E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Rama po përpiqet të maskojë përgjegjësinë për humbjen”

Kryeministri komenton situatën paszgjedhore në një intervistë për “Zërin e Amerikës”

Ilirian Agolli

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se zgjedhjet e përgjithshme janë një fitore e rëndësishme për të vazhduar projektin e Shqipërisë europiane. Zoti Berisha tha se ende nuk kanë filluar negociatat me LSI-në për qeverinë e re dhe se në bashkëpunimin mes këtyre dy forcave mbizotërojnë projektet e qarta për integrimin europian të Shqipërisë. Kryeministri Berisha komentoi edhe marrëdhëniet me Partinë Socialiste dhe situatën ekonomike të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër! Do t’ju pyesja në fillim për atë që është lajmi i fundit. Cili është komenti juaj për rezultatet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori për Fierin, apo diskutimet për Beratin?

Sali Berisha: Unë nuk kam asnjë koment. Siç dihet, jam shprehur se rezultati përfundimtar del nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili, me sa shoh unë, ka bërë një punë shumë serioze dhe në zbatim të plotë të ligjit. Ndaj dhe institucionet e vlerësimit të rezultatit si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor janë institucione që do të bëjnë punën e tyre pa asnjë lloj presioni. Natyrisht, në qoftë se ekspertët tanë nuk bien dakord, kanë Kolegjin Zgjedhor për t’u drejtuar. Kjo është për të gjitha partitë politike, ndaj edhe unë nuk kam ndonjë koment të veçantë.

Zëri i Amerikës: Sot jemi dy javë pasi zgjedhjet janë kryer. Rezultati përfundimtar zyrtar nuk ka dalë ende. Ndërkohë që socialistët kërkojnë numërim edhe në zona të tjera. A e shihni me shqetësim këtë vonesë të rezultatit?

Sali Berisha: Në qoftë se vlerësojmë tërësinë e ankesave, këto kanë qenë më minimalet në historinë e zgjedhjeve. Ka pasur një moment në këto zgjedhje, që ishte jashtë parashikimit të ligjbërësve dhe ligjvënësve; ishte numri i sallave të numërimit. U përcaktuan 66 salla, të cilat e bënë procesin e numërimit të zgjatur dhe të lodhshëm. Ishte një mbingarkesë, ç’është e vërteta. Mendoj se në zgjedhjet e tjera sallat duhet të dyfishohen.

Zëri i Amerikës: Pra, ju shikoni vetëm numrin e ulët të grupeve të numërimit si problemin kryesor të zgjedhjeve?

Sali Berisha: Qeveria do të mbante përgjegjësi në qoftë se qeveria do të bënte përpjekjen më të vogël për të ndikuar në rezultatin. Qeveria ka bërë përpjekjet më të mëdha për të ngritur infrastrukturën më moderne. Nuk ka ndonjë infrastrukturë më moderne se sa kjo e Shqipërisë. Kjo ishte ana e qeverisë. Së dyti; qeveria bashkë me opozitën, se Kodi Zgjedhor është konsensual, por parashikimi për kaq e aq qendra numërimi mbase qe i gabuar. Sigurisht, qeveria mban pjesën kryesore të përgjegjësisë, por sigurisht një pjesë e mban edhe opozita sepse Kodi u bë bashkërisht. Edhe paracaktimi me ligj se rezultati i zgjedhjeve duhet të dalë të nesërmen ora kaq apo aq nuk ishte realist.

Zëri i Amerikës: Socialistët po ju akuzojnë edhe për ndikime që ju keni mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo dëmtime të numërimit.

Sali Berisha: Unë nuk jam prononcuar për Komisionin Qendror të zgjedhjeve, por gjer tani, po të analizohet veprimtaria e tyre, mendoj se janë komisionerët socialistë ata që i kanë lejuar vetes të përdorin dy standarde. Dhe në asnjë rast e në asnjë rrethanë komisionerë përfaqësues të shumicës nuk kanë përdorur dy standarde, nuk kanë bërë dy interpretime të ligjit. Kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur nga komisionerët e Partisë Socialiste, por unë kam treguar mirëkuptim meqenëse përfaqësojnë opozitën. Por në tërësi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionuar me një maksimum konsensusi. Kurse vlerësimi i përgjithshëm i zgjedhjeve është një vlerësim universal se këto zgjedhje ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë. Standardet? Mendoj se nuk ka vend në botë ku zgjedhjet nuk vuajnë për standarde.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, si i keni pritur ju deklaratat e Partisë Socialiste se ata nuk do të njohin zgjedhjet, në këmbim të rinumërimit të disa zonave.

