E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore do të shtyhet për në shtator

Dy partitë e mëdha kanë dështuar në realizimin e reformës zgjedhore brenda këtij sesioni parlamentar, duke i shtyrë ndryshimet më të rëndësishme për në sesionin tjetër pas pushimeve të verës. Ndërkohë që kanë mbetur pak ditë në dispozicion të Kuvendit për të votuar këto ndryshime, dy partitë e mëdha nuk kanë akoma gati propozimet më të rëndësishme për kodin e ri zgjedhor. Kështu duket qartë se kjo reformë do të kalojë për në vjeshtë, kur partitë do të kenë më shumë kohë për të realizuar ndryshimet në funksion të zgjedhjeve të reja parlamentare të 2009-s. Ndërkohë dje Partia Socialiste ka shprehur shqetësim për respektimin e afateve kohore nga ana e qeverisë për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. PS kërkon afate të qarta në lidhje me shpërndarjen e tyre. Në një deklaratë për shtyp, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami tha dje se procesi i pajisjes me kartat e identiteti do të përfundojë brenda muajit prill 2009. "Qeveria duhet të orientojë kalendarin e veprimeve për pajisjen e të gjithë shtetasve me karta identiteti, në mënyrë të tillë që të gjithë zgjedhësit të jenë të pajisur me to, jo më vonë se muaji prill 2009, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen në afatin kushtetues, jo më vonë se qershori i vitit 2009”, - tha Islami. Gjithashtu, ai kërkoi të bëhet publik numri i saktë i zgjedhësve që do të duhet të pajisen më karta identiteti, të saktësohet koha e nevojshme që do t’i duhet kompanisë franceze deri në pajisjen e shtetasit të fundit me kartë identiteti, si dhe të përcaktohen të gjitha mekanizmat ligjorë e infrastrukturorë që detyrojnë dhe nxisin shtetasit për t’u pajisur me kartë identiteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›