhandarmërisë së tij Gjeneralin Percy, si dhe një duzinë oficerësh britanike. Koloneli Sterling e njihte mjaft mirë Shqipërinë dhe propozimit të SOE për t’u vënë në krye të operacionit shqiptar ishte një zgjedhje e mrekullueshme. Sterling jo vetëm njihte vendin dhe aktorët e kryesorë të kryengritjes, por kishte mjaft miq me influencë në qarqet ushtarake dhe diplomatike angleze. Sterling pasi u njoh me detajet e operacionit të hartuar më parë nga agjentët e SIS, Shërbimit Inteligjent Britanik, e gjeti këtë plan operacional jo në nivelin e duhur dhe sipas dokumentit H/PRO 670, propozoi hapat e mëposhtme:
“Faza 1. Një sasi municionesh dhe armatimesh duheshin futur ilegalisht në Shqipëri dhe të fshiheshin në baza te sigurta për t’u përdorur në çastin e duhur. Faza 2. Një komitet shqiptarësh në emigracion duhej krijuar sa më parë për të koordinuar përpjekjet politike të këtij operacioni. Faza 3, në momentin kur Italia të sulmonte Jugosllavinë dhe Greqinë, akte sabotazhi duheshin te ndërmerreshin në territorin shqiptar në shpinë të italianëve. Faza finale, revolucioni do të fillonte në momentin kur do t’i shërbente politikës britanike në rajon për të siguruar mbështetje nga kjo e fundit.”
Ky plan operacional mori bekimin e Komandës së Mesdheut, duke marrë parasysh së Sterling ishte një figurë shumë e njohur për këtë Komandë. Ministri i Ekonomisë së Luftës Dalton, i cili ishte edhe personi përgjegjës për të gjitha operacionet e SOE, me anë të një Memo Top Sekret vuri në dijeni Kryeministrin Churcill mbi planin e Kolonelit Sterling dhe mori miratimin e këtij të fundit.
Ndërkohë Italia, e cila sipas informacionit të siguruar nga Roma pritej të fillonte një sulm mbi Greqinë në pranverën e 1941, në fakt e filloi këtë sulm në vjeshtën e 1940. SOE e cila kishte filluar para përgatitjet për një sulm të tillë duke përgatitur disa grupe guerilje në brendësi të Greqisë, me ndihmën e disa ekspertëve të SOE, si arkeologu Hamond apo Majori Barbrook, i cili kishte shërbyer në xhandarmërinë shqiptare. Këto grupe guerile në fakt, nuk luajtën ndonjë rol të rëndësishëm në avancimin italian. Disa elementë të minoritetit grek në jug të Shqipërisë ishin pjesë e këtyre grupeve sabotatore, por nuk patën ndonjë efekt të dukshëm. Emri i një Spiro Milo përmendet në raporteet e SOE, që vinë nga Greqia, por më shumë ky emër përmendet mbi historitë e familjes së tij, e cila kishte luftuar për ushtrinë greke gjate luftës turko–greke, sesa mbi rëndësinë e tij në operacionet ushtarake. Gjithsesi, Koloneli Sterling mbeti i fokusuar mbi operacionin kryesor, i cili duhej të fillonte nga veriu i Shqipërisë nën udhëheqjen e Gani Kryeziut.
Zogu vlerësohet për popullaritetin
Sipas një dokumenti të hartuar në maj të 1940, nga Seksioni D, te SIS, drejtori i kësaj zyre Julius Hannau i përmendur në shkrimet e mëparshme, shkruante se sipas informacionit që kishte, shqiptarët ishin ndarë në tre grupime. Pro zogistët, anti zogistët dhe komunistët. Seksioni D me ndihmën e Shërbimit Jugosllav ishte munduar që të mbante kontakte me të gjitha këto grupime, por tashmë Sterling ishte i mendimit se, “megjithëse mbreti Zog nuk ishte i dashur për të gjithë shqiptarët roli tij në këtë ndërmarrje ishte kryesor”. Përfundimi i Sterling mbi rolin e Zogut në këtë kryengritje, ndoshta ishte influencuar edhe nga njohja e tij personale me mbretin.
