E Diel, 1 Nëntor 2026

Imeraj: “Pas Beratit Berisha po tenton të dhunojë dhe votat e Tiranës”

Zëdhënësja e socialistëve bën thirrje për respektimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit

Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, gjatë një konference për shtyp, deklaroi dje se kryeministri Berisha e thelloi edhe më shumë hendekun kërcënues mes shtetit të së drejtës dhe pushtetit të tij, mes ligjit të zgjedhjeve dhe imponimit të paligjshëm të rezultatit të tyre, mes Shqipërisë që kërkon transparencë për votat e 28 qershorit dhe paloqeverisë që u krijua pikërisht për të mos lejuar transparencën. “Pas Beratit KQZ-ja mbajti peng për llogari të Sali Berishës edhe Tiranën, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të drejtën elementare të Partisë Socialiste për të zbardhur përpara syve të të gjithë popullit të vërtetën e dhjetëra kutive të dyshuara në Tiranë, njësoj si në Berat. Shqiptarët po shohin, ditë për ditë, se Sali Berisha i friket së vërtetës që gjendet në kutitë që ka marrë peng përmes një KQZ-je të dhunuar nga katër ushtarë të verbër të pushtetit të tij”, - tha Imeraj.
Thirrja
Sipas zëdhënëses së socialistëve, shqiptarët po kuptojnë, dita-ditës, se rezultatet e 28 qershorit nuk janë pasqyrë besnike e vullnetit të tyre, po produkt i makinacioneve të një pushteti që u mohoi atyre zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve europiane. “Shqiptarët po vetëdijesohen, çdo ditë e më shumë, se këmbëngulja e Partisë Socialiste për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, është e vetmja rrugë për të mos lejuar që zgjedhjet në Shqipëri të kthehen në një skemë të mbyllur ku pushteti vendos në kundërshtim me vullnetin e popullit sovran. Sali Berisha përsëriti sot me Tiranën atë që bëri dje me Beratin, ne përsërisim sot pas Tiranës atë që thamë edhe pas Beratit: Nuk i njohim rezultatet e këtyre zgjedhjeve në qoftë se nuk behet transparenca për të gjitha kutitë e dyshuara dhe të kontestuara ligjërisht prej nesh. Nuk i njohim rezultatet e këtyre zgjedhjeve në qoftë se një populli të tërë i mohohet me dhunë antiligjore e drejta për të lexuar në dritën e diellit vendimin e vet sovran”, - tha Imeraj.
Qëndrimi
“Nuk i njohim rezultatet e këtyre zgjedhjeve në qoftë se arsyeja e forcës do të imponohet ndaj forcës së arsyes dhe jemi të vendosur të mos ndalemi në rrugën e kërkimit të një të drejte kaq themelore, të cilën Sali Berisha kërkon të na e mohojë kaq paturpësisht. Nuk do t'ia dalë”, - deklaroi në mënyrë të prerë dje Imeraj. Dy ditë më parë KQZ-ja i dha fund shpresës së socialistëve për të rinumëruar disa dhjetëra kuti të qarkut të Beratit, ndërsa nga PS-ja janë depozituar kërkesat edhe për rinumërime në disa ZAZ të Shkodrës dhe Tiranës. Në lidhje me Beratin socialistët kundërshtonin vendimin e KZAZ-së 1, 2 dhe 3 të këtij qarku, për miratimin e tabelave të rezultateve. Në Berat beteja e socialistëve ka qenë me kryetarët e KZAZ-ve, të cilët, sipas socialistëve, i kanë pasqyruar keq rezultatet në tabelat përmbledhëse ose në disa raste kanë shpallur qëllimisht me qindra vota të pavlefshme. Një tjetër kërkesë e socialistëve është bërë edhe për qarkun e Tiranës, ku socialistët kanë pretendime për manipulime masive të ndodhura në zonën e Paskuqanit dhe atë të Kamzës, që përfaqësohen përkatësisht nga KZAZ-të Nr. 58 dhe Nr. 56.

15 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›