E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirënjohje!

Edmond Tupja 

Po, i dashur lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime, faqe mbarë botës, pra, edhe faqe teje, i shpreh mirënjohjen time pa kufi, pa kushte e pa rezerva, zotit Kryeministër që, më në fund, e dha sinjalin që prisja prej vitesh, sidomos pas botimit të “Fjalorit erotik të gjuhës shqipe”, për përdorimin e lirë, edhe në forumin e shenjtë të legjislativit shqiptar, të fjalëve të ashtuquajtura të pista, por tejet të dobishme, tejet kurative për të ulur agresivitetin e njeriut të sotëm shqiptar, gjë që disa psikoterapistë të njohur e kanë kuptuar me kohë. Tani mezi po pres që fjalë të tilla të përdoren pa teklif (për pak sa nuk shkrova “pa prezervativ”) edhe në ekzekutivin e në gjyqësorin shqiptar. Sigurisht, këto fjalë i përdorim të gjithë në jetën e përditshme, por, ama, jo kudo, sepse gjithçka varet nga vendi, momenti dhe kuvendi. Për shembull, personat publikë përmbahen e vetëcensurohen sa herë e ndiejnë që ato fjalë u vijnë në majë të gjuhës. Por ja që zoti Kryeministër, në një çast reagimi hiperemocional, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, sallë tejet e moralshme, të paktën në sipërfaqe, e flaku tej filtrin e vet edukativ të ndërgjegjes shoqërore duke përdorur dy-tri fjalë nga më të kripurat të Fjalorit tim erotik, por, mjerisht, pa më përmendur mua, Edmond Tupen si autor, modestisht në shërbimin e medias shqiptare të lirë (deri diku), dhe pa iu referuar shtëpisë botuese, vitit e vendit të botimit, faqes etj., etj. Sigurisht do të isha ankuar për këtë shkelje të së drejtës së autorit deri tek organizmat ndërkombëtare kompetente sikur zoti Erion Braçe, deputet socialist jo më pak mediatik se unë, të mos më kishte ardhur bujarisht në ndihmë duke i dhuruar zotit Kryeministër Fjalorin në fjalë dhe duke ma përmendur emrin dhe titullin profesor. Ç’është e vërteta, këtë saktësim mund ta bënte ai dhe vetëm ai sepse dy shkronjat e para të emrit të tij shënojnë edhe fillimin e mbiemrit “erotik” (Ky mbiemër mund t’i shkonte fare mirë atij si gjysmë-pseudonim: Erion Erotiku... A nuk tingëllon më bukur sesa Erion Braçe?). Gjithsesi, i shpreh zotit Erion Braçe mirënjohjen time me po ato përmasa në të cilat ia shpreha zotit Kryeministër në krye të këtij shkrimi. Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj se, qysh nga botimi i Fjalorit tim erotik në vitin 2004, një kopje të tij ia kam dhuruar vetëm një politikani shqiptar, asokohe e ende sot kryebashkiak i Tiranës, pra, piktorit, shkrimtarit, polemistit e mikut tim të dikurshëm Edi Rama. Në fakt, nuk më kishte shkuar hiç ndërmend t’i dhuroja një kopje kryeministrit, presidentit apo kryetarit të atëhershëm të Kuvendit. Zoti Erion Braçe u tregua më i shkathët se unë dhe për këtë e përgëzoj. E përgëzoj sinqerisht dhe po aq sinqerisht i shpreh atij druajtjen, madje edhe frikën se mos do të na duhet, atij, si agjenti im letrar de facto, dhe mua, si autor de jure dhe po aq de facto, t’u dhurojmë nga një kopje të Fjalorit në fjalë gjithë deputetëve, të djathtë e të majtë shKARtisur por jo përLESHur bashkë (më falni për këto dy fjalë me kumbim të theksuar erotik). Nëse kjo do të ndodhte apo do të duhej detyrimisht të ndodhte, atëherë do t’i përgjërohesha zoti Erion Braçe, si deputet që është, të ndërhynte pranë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në mënyrë që kolegu dhe miku im i ri FrançesK ARmadhi (më falni përsëri për kumbimin erotik të emrit e të mbiemrit të tij shqiptuar me një frymë) të lejohej të futej në sallën e Kuvendit dhe, me një tezgë gjysmë blu e gjysmë rozë në qafë, mbushur me fjalorë erotikë nga të mitë, të qarkullonte midis zonjave deputete dhe zotërinjve deputetë për t’i dhuruar secilës e secilit nga një kopje; pas kësaj, do të ishte mirë që si pozita ashtu edhe opozita, secila më vete, të mblidheshin gjatë pushimeve midis seancave parlamentare, për të organizuar lexime kolektive, pra, me zë të lartë, të Fjalorit tim erotik që nënat dhe baballarët e kombit të mësoheshin me terminologjinë e tij e të mos skandalizoheshin më sa herë që njëra a njëri prej tyre do të përdorte këtë apo atë fjalë të kripur, pra, të shijshme, në fund të fundit. (Sqarim: natyrisht fjalorët erotikë që do t’u dhuroheshin deputeteve dhe deputetëve do të bliheshin te botuesi im falë një fondi të posaçëm të Kuvendit që zoti Erion Braçe do ta siguronte duke ndërhyrë pranë Kryesisë së Kuvendit edhe ëmbël, edhe vendosmërisht si një Braçio di Ferro i vërtetë).
Së fundi, do të ndihesha i lumtur sikur jo vetëm zoti Kryeministër (i kujtoj lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm se, ende student apo mjek i sapodiplomuar, ai mësoi përmendsh Fjalorin rusisht-shqip prej 25 mijë fjalësh), por edhe politikanet dhe politikanët shqiptarë pa përjashtim të të gjitha partive ta mësonin përmendsh Fjalorin tim erotik: a do të kishte vallë psikoterapi më të mirë për ta? Në këtë mënyrë, atyre do t’u binte agresiviteti në marrëdhëniet brenda dhe jashtë llojit të tyre, fjalët e ashtuquajtura të pista do të rehabilitoheshin plotësisht e do të fitonin të drejtën e qytetarisë në instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe, së fundi por jo më së paku, botuesi im do të ma ribotonte Fjalorin erotik, çka do të ishte në dobi të atyre që më duan, por edhe, sidomos, të atyre që nuk më durojnë dot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›