Sali Berisha: Absolutisht pa asnjë lloj impresioni.

Zëri i Amerikës: Si? Nuk keni asnjë impresion kur opozita thotë se nuk do të njohë zgjedhjet?

Sali Berisha: Jo, nuk mund të kem impresion unë nga presione të tilla. Në qoftë se zoti Rama përpiqet që me deklarata të tilla të maskojë përgjegjësinë që ka për humbjen, ajo është përzgjedhja e tij. E rëndësishme është një gjë; qysh ditën e parë, gjer sot dhe në vazhdim, unë kam kërkuar dhe kërkoj të zbatohet ligji, ligji, dhe vetëm ligji. Nuk mund të ketë imponime; as unë nuk mund t’u imponoj gjë atyre, dhe as ata nuk mund të imponojnë. Mendoj se institucionet e vlerësimit të rezultateve duhet të punojnë jashtë presioneve. Në qoftë se zoti Rama një herë gjen kutinë e Beratit, pastaj kutinë e Fierit, pastaj këtë, pastaj atë për t’u mbrojtur nga rezultati që nuk arriti, ky është problem i tij, është përzgjedhje e tij, nuk është imi fare, nuk ka të bëjë me mua.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha edhe ju nuk i arritët ato rezultate që prisnit nga zgjedhjet. Ju bëtë një fushatë shumë entuziaste, premtuat se do të kishit një fitore të thellë, pas rezultateve shumë të mira të qeverisjes sidomos në infrastrukturë.

Sali Berisha: Në fakt, koalicioni im është koalicioni fitues. Kjo është e tëra.

Zëri i Amerikës: Për rezultatin e ngushtë e kisha fjalën.

Sali Berisha: Më fal! Kam vetëm një shpjegim: Fitorja, e madhe apo e vogël, është si diamanti, shkëlqen. E dyta; a kam unë zemërthyerje për këtë rezultat? Absolutisht jo. Pse? Në natyrën time, unë gjithmonë punoj me koalicion. Këtë e kam bërë edhe në 2005 dhe gjithmonë. Mendoj se rezultati i këtij votimi ka imponuar kësaj radhe një koalicion realisht të dobishëm për vendin. Kështu që, unë shoh një katërvjeçar me një qeverisje të qëndrueshme dhe me një opozitë të fortë në parlament. Një katërvjeçar në të cilin në tryezë janë me qindra e qindra projekte të asaj që unë e premtova në fushatë elektorale të Shqipërisë Europiane. Pra, jam i bindur se do të jetë katërvjeçari i rezultateve më të mëdha.

Zëri i Amerikës: Më lejoni, ju lutem, t’u bëj një pyetje për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ka shumë njerëz në opinionin publik që e shikojnë me dyshim këtë bashkëpunim tuajin të ri.

Sali Berisha: Ky bashkëpunim bazohet mbi një marrëveshje politike, të cilat Sali Berisha nuk i ka shkelur kurrë. Pra, të gjitha ato që thoni ju shuhen për shkak të marrëveshjes, Së pari kjo. Së dyti; Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë e majtë tmerrësisht e persekutuar me ligj nga Partia Socialiste dhe jo nga Partia Demokratike asnjëherë dhe në asnjë rast. Jo se ne kishim një intension postelektoral, por sepse persekutimi dhe përdorimi i pushtetit për të përjashtuar një forcë politike është i papranueshëm për parimet që ne mbajmë. Dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetëdijshme për këtë. Por le të marrim praktikën europiane dhe botërore. Kundërshtarët, kur për interesa më të mëdha, bëjnë marrëveshje, i sigurt të jesh që ata në arkivat e tyre kanë të njëjtat shprehje që ekzistojnë në arkivin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë fushatës.

