E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfen bodigardi:Jeta e panjohur e Fatos Nanos

 

Afrim Imaj

“Fatos Nano nuk është vetëm ai që është shfaqur publikisht, kryetari i PS-së, lideri historik i të majtës, kreu i qeverisë së socialistëve. Madje, as ai i thashethemnajave të gjithfarëlloj, që dëgjohen lart e poshtë. Përtej këtyre është Nano tjetër, miku, shoku, prindi, njeriu i pasionuar për futbollin, notin, makinën, humorin...”Rrëfyesi që pretendon se njeh një pjesë të këtij profili të padukshëm të Fatos Nanos, ka shërbyer gati 15 vjet pranë tij. Viktor Agolli është gjendur te lideri historik i të majtës, kur mori drejtimin e PS të dalë nga transformimi i ish-partisë Komuniste dhe ka bërë bodigardin, fillimisht vullnetar e mandej rrogëtar si pjesëtar i grupit të ruajtjes së personaliteteve shtetërore. Është shkëputur zyrtarisht nga kjo detyrë në vitin 2005, por ka mbetur i lidhur shpirtërisht me njeriun, të cilit i ka besuar si prindërve të vet. Tani që është larg tij është i përditshëm te selia e PS-së, gjithnjë i qetë, i vëmendshëm e i kujdesshëm në bisedat për ish-shefin e dikurshëm. Bashkë me brengën për mënyrën si është ndarë me të, përjeton makthin e mungesës së pakuptimtë të Nanos te selia e PS. “Tori i Nanos”, siç i thonë shpesh të tjerët, mbetet hezitues ndaj interesimit për të rrëfyer përjetimet e dikurshme nga shërbimi në krahë të liderit historik, i bindur se kështu do të prishte një pakt të pashkruar me ish-shefin e tij. Gjithsesi, edhe kur i rikthehet retrospektivës së atyre viteve, mundohet të jetë i përmbajtur, konkret e i saktë. 
Në një intervistë për gazetën “Panorama” “, 50-vjeçari Agolli pranoi të zbardhë një pjesë së të pathënave nga jeta e liderit historik të së majtës, me të cilat është njohur gjatë periudhës së shërbimit pranë tij. I rezervuar për mos të hedhur në publik sekrete profesionale të detyrës, mundohet të përshkruajë historinë 15-vjeçare të lidhjeve me Fatos Nanon, të cilit nuk parapëlqen ta thërras me emër, por thjesht “shefi”. Nga kujtesa seleksionon përjetime të ndryshme, duke ndaluar gjatë në ngjarje të nxehta siç vlerëson ai burgosjen e Nanos, protestat masive në mbrojtje të tij, çastet e ceremonisë mortore të nënës kur  vuante dënimin në Bënçë, daljen nga burgu, dhunën e 14 shtaorit ‘98, largimin në Maqedoni gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, divorcin me Rexhinën, dasmën me Xhoanën, përplasjen me Ilir Metën dhe liderë të tjerë të së majtës e deri te përcjellja e të atit, Thanasit, që ndërroi jetë para disa muajsh. Teksa flet për profilin e panjohur të Fatos Nanos, 50-vjeçari Agolli kujton hobin e shefit për makinën, futbollin, notin, humorin dhe natyrën e prirur për t’i befasuar të tjerët me batutat e papritura.
Si një nga njerëzit që ka qëndruar pranë liderit historik, ai hedh poshtë opinionin se Nano ka qenë maniak i alkoolit. Për 15 vjet me radhë pranë tij, nuk më ka qëlluar asnjëherë, thotë Agolli, ta shikoj shefin të dehur... 
 Si u gjende te Fatos Nano dhe fitove besimin e tij për të bërë bodigardin?
Me Fatos Nanon jam njohur në fillimin e viteve ‘90, fill pas  vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Jam gjendur tek ai kur Partia e Punës kishte marrë emrin e ri. Në atë kohë selia e PS-së ishte te zyrat e ish-Komiteti Qendror. Kam shkuar aty bashkë me tre shokë të tjerë, me të cilët njihesha më parë. Ideja jonë kishte të bënte me mbështetjen për liderët e rinj që kishin ardhur në krye të së majtës. Çuditërisht, kur shkonim për t’u takuar me ta, zyrtarë të hershëm të ish-Partisë së Punës, që kishin marrë rrogën prej vitesh në zyrat e asaj selie, apo me bekimin e zyrtarëve të saj, iknin fshehurazi dhe të nesërmen i shikoje te zyrat e PD-së.
A njiheshe më parë me Fatos Nanon?
Nuk më kishte qëlluar ta takoja më parë Fatos Nanon. E kam njohur nga komunikimet që bënte në atë periudhë në televizor si përfaqësues i së majtës. Aty kam fituar simpatinë për të. Vizioni dhe këmbëngulja që demonstronte për të ruajtur vlerat e qenësishme të zhvillimeve historike shqiptare, me thënë të drejtën më bënë për vete. Ishte koha kur vrulli i transformimeve politike mund të dilte jashtë kontrollit e të përfshinte gjithçka që gjente përpara. Fatos Nano i doli për zot ruajtjes së ekuilibrit dhe njerëzve të ndershëm, që për arsye të ndryshme kishin pasur lidhje me ish-Partinë Komuniste. Pikërisht atëherë kur thirrja e forcave të reja me profil antikomunist arriti kulmin e agresivitetit, shfaqja e Nanos në mbrojtje të tyre u bë një faktor i rëndësishëm në balancimin e korrenteve politike.
