Berisha: PS-së të tregojë vullnet për heqjen e imunitetit
Kryeministri Berisha përgëzoi sot shqyrtimin e ligjit për gjykatën administrative në komisionin e ligjeve ndërsa i bëri thirrje opozitës që të mos e përdorë për një datë tjetër që të bllokojnë Shqipërinë. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë edhe për heqjen e imunitetit.
“Përgëzoj komisionin e ligjeve që nisi sot shqyrtimin e një ligji të rëndësishëm për të gjithë botën e biznesit por edhe për administratën, siç është ligji i gjykatës adminstrative.PS-ja ka miratuar në parim ligjin që prej 2 vjetësh nuk e bëri por e përgëzoi dhe ka kërkuar konsultime për të cilat është normale por të mos e përdorë për të pritur një datë tjetër kur të diskutohet për Shqipërinë” ka theksuar Berisha.
Ndërsa i kërkoi opozitës që të njëjtin vullnet të tregojnë edhe për ndryshimin e imunitetit, Berisha ironizoi edhe kreun e PS-së i cili sipas tij kërkon të bëhet arkitekt i së djathtës. "N.q.se janë të çliruar nga një grup i vogël milionerësh që siç e keni vënë re që në çdo pamje televizive flasin vetëm për pare. E kanë ngulitur deri në palcë që për të qënë socialist i efektshëm duhet të jetë milioner” shtoi Berisha.
Ndërsa i është referuar largimeve nga PD-ja, kreu i mazhorancës theksoi se të gjithë ata të cilët kanë kërkuar tua servirin sapunin për djath shqiptarëve, kanë dështuar. Berisha sulmoi sërish kreun e opozitës, Edi Rama, i cili sipas kryeministrit “ po kërkon se kujt t`ia hedh Bamirin në prehër”
“Pasi e detyroi të votojë, tani e ka kapë halli se në ç`ferrë do ta vendosë. Unë i them Ramës se viti i themelimit të PD-së, ka një histori, kanë dështuar të gjithë ata të cilët janë përpjekur tu servirin sapunin për djathë. Se atë faqeziun nuk votoi për shkarkimin nga KLD-ja, sepse nuk guxonte të votonte, partitë Portokalli. Tani derdh lot krokodili se po përçahet e djathta. Mendoj se komenti më i mirë është “No Koment.” theksoi kryeministri.
Kryeministri Berisha iu referua sot edhe internetit duke theksuar se përdorimi i tij është rritur me 340 përqind në një hark kohor prej 12 muajsh. “Përdorimi i interneti në harkun kohor 12 mujor ka njohur rritjen më të lartë, me shpejtësi kuantike, është rritur me 340%. Unë u ndala në këtë çështje, sepse kur kjo forcë politike shpalli në vitin 2006, si objektiv të saj madhor, Shqipërinë në moshën dixhitale, kjo ishte një nga nismat që u mbulua me skepticizmin të opozitës shqiptare dhe jo vetëm opozitës. Por Shqipëria dixhitale është Shqipëri në të cilën qytetarët e saj disponojnë potencialet më të mëdha të komunikimit, e drejte për komunikim është sinonim i të drejtës për të vërtetën” shtoi Berisha.
Ndërsa pranoi se çmimi I internetit është ende i lartë, kryeministri tha se qeveria po merr të gjitha masat që shqiptarët të mund të blejnë internet me çmimin më të ulët në Evropë.