Ndoshta ka qenë influencë e Sterling, e cila i dha Mbretit Zog një vëmendje të madhe në këtë periudhë nga SOE, e cila gjithsesi u sabotua si nga qeveria greke në mërgim, ashtu dhe nga ana e jugosllavëve, të cilët e dinin mirë se tashmë ata nuk e kontrollonin dot më Zogun dhe në një Shqipëri të pas luftës, do të duhej që të mbështesnin Gani Kryeziun. Me kërkesën e Shërbimit Sekret, në Paris u dërgua Gjenerali Percy për të shpëtuar Zogun nga ndërhyrja gjermane. Ndërkohë, në Londër SOE i kërkoi Zogut bashkëpunim, i cili e pranoi dhe ishte i gatshëm për t’u parashutuar në Greqi. Tashmë nëse i lidh të gjitha ngjarjet me njëra-tjetrën duket se koloneli Sterling ka qenë një forcë e rëndësishme në ndihmë të Zogut, i cili për ironi të fatit nuk mundi të përfshihej në këto operacione të drejtuara nga ish-këshilltari i tij i dikurshëm.
Por nëse Sterling nuk mundi të tërhiqte Zogun në planet e tij, ai pa më të voglën vështirësi mundi të sillte në ekipin e tij një tjetër personazh të ish-mbretërisë shqiptare. Kolonelin Oakley Hill ish-nënkomandant i Xhandarmërisë së Zogut. Oakley Hill, i cili ka lënë edhe një ditar mbi jetën në Shqipëri gjatë kohës së tij në shërbim të xhandarmërisë shqiptare u vu menjëherë në shërbim të SOE dhe ishte i gatshëm për të udhëhequr fillimin e kryengritjes në shpinë të italianëve. Por, Oakley Hill i cili e kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës në Shqipëri dhe kishte një njohje personale me vendin dhe njerëzit kërkonte nga pala britanike, që aspiratat e shqiptarëve për pavarësi të merreshin në konsideratë nga politika britanike dhe Shqipëria të mos shihej thjesht si një fushë beteje për shërbimet sekrete. “Një premtim për restaurimin e pavarësisë së Shqipërisë, do t’i bënte liderët e saj në emigracion të riktheheshin dhe të përfshiheshin në këtë kryengritje të mbështetur nga britanikët”, shkruante ai në memot e dërguara Londrës. Ky mendim ndahej edhe nga një tjetër njohës i thellë i Shqipërisë Gjenerali Sir Jocelyn Percy, i cili i shkruante SOE:
“Ne kemi deklaruar kohë pas kohe se po luftojmë kundër Fuqive të Boshtit, me qëllim për të shpëtuar vendet e pushtuara prej tyre. Ne i kemi përmendur këto vende, por kurrë nuk kemi folur për Shqipërinë. Përse shqiptarët mos kenë lirinë e tyre? ….
Zbarkimi i anuluar i Zogut
Një tjetër qëllim i ynë është thyerja e ushtrive italiane në Shqipëri dhe kjo mund të bëhet me ndihmën e shqiptarëve dhe premtimi për pavarësinë e tyre është një çmim shumë i vogël për ne. Nëse ne do të premtojmë pavarësinë lajmi duhet të shkojë tek ata si një vendim i qeverisë britanike dhe duhet të vijë nga një person, tek i cili ata kanë besim. Mbreti Zog me gjithë gabimet e tij është i vetmi, që mund të ketë autoritet mbi të gjithë Shqipërinë”
Koloneli Edmond de Renzy Martin, i cili kishte shërbyer për xhandarmërinë shqiptare mbështeste ish-eproret e tij mbi situatën politike shqiptare duke shtuar se, “vetëm fjalët nuk mjaftojnë për shqiptarët, askush nuk do të na ndjekë nëse qeveria britanike nuk është e qartë se do të mbështesë pavarësinë e Shqipërisë. Shqiptarët nuk e çajnë kokën fare as për grekët e as për italianët, por ata duhet të kenë një ide të qartë se përse do të çohen në revolte, pasi një revoltë e tillë sigurisht që nënkupton vdekjen e sigurtë për shumë prej tyre”, do të shkruante ai.
