E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama po bëhet arkitekt i të djathtës pasi çoi të majtën nga disfata në disfatë

Share

Kryeministri sulmon Topin duke thënë se është në prehrin e Ramës kurse për Spahiun tha se ai është i partisë Portokalli. Berisha tha se pret që opozita të votojë për kufizimin e imunitetit

Kryeministri Sali Berisha ka komentuar në mbledhjen e grupit parlamentar të PD edhe qëndrimet e fundit të kreut të PS, Edi Rama, se PD është çarë në tresh. Berisha përsëriti sërish se presidenti Topi është në prehrin e Ramës, ndërsa shtoi se Rama e ka udhëhequr të majtën nga disfata në disfatë. Rama po bën përpjekje për tu bërë arkitekt i të djathtës. Pasi e udhëhoqi të majtën nga disfata në disfatë, thotë si tia bëj me të djathtën. Unë i them zotit Rama: nga themelimi i PD deri më sot, ka një histori të atyre që e servirin sapunin për djathë. Spahiun nuk guxonte ta votonte për ta shkarkuar nga KLD. Tani thotë po çahet e djathta. Pra, megjithatë, mendoj se komenti më i mirë për të gjitha këto është: no comment, tha Berisha.

Kryeministri tha se përgëzon opozitën që ka miratuar në parim ligjin për Gjykatën Administrative dhe shtoi se pret që opozita të bashkëpunojë edhe për ligjin e kufizimit të imunitetit. Përgëzoj Komisionin e Ligjeve që nisi shqyrtimin e një projektligji të rëndësishëm për botën e biznesit dhe administratën. Është ligji i Gjykatës Administrative, i përgatitur me ekspertizën më të mirë. Partia Socialiste ka miratuar në parim ligjin. E përgëzoj. Ka kërkuar konsultime të mëtejshme dhe kjo është normale. Shpresoj të mos e bllokojnë në ndonjë datë tjetër kur të diskutohet për Shqipërinë. Uroj të tregojë të njëjtin vullnet për kufizimin e imunitetit. Ata janë milionerë që çdo ditë dalin e flasin për para. Ku e kishin gjetur atë Keti Bozhdarin që një në tre fjali thotë pare, tha Berisha.

Kryeministri ka folur sërish përpara deputetëve për përhapjen e internetit në vend. Përdorimi i internetit në harkun kohor 12 mujor ka njohur rritjen më të lartë, rritje me shpejtësi kuantike. Është rritur me 340 përqind. U ndala në këtë çështje sepse kur kjo forcë politike shpalli në vitin 2006 si objektiv madhor Shqipërinë në moshën dixhitale, kjo ishte një nga nismat që hasi skepticizmin e opozitës, jo vetëm të saj. Shqipëria dixhitale është Shqipëria në të cilën qytetarët e saj disponojnë potencialet më të mëdha. E drejta për komunikim është sinonim i të drejtës për të vërtetën. Kjo rritje ka ndodhur pas licencimit të 3G-së, tha Berisha.

Kryeministri premtoi sërish se për shqiptarët do ketë çmimet më të ulëta të internetit. Pasioni i shqiptarëve për celularët dhe komunikimin është shumë i madh. Dua të përshëndes këtë progres të jashtëzakonshëm të vendit drejt Shqipërisë dixhitale. Ka një problem për tu zgjidhur dhe ai qëndron në çmimin e internetit. Qeveria po merr masa që shqiptarët të blejnë internetin më të lirë në Europë. Posta Shqiptare ka përgatitur masterplanin për 1200 pika për dhënie interneti falas. Jemi ndër të paktët vende në botë që ofrojmë internet falas për qytetarët e vet, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›