Berisha del në konferencë shtypi në PD për të prezantuar zëdhënësen e re
Shfaqet në selinë e PD Berisha pasi zëdhënësja i largohet me leje. Vendoset në detyrë një gazetare e ABC News. Berisha: Ajo do jetë zëdhënëse e fushatës fituese në zgjedhjet e ardhshme
Pas shumë kohësh pa dalë në konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha u shfaq befas për të shpallur se zëdhënësja e PD, Albana Mustafaraj largohej nga detyra me leje dhe në vend të saj vinte një gazetare e ABC News. Berisha foli me elozhe të jashtëzakonshme për të dyja, ndërsa në fund nuk pranoi asnjë pyetje duke thënë se nuk ka gjë më të rëndësishme se ndryshimi i zëdhënëseve. Më poshtë fjala e tij.
Jam këtu për të falënderuar zonjën Albana Mustafaraj për punën e shkëlqyer që ka bërë që nga momenti i emërimit të saj nga kryetari i PD në postin e rëndësishëm, delikat dhe me përgjegjësi të madhe: zëdhënëse e Partisë Demokratike. Albana ka qenë një zë qytetar, i besueshëm dhe ka paraqitur para shqiptarëve qëndrimet e forcës politike, qëndrimet e PD. Albana pati shansin e madh të jetë zëri i PD-së në një nga betejat më të rëndësishme të 20 viteve të fundit, betejën për ndryshimin e Tiranës dhe unë jam dëshmitar me çfarë interesi të jashtëzakonshëm ndiqnit ju informacionet e dhëna.
Për një arsye strikt personale detyrohet të kërkojë një periudhë të caktuar leje, por siç dihet ky post vakuum nuk pranon, ndaj dhe kam kënaqësinë e veçantë të paraqes përpara jush zëdhënësen e re të Partisë Demokratike, zonjushën Silvi Bardhi, gazetare e talentuar me një eksperiencë në mediat elektronike dhe media të tjera të vendit dhe të huaja, të suksesshme, plotësisht të suksesshme. Silvia ka punuar në Kosovë dhe mund të them me një efikasitet të lartë. Në Klan Kosova, BBC Ëorld në kronika të caktuara. Natyrisht e ka patur të vështirë shkëputjen nga Prishtina, mbasi aty njohu dimensionin tjetër të botës shqiptare. Por për Silvinë Tirana ishte magneti, ndaj dhe u rikthye si gazetare në ABC. Kronikat e saj janë nga më të plotat, më mbresëlënëset dhe qarkullojnë në katër anët e kontinentit në YouTube. Vjen si një spikere, zërin e së cilës e kanë dëgjuar me admirim miliona e miliona shqiptare. Dua ti uroj suksese. Formimi dhe përkushtimi që ka ndaj kësaj force politike që daton në fëmijërinë e hershme të saj, tradita që gjen nga dy pararendëset e saj, janë garanci e një suksesi të vërtetë. Një betejë po ravijëzohet në horizont. Kjo beteja është fitorja e 2013-ës si një verdikt i shqiptarëve për të ecur në projektin e tyre Shqipëria, vendi i zhvilluar. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti uroj Silvisë shumë suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme dhe me besimin tim se do ta kryesh këtë gjë. Hajt urime!