Zëri i Amerikës: Mirë, por, pyetja konsiston në këtë; sa serioz është ky bashkëpunim?

Sali Berisha: Jo. Jo. Ky është një bashkëpunim për projektin e madh të Shqipërisë europiane. Ky është një bashkëpunim që diktohet nga rezultati i votimit. Ky bashkëpunim nuk bëhet për t’i bërë një favor Ilir Metës ose Sali Berishës. Jo. Në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ekzistonte sot, absolutisht unë do të kërkoja koalicion me Partinë Socialiste, sepse kjo është një praktikë konstante. Sot nuk shkohet më në zgjedhje për rezultatin e tyre. Shkohet në zgjedhje kur koalicionet e krijuara nga zgjedhjet nuk funksionojnë. Por, në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ishte një forcë në këto përmasa që vjen, unë gjënë e parë që do të bëja, do t’i kërkoja Partisë Socialiste koalicion. Dhe, në rast se unë do të isha koalicion i dytë dhe jo i parë, pas dorëheqjes time, do të ishte rekomandimi i koalicionit tim për të bërë një koalicion me Partinë Socialiste. Këto janë rregulla të cilat Shqipëria dhe shqiptarët duhet t’i ndjekin, sepse janë rregulla që praktikohen sot në një seri vendesh si në Gjermani, Austri si edhe vende të tjera. Ky është diktati që vjen nga sovrani.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë, ju me siguri keni filluar të vizatoni, të projektoni kabinetin e ri qeveritar. Cilat do të jenë, sipas jush ato sektorë, ato ministri, që janë të panegociueshme?

Sali Berisha: Në një koalicion negociohet gjithçka. Por me Lëvizjen Socialiste për Integrim kam një marrëveshje; meqenëse Kushtetuta imponon që nuk mund të krijohet qeveri e re të paktën gjer më datën 28 gusht, në mënyrë që të paraqitet brenda dhjetë ditëve në parlament programi, - sepse ky është një përcaktim shumë strikt kushtetues, - atëherë unë vazhdoj punën intensive me këtë qeveri. Dhe nuk do të bëjmë negociata, dhe nuk po bëjmë negociata për karrige, për poste, sepse kjo në mënyrë të panevojshme mund të krijonte një lloj çmobilizimi në administratë dhe e vërteta është që administrata po punon me kapacitet të plotë. Së dyti, po hartojmë buxhetin, dhe është e domosdoshme që ky buxhet të hartohet brenda këtyre dy muajve dhe parlamenti i ardhshëm në shtator të ketë mundësinë që ta marrë dhe ta shqyrtojë. Do të ketë për të gjitha ndryshimet dhe për të gjitha propozimet. Pra, është pikërisht ritmi i punës ai që na ka obliguar që të mos merremi me portofola dhe me karrige.

Zëri i Amerikës: Cilat janë ato poste dhe ato sektorë që ju nuk keni ndërmend t’ia lini Lëvizjes Socialiste për Integrim; p.sh. diplomacia, apo ekonomia?

Sali Berisha: S’ka. Nuk mund të vihen kushte në një koalicion. Por një gjë është e sigurt; Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike me kapacitete reale njerëzore. Të jemi realist. Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike, e cila gjatë këtyre viteve në opozitë ruajti gjithnjë alternativa. Ana më pozitive e këtij koalicioni është sepse të dy këto forca; - ne si qendër e djathtë dhe ata si forcë politike e majtë, - janë të angazhuara për procesin e integrimit. Së këtejmi vjen edhe emri i tyre - Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse kishte një lloj konfuzioni për procesin e integrimit nga Partia Socialiste, ndaj edhe doli kjo forcë për integrim. Lideri i saj, Iliri Meta, është një personalitet politik, i cili që në angazhimin e tij në Partinë Socialiste ka qenë për integrimin. Edhe kur ajo parti më bënte mua rezoluta kundër bashkëpunimit me NATO-n, zëri i Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe ndonjë tjetri në atë parlament ishte pro. Ishin vitet 1993-1994.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›