Ishte ky pozicionim i tij në atë situatë kritike për të majtën shqiptare, që më shtyu t’i shkoja në ndihmë, së paku për ta ruajtur nga turmat e pakontrolluara, që e kërcënonin orë e çast...
Çfarë ju lidhte me alternativën politike që mbronte Nano në atë periudhë?
Unë asnjëherë nuk kam qenë i angazhuar politikisht. Simpatia për Nanon ishte krejt spontane. Më parë, nuk kisha pasur asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me partinë e tij, e cila së fundi shfaqej me një program dhe alternativë të re. Ishte një dëshirë e brendshme për t’i qenë pranë në kohën, kur sulmohej nga të gjitha anët vetëm për arsye politike. Ndoshta vrulli i moshës dhe ndjenja e solidaritetit për dikë që ndodhet në pozita jo komode, më bëri të marr vendimin për t’i qenë pranë atij. Alergjia ndaj Nanos në fillimet e proceseve demokratike u artikulua në mënyrë të tillë, sa që rrugët e Tiranës ishin mbushur me patrulla kundër tij. Nanua për ata që shkruanin e bënin karikatura nëpër mure e rrugica, kishte qenë Stalini, Kastro e Hitleri i Shqipërisë. Kriminel, sadist, gjakpirës, inkuizitor, ishin vetëm një pjesë e epiteteve që dëgjoheshin nga turmat e eksituara nga forcat e të djathtës...
Me se ishit marrë deri në atë kohë?
Kam qenë një punëtor i thjeshtë, me profesionin e mekanikut në SMT-në e Kamzës. Aty isha edhe me shtëpi. Ndershmëria dhe solidariteti ishte pjesë e edukatës familjare, ndërkohë që këto  cilësi m’i inkurajonte edhe rrethi i shokëve e kolegëve të punës në ndërmarrje. Ka qenë një kolektiv i mrekullueshëm me mjeshtër të zotë, por edhe shokë të mirë. Gjatë kësaj periudhe që përkon me rininë time kam ushtruar sportin e futbollit, të cilin e kam pasur pasion qysh në fëmijëri. Kam luajtur disa vite me ekipin “Dajti” në pozicionin e portierit. Kolektivi i skuadrës më ka mësuar shumë gjëra. Shkurt, kur shkova te Nano isha një punëtor sportist, i rritur me djersën e ballit, në gjirin e një familjeje të thjeshtë, që edhe bukën e gojës e kishim nxjerrë me shumë mundime. Nano me mënyrën si propagandonte alternativën e tij në atë periudhë, të krijonte bindjen se do të dilte garanti i kësaj shtrese. Prandaj edhe vendosa për t’i shkuar në ndihmë...
U kujtohet kur e keni takuar Nanon për herë të parë?
Takimi i parë me Nanon ka qenë interesant e mbresëlënës.
Krejt spontanisht, me disa nga miqtë e mi vendosëm t’i vinim në mbështetje Partisë Socialiste dhe liderëve të saj, kur ata anatemoheshin me një lloj urrejtje. Me këtë mendim në kokë, guxova për të hyrë për herë të parë në selinë e KQ. Ta ndërmerrje më parë këtë aventurë, patjetër që do të përfundoje në Burrel apo në Spaç. Te hyrja takova një grua të vjetër, që me sa duket ishte dezhurni i radhës. Më ndaloi dhe më pyeti se ku do të shkoja. I thashë se do takoja liderët e PS-së dhe po të kishte mundësi do të takoja edhe Nanon. Pasi më pa me një lloj habie, më tha se mund të shkoja. U ngjita lart. I pari që takova ishte Musa Ulqini. E kisha njohur më parë nëpërmjet televizionit. Na mirëpriti dhe e vlerësoi shumë gatishmërinë tonë për t’i ardhur në ndihmë. Kur i thamë se donim të takonim Nanon, na ndihmoi dhe vetëm pas disa çastesh na përcolli te zyra e tij. Bashkë me mirëseardhjen Nano na uroi për veprimtarinë tonë në mbështetje të së majtës. Dukej i thjeshtë e popullor. Na tha se, partia që ai drejtonte do t’u vinte në ndihmë pikërisht shtresës sonë të punëtorisë dhe të njerëzve të thjeshtë. Ndenjëm gati gjysmë ore atë ditë. Të nesërmen e në vazhdim do takoheshim çdo ditë...
Çfarë përshtypje u la Fatos Nano gjatë atij takimi?
Ndryshe nga sa e kishim parë në televizor, ku shfaqej si zyrtar e njeri serioz, gjetëm një Nano tjetër, të thjeshtë e hokatar, të shtruar në bisedë e çapkën në komunikim. Gjithçka që konstatuam në takimin e parë me të kishte atë nervin e shokëve tanë, e djemve të thjeshtë të Tiranës. Të tillë e kishte edhe zhargonin që përdorte.
Cilët ishin shokët tuaj, me të cilët shkuat vullnetarisht në mbështetje të Fatos Nanos?
