E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Xhaferaj premton unazën, Dako ndërtim shkollash

Durrës Kandidati demokrat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Durrës, Ferdinand Xhaferaj, prezantoi dje projektin e unazës së qytetit, i cili kërkon fondin prej 3,8 milionë eurove për t’u zbatuar. Xhaferaj e cilësoi unazën si “një ndër projektet më të rëndësishme për vetë zhvillimin që do t’i japë qytetit, duke balancuar qendrën me periferinë e tij”. Ndërtimi i saj është parashikuar në tre segmente. “Ndërtimi i unazës është një ndër projektet më të rëndësishëm për mua, duke parë impaktin që ky projekt do t’i sjellë qytetit”, - tha Xhaferaj. Në anën tjetër, kandidati i opozitës, Vangjush Dako, premtoi se do të ndërtojë dy shkolla të reja 9- vjeçare dhe një shkollë të re të mesme në zonën e ish-Kënetës. “Arsimi është një element kyç për zhvillimin dhe emancipimin e të gjithë shoqërisë. Nisur nga kjo deviz, qëllimi ynë është jo vetëm të rikonstruktojmë shkollat ekzistuese në të gjithë Durrësin, por të ndërtojmë edhe shkolla të reja, të denja me zhvillimin modern ku ka hyrë qyteti ynë i dashur. Gjatë katër viteve që vijnë, ju premtoj publikisht se do të ndërtoj dy shkolla të reja 9-vjeçare në Durrës dhe një shkollë të mesme në “Durrësin e Ri” (ish- Këneta)”, - tha Dako.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›