Interesant është ky moment mjaft kyç për fatet e Shqipërisë. SOE organizata më e fuqishme sekrete britanike ishte e dominuar nga ish-këshilltarë apo miq të Zogut, të cilët nuk kishin influencë për të garantuar pavarësinë e Shqipërisë, por kishin influencën e duhur për të përfshirë Mbretin Zog në planet e një Shqipërie pro britanike. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja përse Zogu vendosi të qëndronte në Londër shumë pranë qarqeve britanike, të cilat ai mendonte se mund t’i influenconte nëpërmjet miqve të tij. Personalisht mendoj se kjo ka qenë një strategji mjaft e mencuar e Zogut, i cili mund të mbështetej në influencën e miqve të tij britanikë, të cilët ishin në kontroll të organizatës, e cila do të influenconte mjaft skenën e Luftës së Dytë Botërore. Por për ironi të fatit, SOE e sapo krijuar akoma nuk e kishte arritur fuqinë e saj të vërtetë dhe shpesh në këtë periudhë i duhej të ecte me kujdes në një fushë të minuar të politikës angleze. SOE me këshillën e këtij grupi pro Zogut iu drejtua Ministrisë së Jashtme për të marrë prej saj një premtim për një Shqipëri të pavarur. Sigurisht, nëse duam të krijojmë një ide të qartë të politikës britanike të asaj periudhe, duhet të shikojmë arkivin e Ministrisë së Jashtme, gjithsesi dihet mirë se, diplomatët e kësaj ministrie ishin mjaft të influencuar nga ndjenjat pro greke dhe pro jugosllave, dhe në asnjë mënyrë nuk lejuan që Mbretit Zog t’i jepej një rol në kryengritjen e përgatitur nga shërbimet angleze. SOE këmbënguli për një kohë të gjatë në qarqet e larta diplomatike për t’i dhënë një status të qartë Zogut dhe për t’i lejuar atij një rol në këto operacione, por diplomatët britanikë duke dashur që të mbajnë marrëdhënie sa më të mira me Greqinë, nuk donin në asnjë mënyrë të krijonin konflikt me qeverinë greke në mërgim. Diplomatët britanikë i dinim mjaft mirë qëllimet greke mbi jugun e Shqipërisë dhe me qëllim kërkonin mbajtjen e një statusi të paqartë mbi të ardhmen e Shqipërisë, duke dashur që në këtë mënyrë të garantonin një mbështetje greke në shkëmbim të pretendimeve territorial të tyre. E vetmja deklaratë që SOE mundi t’u shkëpuste diplomatëve britanikë ishte se “Qeveria Mbretërore e kishte çështjen shqiptare në zemër”, një deklaratë shumë e ngjashme kjo me atë të Musolinit. Kur SOE propozoi se Zogu mund të mblidhte në Ballkan mbështetës të shumtë për të luftuar italianët, diplomatët britanikë e refuzuan kategorikisht këtë ide duke bllokuar çdo iniciativë të SOE. SOE e kuptoi qartë se çdo përpjekje e miqve të Zogut për të përfshirë atë në lojërat politike të Ballkanit kundërshtoheshin fuqimisht nga grekët, të cilët kërkonin rivendikime territoriale të jugut. Në këtë moment kemi edhe deklaratën e Kryeministrit Metaksa, i cili u bëri të ditur Ministrisë së Jashtme britanike se ‘Zogu ishte aq i urryer nga shqiptarët, sa prezenca e tij në Ballkan do të ndihmonte italianët”. Sigurisht, ushtria greke sapo ishte futur në Gjirokastër dhe nuk ishte e përgatitur që këto territore të pretenduara prej vitesh t’ia dorëzonte një force të udhëhequr nga Mbreti Zog.
plani operacional
faza 1
Një sasi municionesh dhe armatimesh duheshin futur ilegalisht në Shqipëri dhe të fshiheshin në baza të sigurta për t’u përdorur në çastin e duhur
faza 2
Një komitet shqiptarësh në emigracion duhej krijuar sa më parë, për të koordinuar përpjekjet politike të këtij operacioni
faza 3
Në momentin kur Italia të sulmonte Jugosllavinë dhe Greqinë, akte sabotazhi duheshin të ndërmerreshin në territorin shqiptar në shpinë të italianëve
faza 4
Revolucioni do të fillonte në momentin kur do t’i shërbente politikës britanike në rajon, për të siguruar mbështetje nga kjo e fundit