Ishte një duzinë çunash, që ofruan gatishmërinë e tyre në mbështetje të PS-së dhe të Fatos Nanos. Kuptohet, ne nuk shkonim për të bërë bodigardin, pavarësisht se më vonë do të ishte vetë Nano që do të bënte përzgjedhjen e njerëzve, që u ofruan ato ditë të vështira te selia e të majtës për të bërë këtë punë. Shkova vullnetarisht roje te Fatos Nano bashkë me Bedri Merhorin, Agim Lleshin, Andon Gjergjin, Shkëlqim Sulejmanin e Bilal Semanajn. Ishte thjesht një ndjenjë spontane, një përkushtim i momentit. Ato ditë as që bëhej fjalë për bodigard e oficer shoqërimi. Ishin zhvillime të vrullshme dhe e majta, PS-ja pra, dukej si e zënë në faj. Të gjitha përgjegjësitë e sistemit komunist, opozita e dalë rishtazi në skenë pas vendosjes së pluralizmit, ia adresonte asaj dhe kryesisht Fatos Nanos. Për të ishte krijuar një klimë mbytëse. Mënyra se si Nano i suportonte goditjet, reagimet e tij përballë sulmeve të jashtëzakonshme, të them të drejtën të bënin për vete...
A kishte të tjerë, që u ofruan vullnetarisht te Fatos Nano në ditët e para të PS-së?
Njerëzit që ofroheshin ato ditë te zyrat e PS-së ishin të shumtë. Veçanërisht pjesa e të rinjve dukej më aktive dhe më e gatshme për të marrë përsipër detyra konkrete. Më ka tërhequr vëmendjen ato ditë pjesëmarrja e përditshme e djemve të Balit, kështu i njihnin të paktën ato ditë. Ata, pesë vëllezër vinin qysh në mëngjes dhe ishin të fundit që dilnin nga selia e PS-së. Me sa më kujtohet njeriu që u bë shkas për praninë e tyre ishte kirurgu Sul Kuqi, një miku i hershëm i Nanos, i cili i kishte kushërinj.
E vërteta është se djemtë e Bales u investuan totalisht në veprimtaritë e PS-së, sidomos në vitet e para dhe gjatë kohës që ajo ishte në opozitë.
Çfarë mendoni se vlerësoi Nano te juve, që ju përzgjodhi për bodigard?
Nuk di si t’i shpjegoj konkretisht arsyet, që e shtynë Fatos Nanon për të më caktuar bodigard. Përveç gatishmërisë, mendoj se karakteri impulsiv i trashëguar nga krahina e vendlindjes dhe të ushtruarit e sportit, kanë qenë përcaktuese në këtë zgjedhje. Gjithsesi, unë fillova pranë tij vullnetarisht bashkë me disa shokë të tjerë. Besimi që pati tek ne, mënyra si na ofronte shoqëri, na impononte ta ndiqnim nga afër, të rrinim pranë tij
për orë të tëra.
Çfarë mbani mend nga ditët e para të shërbimit pranë Nanos?
Ka qenë periudha që Nano ishte në opozitë. Të gjitha bateritë e strukturave të shtetit suleshin ndaj tij me tërbimin më të madh. Megjithatë, Nano nuk tërhiqej nga aktiviteti politik dhe konsekuenca në alternativën që përfaqësonte. Pikërisht në këtë periudhë, ai u bë protagonisti i angazhimeve për krijimin e FRESH-it. Ne, një grup të rinjsh, që kishim përqafuar idealin e të majtës qysh në fillimin e viteve 90, ja nisëm nga veprimtaria për krijimin e strukturave të kësaj organizate rinore që do ti jepte frymëmarrje parisë së transformuar nga Nano pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Më kujtohet rrugëtimi i parë drejt veriut. Krijuam FRESSH-in në Tropojë, në Krumë, në Fushë-Arrëz, në Kukës etj. Me praninë e FRESH-it në jetën publike zhvillimet politike u futën në një cikël të ri. Liderët e këtij forumi të zhveshur nga komplekset e së kaluarës për të cilën e djathta mbante të kryqëzuar lidershipin e socialistëve të ardhur nga partia ish komuniste, u bënë mbështetja më e fuqishme e forcave të majta. Është kjo një periudhë ku Nano u shfaq më energjik se kurrë, këmbëngulës e i kudondodhur. Ulej shtruar me njerëzit, me veteranët, minatorët, të rinjtë, madje edhe me ata që i zinin rrugën dhe e shanin. Durimi i tij në dialog nuk shterej as atëherë kur turma të organizuara qëllonin me gurë makinën, në të cilën udhëtonim. Ngjarje të tilla shpeshherë na bënin që të stepeshim, po falë kurajës së tij në asnjë rrethanë nuk e lëshuam veten.
U ka qëlluar të ktheheni nga rruga gjatë asaj periudhe kur sulmoheshit nga turmat e panjohura?
Nano ka qenë gjithnjë i prirur për t’iu shmangur ballafaqimeve të dhunshme. Në të gjitha rastet kur konstatohej një përplasje e mundshme me turma të eksituar, ai gjente mundësinë për t’u tërhequr nga përplasja që mund të pasonte me situata tragjike.
Ka qenë njeri i çuditshëm Nanua gjatë asaj periudhe. Në situatën më kritike, më të vështirë, prodhonte rrethana interesante nëpërmjet së cilave të bënte të ndjeheshe mirë, pavarësisht se kishe përjetuar tensionin më të madh. Kam qenë i pranishëm kush e di sa herë kur ai është ulur me huliganë të ndryshëm, që janë paguar për ta fyer e ofenduar dhe është ndarë me ta si shokë. Ua ka nxjerrë me mjeshtëri njeriun që i ka organizuar, pastaj ka gjetur kohën e është argëtuar me ta, herë me një gotë raki e herë me shaka e humor...

“Tori i Nanos”, bodigardi i liderit historik të PS-së

Ka shërbyer 15 vjet pranë liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, dhe aktualisht është i papunë. Pesëdhjetëvjeçari Viktor Agolli, ose “Tori i Nanos”, siç i thonë ata që e njohin, ka lindur në Plovisht të zonës së Gorë Oparit dhe ka ardhur me familjen në Kamzë të Tiranës, kur ka qenë ende fëmijë. Ka përfunduar shkollën e mesme dhe deri në vitet ‘90 ka punuar si mekanik në stacionin e makinave dhe traktorëve. Me shkrirjen e ndërmarrjes ka dalë në asistencë. Për disa vite me radhë ka luajtur në klubin “Dajti” në ekipin e futbollit. Në vitin 1997 është bërë pjesë e Gardës së Republikës dhe ka shërbyer në grupin e shoqërimit të Fatos Nanos. Pas përfundimit të Akademisë së Rendit në vitin 2000, ka kryer disa kurse kualifikimi për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore, në fillim në Egjipt e mandej në Izrael. Është i martuar dhe ka tre vajza, të tria studente. Përvetëson gjuhën serbo-kroate.

neser do te lexoni

Rrëfimi i bodigardit për ditët më të vështira të Fatos Nanos.

Tronditja e burgosjes më 30 korrik 1993 dhe prapaskenat e Prokurorisë së Tiranës.

Kush i çonte cigaret "Kamel" te 313-ta dhe si bëheshin takimet në dhomën e izolimit.

Elektricisti i burgut, që bashkëpunoi me bodigardët dhe mënyra ilegale e futjes së uiskit në qelinë e Nanos.

E veçanta e shoqërisë me Gaz Demin dhe miqtë më të afërt të liderit të prangosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›